Studentja e Mjekësisë: Ne nuk jemi thjesht e ardhmja e Shqipërisë, ne jemi e tashmja e saj!

Studentja e Mjekësisë dhe anëtarja e Kryesisë së PD në Kamzë, Albana Gjika, ka bërë thirrje për bashkimin e forcave opozitare dhe angazhimin e të rinjve në mbrojtje të demokracisë dhe ndryshimit politik në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Gjika u ndal te korrupsioni, largimi i të rinjve, mungesa e meritokracisë dhe trajtimi i studentëve, duke theksuar se: “Studentët nuk kërkojnë privilegje, por të drejtën për të studiuar në kushte dinjitoze, për t’u dëgjuar dhe për të pasur mundësi të barabarta”.

Albana Gjika: I nderuar zoti Sali Berisha, të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, Partisë Republikane dhe aleatëve të saj, të nderuar intelektualë, studentë dhe të pranishëm.

Sot kam nderin dhe kënaqësinë të flas si një përfaqësuese e aleancës së Partisë Demokratike, Partisë Republikane dhe të partive të tjera opozitare, si një e re dhe si një studente.

Shqipëria po kalon një periudhë të vështirë ekonomike dhe politike. Tensionet politike, pakënaqësia gjithnjë e më e madhe e qytetarëve, mungesa e besimit te institucionet dhe vështirësitë e përditshme me të cilat përballen familjet shqiptare janë tregues të realitetit.

Vendi ynë ka nevojë për një ndryshim të vërtetë, për drejtësi, për përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, për rikthimin e shpresës. Një shpresë që ndërtohet mbi premtime elektorale, mbi angazhime konkrete, mbi respektimin e ligjit dhe mbi një politikë që e vendos qytetarin në qendër të vendimmarrjes.

Sot, më shumë se kurrë, qytetarët kanë nevojë për një politikë që i dëgjon, që u qëndron pranë dhe që nuk i kujton vetëm në momentet kur kërkon mbështetjen e tyre. Ata kanë nevojë për një administratë që funksionon mbi bazën e meritës dhe për një shtet ku e drejta nuk përcaktohet nga pushteti, por ku pushteti kufizohet dhe kontrollohet nga ligji.

Nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë problematikave që po shoqërojnë vendin. Korrupsioni, mungesa e transparencës, vështirësitë ekonomike, rritja e kostos së jetesës, pasiguria për të ardhmen dhe largimi i vazhdueshëm i të rinjve janë çështje që kërkojnë përgjegjësi dhe reagim politik.

Një shoqëri nuk mund të ecë përpara kur qytetarët humbasin besimin dhe kur meritokracia zëvendësohet nga privilegji. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme kur të rinjtë nuk shohin mundësi punësimi, kur profesionistët nuk vlerësohen dhe kur familjet përballen çdo ditë me vështirësi.

I nderuar zoti Berisha, në këtë realitet, roli i opozitës është i një rëndësie të veçantë. Ne duhet të jemi zëri i qytetarëve që nuk dëgjohen, mbështetja e atyre që ndihen të pambrojtur dhe forca politike që artikulon një alternativë të besueshme për të ardhmen e Shqipërisë.

Partia Demokratike, në bashkëpunim me Partinë Republikane dhe aleatët opozitarë, duhet të vijojë të mbrojë vlerat mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike: lirinë, pluralizmin, meritokracinë, pronën private, iniciativën e lirë dhe dinjitetin e çdo qytetari.

Besoj se bashkimi i forcave politike opozitare nuk duhet të jetë thjesht një bashkim elektoral, por një angazhim mbi parime, përgjegjësi dhe një vizion të përbashkët për vendin.

