Balla kërcënon Zhupën: Mbledh firma dhe të shkarkoj!

Diskutimet për projektligjin “Për sponsorizimet” në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën janë shoqëruar me debate mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kryetares së komisionit, deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa.

Përplasja nisi gjatë diskutimit për kohën e fjalës.

“Po mos bërtit mo se nuk tremb njeri, nuk je në PS këtu, je në Komision”, iu drejtua Zhupa kreut të grupit parlamentar socialist.

Nga ana tjetër, Balla reagoi duke paralajmëruar se mund të mbledhë firma për shkarkimin e saj nga drejtimi i komisionit.

“Jo vetëm që të tërheq vëmendjen, por unë të mbledh firma dhe të shkarkoj m’u në mes të seancës plenare. Kjo është që ta dish ti. Ose mëso sillu me njerëzit këtu”, u shpreh Balla.

Deklaratave të tij iu kundërpërgjigj Zhupa, e cila i cilësoi ato si kërcënime dhe theksoi se mazhoranca nuk mund të vendosë se kush do të përfaqësojë opozitën.

“O zoti Balla, këto kërcënimet, nuk vendosni ju se kush do jetë opozitë”, deklaroi deputetja demokrate.

About Redaksia

Check Also

Gjykata pezullon gjobën prej 500 mijë lekësh për 17-vjeçarin që doli në protestë

Një 17-vjeçar u gjobit me 500 mijë lekë nga Policia, vetëm pse mori pjesë në …