Raporti i BB: Ekonomia shqiptare mund të pësojë një tkurrje prej 7% në rast të një krize globale të turizmit

Ekonomia shqiptare mund të pësojë një tkurrje prej rreth 7% në rast të një krize globale të turizmit dhe transportit ndërkombëtar, më shumë se dyfishi i tkurrjes së ekonomisë botërore në të njëjtat kushte, sipas simulimeve të Bankës Botërore.

Në raportin, “Vlerësimi i konkurrueshmërisë tregtare të Shqipërisë” (Vlerësimi i konkurrueshmërisë tregtare të Shqipërisë: Drejt një tregtie me produktivitet më të lartë, vende pune më të mira dhe rritje ekonomike”), institucioni financiar ndërkombëtar ka modeluar tre skenarë për të vlerësuar ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të jashtme, në kushtet e varësisë në rritje nga të ardhurat e turizmit.

Në të tre skenarët, eksportet shqiptare do të pësonin një rënie prej 8.4–8.9%, afërsisht trefishi i tkurrjes së eksporteve në nivel global. Simulimet kombinojnë dobësimin e kërkesës dhe kufizimet e ofertës në sektorët e akomodimit, shërbimit ushqimor dhe argëtimit me rritjen e kostove të transportit ndërkombëtar. Përmasat e goditjes janë kalibruar për të përafruar tkurrjen fillestare të ekonomisë globale gjatë pandemisë së Covid-19.

“Shqipëria është dukshëm më e ekspozuar se ekonomia mesatare ndaj ndërprerjeve të njëkohshme në turizëm dhe udhëtimet ndërkombëtare”, vlerëson Banka Botërore në raport. Shërbimet përbënin 82% të eksporteve totale të Shqipërisë në vitin 2024, më shumë se dyfishi i mesatares së Ballkanit Perëndimor, vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Bashkimit Europian.

Brenda eksporteve të shërbimeve, pesha e udhëtimeve është rritur nga 50.8% në vitin 2020 në 69% në vitin 2024. Shërbimet e transportit përbëjnë kategorinë e dytë më të rëndësishme, ndërsa pesha relative e shërbimeve të biznesit është reduktuar me rimëkëmbjen e turizmit.

Përqendrimi i eksporteve nuk kufizohet vetëm te shërbimet. Në tregtinë e mallrave, veshjet dhe këpucët përbënin rreth 37% të eksporteve në vitin 2025. Sipas raportit, këto aktivitete karakterizohen nga intensiteti i lartë i përdorimit të fuqisë punëtore dhe përmbajtja e ulët teknologjike.

Eksportet shqiptare janë rritur mesatarisht me 7.6% në vit gjatë periudhës 2001–2025, ndërsa pesha e tyre në ekonomi është pothuajse dyfishuar, nga 19% e PBB-së në vitin 2000 në 37.1% në vitin 2025.

Banka Botërore rekomandon diversifikimin e eksporteve drejt produkteve me vlerë të shtuar më të lartë dhe shërbimeve të palidhura me udhëtimet, veçanërisht teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, financës dhe shërbimeve të specializuara të biznesit. Institucioni sqaron se rezultatet e simulimeve nuk përbëjnë parashikime për ecurinë e ekonomisë shqiptare, por ilustrojnë shkallën e ekspozimit të saj ndaj një krize të mundshme globale të turizmit./ Monitor

About Redaksia

Check Also

Kos e verbuar nga lajkat e Ramës! Në një kohë kur qytetarët protesojnë prej disa muajsh ajimbyll sytë dhe…

Edi Rama lajkatoi sot Komisioneren e Zgjerimit, Marta Kos, gjatë samitit në Tiranë. Këto lajka …