Shqipëria ka nevojë për një alternativë që nuk mjaftohet me kundërshtimin e qeverisjes aktuale, por që është e aftë të propozojë një model të ri organizimi, ekonomi konkurruese dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

Një vëmendje të veçantë duhet t’u kushtojmë të rinjve dhe studentëve shqiptarë. Ne studiojmë, punojmë, përpiqemi dhe sakrifikojmë çdo ditë për të ndërtuar formimin dhe të ardhmen tonë. Studentët nuk kërkojnë privilegje, por të drejtën për të studiuar në kushte dinjitoze, për t’u dëgjuar dhe për të pasur mundësi të barabarta.

E drejta për protestë, për shprehje të lirë dhe për të kundërshtuar vendimmarrjet e padrejta duhet të respektohet si një nga themelet e demokracisë. Sot, studentët padrejtësisht po rrihen, keqtrajtohen dhe burgosen, sikur të ishin në diktaturë.

Nuk mund të pranojmë që zëri i studentëve të trajtohet si shqetësim për pushtetin, apo që kërkesa për të drejta të shoqërohet me cenim të dinjitetit të tyre. Institucionet duhet të jenë garantuese të lirive, jo pengesa për ushtrimin e tyre.

Një vend që humbet rininë e tij rrezikon të humbasë edhe perspektivën e zhvillimit. Prandaj, mbështetja ndaj të rinjve nuk duhet të jetë një premtim politik, por një prioritet kombëtar.

Në këtë drejtim, dua të përcjell edhe një thirrje për bashkim. U bëj thirrje të gjitha forcave politike të djathta, intelektualëve, akademikëve, profesionistëve, studentëve dhe çdo qytetari që beson te vlerat demokratike, të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe të bashkohemi rreth një qëllimi madhor: mbrojtjes së demokracisë, rikthimit të përgjegjshmërisë dhe ndërtimit të alternativave të vërteta për Shqipërinë.

Përballë një qeverie të zhytur në korrupsion, të përqendruar në pushtet dhe gjithnjë e më pak të përgjegjshme përballë qytetarëve, përgjigjja jonë duhet të jetë bashkimi, organizimi dhe angazhimi demokratik. Kundërshtimi ynë duhet të jetë i vendosur, qytetar dhe i mbështetur në parimet e shtetit të së drejtës.

Nuk është koha për përçarje, për interesa të ngushta apo për llogari individuale. Është koha për të vendosur interesin kombëtar mbi çdo interes tjetër politik.

Unë besoj se Shqipëria ka nevojë për një brez që nuk pranon të jetë spektator i të ardhmes së vet, por një brez që ka kurajën të flasë, formimin për të argumentuar dhe përgjegjësinë për të kontribuar.

Mos hiqni dorë nga e drejta për të kërkuar një të ardhme më të mirë. Mos lejoni që indiferenca të zëvendësojë përgjegjësinë dhe as që mungesa e mundësive të shuajë ambicien tuaj për këtë vend.

Ne nuk jemi thjesht e ardhmja e Shqipërisë; ne jemi e tashmja e saj dhe kemi të drejtën, por edhe detyrimin, të jemi pjesë e ndryshimit.

Shqipëria që ëndërrojmë nuk ndërtohet vetëm me fjalë. Ajo kërkon angazhim, përgjegjësi politike, bashkim qytetar dhe vendosmëri për të mbrojtur vlerat demokratike.

Le të bashkohemi për një Shqipëri ku drejtësia të mos jetë privilegj, ku demokracia të mos jetë vetëm një parim formal, ku institucionet t’i shërbejnë qytetarit dhe ku të rinjtë të mos detyrohen të kërkojnë jashtë vendit mundësi që meritojnë në atdheun e tyre.

Shqipëria që ëndërrojmë fillon me guximin për të kërkuar ndryshim dhe me vendosmërinë për të mos u pajtuar me padrejtësinë.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

“Rinia në qendër të ripërtëritjes së PD”/ Gjinaj: Shqipëria nuk ka luks të humbasë më asnjë brez të rinjsh!

Klodian Gjinaj, anëtar i Forumit Rinor të PD, inxhinier mekanik, ka ngritur shqetësimin për largimin …