Berisha: Mbi 21 protestues në spital nga dhuna e regjimit! Protesta dhe vetëm protesta rruga për largimin e Ramës

Lideri i opozitës, Sali Berisha, u shpreh gjatë deklaratës në selinë e PD, se mbi 21 protestues janë paraqitur në spital si pasojë e përplasjeve me policinë gjatë protestës së 28 nëntorit në Tiranë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë mjekuar jashtë ambienteve spitalore.

Ai akuzoi Edi Ramën se ka përdorur të gjitha mjetet e dhunës kundër qytetarëve, duke përmendur plagosjen e protestuesve, përdorimin e plumbave dhe autobotëve të ujit, si dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe operatorëve të mediave.

Ai denoncoi sulmin e qëllimshëm ndaj grupit të SYRI TV, të cilët, sipas tij, u goditën teksa po kryenin detyrën e tyre profesionale.

Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të vijojnë pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Berisha: Në përballje me regjimin mbi 21 protestues u detyruan të paraqiten në spital, dhjetëra të tjerë janë mjekuar në kushte jo spitalore por regjimi theu kockë, theu gjymtyrë, çau kafka, përdori breshëritë e plumbave, përdori mjetet e tjera të dhunshme, përdori topat e ujit të cilët siç e patë u drejtuan edhe kundër gazetarëve dhe operatorëve të mediave që ai i konsideron armike, të Syri Televizion, që s’po bënin as edhe një akt të vetëm përveçse detyrës së tyre profesionale.

U goditën me shënjestër intelektualë të shquar të vendit vetëm e vetëm se kanë qenë, kanë qëndruar të palëkundur në protestë dhe anë të protestuesve.

U goditën me shënjestër mbi sy, në faqe, prapa koke, djem dhe vajza që nuk po kryenin asnjë akt dhune.

U plagos rëndë me plumb gome dhe iu ça lëkura dhe kafka, kamerieri që shërbente në kafene tek Opera. Sasi kolosale gazrash u hodhën me dron njëlloj si rusët në Ukrainë. Pra, Edi Rama përdori të gjitha mjetet kundër protestuesve por ata dhe tani sheshin e kanë në dorë. Ishte kjo një betejë e jashtëzakonshme, dita e parë e saj u kurorëzua me triumfin e guximit, heroizmit të protestës.

Kam besim të madh se nesër, dita e dytë e saj do të jetë po kaq, në mos edhe më e madhështore, më e jashtëzakonshme.

Mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që morën pjesë. Në veçanti kam një mirënjohje shumë të veçantë për qindra e qindra shqiptarë e shqiptare që erdhën në këtë protestë nga mijëra kilometra larg dhe u rreshtuan me bashkëatdhetarët e tyre duke përfaqësuar diasporën.

Falënderoj nga zemra çdo demokrat e demokrate që sot mbushën atë shesh bashkë me qytetarët e tjerë. Shpreh vlerësimin tim më të madh për ta dhe përsëri rikujtoj se vendi ynë, vendi i çdo demokrati e demokrateje është në çdo protestë kundër këtij regjimi gjer në largimin e tij, gjer në largimin e tij.

Ndaj dhe i ftoj, i ftoj me vendosmëri, durim, të marrin pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës. Pjesëmarrja e tyre ka një rëndësi jetike, vendimtare për suksesin e protestave.

Dhe siç kam theksuar dhe më parë përsëris, protesta dhe vetëm protesta, rruga e vetme për të larguar Edi Ramën nga pushteti.

About Redaksia

Check Also

Dhuna/ Policia sulmon një tjetër fotoreporter!

Ndërsa mbulonin protestën, një numër gazetarësh u dëmtuan nga mjetet e përdorura nga Policia e …