Kërkesa e Ambasadorit amerikan/ A do të marrë SPAK provat për zyrtarët e korruptuar dhe të inkrimunuar në SHBA?

Ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, i kërkoi SPAK-ut të ndjekë gjurmët digjitale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se një pjesë e provave të nevojshme për hetimet ndodhen në serverët e Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një takimi me kreun e SPAK, Klodian Braho, drejtuesin e BKH-së, Joni Keta, si dhe gjyqtarë, prokurorë dhe hetues, Wendt u shpreh se krimet e rënda lënë gjurmë digjitale, përfshirë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar që hetohen nga drejtësia shqiptare.

“Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverët në Shtetet e Bashkuara: email-e, llogari në rrjetet sociale dhe hapësira cloud të administruara nga kompani amerikane”, deklaroi ambasadori.
Wendt theksoi se këto prova mund të sigurohen, por kërkohet njohja e procedurave për ruajtjen, kërkimin dhe marrjen e tyre në kohë. Ai paralajmëroi se të dhënat mund të zhduken brenda pak ditësh dhe se një kërkesë për ruajtjen e tyre e dërguar në kohë mund të shpëtojë një çështje hetimore.

Ambasadori amerikan nënvizoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë vetëm një problem për Shqipërinë, por edhe për sigurinë dhe interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

“Zyrtari i korruptuar i fsheh ryshfetet në portofolë kriptomonedhash dhe llogari offshore. Pastruesi i parave transferon fonde përtej kufijve brenda sekondash. Kriminelët janë zhvendosur në platformat digjitale. Edhe zyrtarët e drejtësisë duhet të bëjnë të njëjtën gjë”, u shpreh Wendt.
Ai gjithashtu paralajmëroi se rrjetet që trafikojnë kokainë drejt Europës furnizohen nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që kërcënojnë komunitetet amerikane, duke theksuar se goditja e këtyre organizatave rrit sigurinë e të dy vendeve.

Në fjalën e tij, Wendt u ndal edhe te ndikimi i korrupsionit në klimën e biznesit dhe investimet amerikane në Shqipëri. Sipas tij, kompanitë amerikane janë të gatshme të investojnë në energji, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji, por kërkojnë kontrata të respektuara, tenderë të drejtë dhe zbatim të barabartë të ligjit.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Zbatojeni ligjin në mënyrë të barabartë”, theksoi ambasadori.

Në përfundim, Wendt riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet e pavarura të drejtësisë në Shqipëri, duke nënvizuar se vendimet duhet të bazohen vetëm në prova dhe ligj, pa u ndikuar nga pozita, lidhjet apo statusi i personave të përfshirë.

“Ndërsa ndiqni provat dhe paratë, Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë pranë jush”, përfundoi ambasadori amerikan.

Pas deklaratës së fortë të Ambasadorit amerikan , pyetja që shtrohet është nëse SPAK do të zbatojë atë që kërkojnë sot amerikanët për të marë provat për zyrtarët e korruptuar dhe të inkriminuar në qeveri apo do të vetëdiskretitohen tek amerikanët si shërbëtorë të regjimit?

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha-Gonxhes: 30 milionë euro sponsorizime në duart e bashkëhajdutit numër tre pas Ramës dhe Lubisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi në Kuvend ligjin që parashikon 30 milionë euro …