Deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi, gjatë Foltores së ‘Ripërtëritjes’, ka falënderuar demokratët për qëndresën në betejat elektorale të viteve të fundit, duke theksuar se opozita duhet të bashkojë forcat për të ardhur në pushtet.
Bylykbashi, i cili bëri të ditur se ka dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të qarkut, deklaroi se rruga e PD-së drejt fitores duhet të kalojë përmes moralit dhe parimeve, pa asnjë kompromis me krimin.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë e Edi Ramës për bashkëpunim mes shtetit, partisë dhe krimit, ndërsa u shpreh se Shqipëria duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Oerd Bylykbashi: I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, lideri i padiskutuar i opozitës shqiptare, profesor doktor Sali Berisha!
Të nderuar kolegë deputetë, të nderuar drejtues të degëve të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, të nderuar bashkëqytetarë të Durrësit dhe të gjithë qarkut!
Ju falënderoj që keni ardhur kaq të shumtë sot në këtë takim, në këtë Foltore të Ripërtëritjes për qarkun e Durrësit.
Durrësi ka një emër të madh, ka një emër me shumë peshë. Ka një emër që nuk e ka askush tjetër në këto troje. Është një qytet 2700-vjeçar. I tillë ka lindur dhe i tillë vazhdon të jetë. Për rrjedhojë, të gjithë ne i kemi borxh këtij qyteti që t’ia mbajmë emrin lart.
Ata që jetojnë këtu prej shekujsh apo dekadash, si dhe të gjithë ata që kanë vendosur të vijnë e të bëhen durrsakë, duhet të mbeten dhe të bëhen simbol i qytetarisë, jo vetëm për këtë qytet, por për të gjithë Shqipërinë.
Për këtë arsye, edhe Partia Demokratike e Durrësit, por të gjithë ne që jemi përpjekur gjatë gjithë këtyre viteve, duhet të bëjmë çmos që këtë mision ta çojmë përpara.
Unë dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve: miq, bashkëpunëtorë, anëtarë, militantë dhe qëndrestarë të Partisë Demokratike, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve kemi qëndruar dhe kemi rezistuar fort.
Do të doja t’ju kujtoja se vetëm në tre vite, nga viti 2022 deri në vitin 2025, Partia Demokratike në degën e Durrësit është përballur me tri palë zgjedhje, si askund tjetër. Në këto zgjedhje kemi rezistuar, kemi qëndruar dhe jemi përballur në kushtet më të vështira.
Në vitin 2022 nuk kishim logo, ashtu siç nuk kishim logo edhe në vitin 2023. Falënderoj kandidatët që morën përsipër sfidën për ta çuar përpara Partinë Demokratike në ato kushte të vështira dhe për t’u përballur me një regjim që kishte vënë gjithçka kundër nesh.
Por dua t’ju falënderoj gjithashtu për të gjithë atë përballje dhe rezistencë që bëmë në vitin 2025, të gjithë së bashku, në Durrës, në Shijak, në Krujë dhe në Fushë-Krujë. U përballëm me një shtet që nuk është vetëm shtet. Janë bërë bashkë shteti, partia dhe krimi.
Në atë përballje, të gjithë së bashku, si një ekip, askush i vetëm, por të gjithë bashkë, kandidatët, strukturat, drejtuesit e tyre dhe militantët, u përballën me këtë regjim. Dhe, pavarësisht gjithçkaje, i dhamë Partisë Demokratike një nga rezultatet më të mira, duke ruajtur të njëjtat rezultate si në vitin 2021.
Miq, sido që të jetë rezultati, kur nuk fitohen zgjedhjet, ai nuk ka rëndësi. Kështu që është detyra jonë që të mbledhim së bashku të gjitha forcat tona, sepse rrethanat dhe kushtet në Shqipëri sot janë krejt të tjera nga ato me të cilat jemi përballur gjatë këtyre viteve. Shansi dhe mundësia jonë, por njëkohësisht edhe detyra jonë, është të organizohemi për të shkuar drejt fitores.
Me këtë fjalë dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve. Gjithashtu, dua t’ju bëj me dije se kjo është hera e fundit që ju drejtohem si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Rreth një javë më parë ia kam dorëzuar këtë detyrë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë mënyrë mund ta çojmë përpara ripërtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona.
Marrim një detyrë, e çojmë përpara dhe më pas vjen dikush tjetër për ta vazhduar. I uroj kujtdo që do ta marrë këtë detyrë ta çojë Partinë Demokratike drejt fitores në zgjedhjet që kemi përpara.
Ashtu siç thotë edhe himni ynë: ‘Kush largohet nga beteja është tradhtar’. Kështu që, kushdo nga ne, pavarësisht nëse merr apo lë një detyrë, është aty për të luftuar si një ushtar i thjeshtë për nderin dhe suksesin e Partisë Demokratike, të opozitës, të qytetarisë durrsake dhe të të gjithë shqiptarëve anembanë Shqipërisë.
Sigurisht, ajo që do të doja të theksoja është se kemi vetëm një rrugë. Rruga jonë kalon vetëm përmes moralit dhe parimeve. Ne mund të bëjmë çdo lloj kompromisi tjetër, por kompromis me moralin dhe parimet nuk duhet të ketë.
Në 19 vitet që kam punuar ngushtësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me doktor Berishën, nëse do të zgjidhja një nga të gjitha mësimet e jashtëzakonshme, leksionet jo vetëm politike që kam marrë prej tij, do të ishte qëndresa e palëkundur ndaj parimeve.
Ne duhet t’u qëndrojmë këtyre parimeve, sepse vetëm ato na çojnë me kokën lart drejt fitores. Asnjë kompromis mbi parimet dhe moralin!
Dhe pikërisht me këtë jemi përballur gjatë gjithë këtyre viteve. Jam i sigurt se do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë.
Nëse ka diçka që nuk kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve, edhe në kushtet më të vështira, edhe kur oferta ka qenë e pranishme dhe presioni ka qenë i jashtëzakonshëm mbi të gjithë strukturën dhe mbi secilin prej jush, është kompromisi me krimin.
Në këtë qytet, në zgjedhjet e fundit, jemi përballur me kryeministrin, me bashkinë e dytë më të fuqishme në Republikë, me koordinatorin politik Ergys Agasi, për të cilin tashmë të gjithë e dinë se është një nga elementët thelbësorë të organizimit të krimit të organizuar në funksion të politikës dhe të regjimit të Edi Ramës, si dhe me një nga kartelet më të mëdha kriminale në vend.
Përballë gjithë kësaj, ne nuk bëmë kompromis. U përpoqëm dhe dhamë atë rezultat që arritëm.
Jam i sigurt se vetëm në këtë mënyrë, duke mos bërë kompromis me krimin, do të vazhdojmë të kemi fytyrën dhe moralin për t’u dalë përpara durrsakëve dhe për t’u ofruar një alternativë të jashtëzakonshme për të fituar.
Jam i sigurt se me këtë devizë ne do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme.
Ju uroj suksese të gjithë atyre që do të marrin drejtimin për ta çuar përpara fitoren e Partisë Demokratike në Durrës, në Shijak dhe në Krujë, në zgjedhjet e ardhshme. Shpresoj dhe jam i sigurt se shumë shpejt do të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme, pa Edi Ramën në krye të qeverisë, në mënyrë që të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Miq, ju falënderoj nga zemra! Suksese dhe fitore!
Gazeta RD