Një grup organizatash shqiptaro-amerikane i kanë drejtuar një letër publike kryeministrit Edi Rama, ku shprehin mbështetjen për protestat paqësore në Shqipëri dhe kërkojnë marrjen e masave për garantimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve. Në letrën e tyre, të publikuar nga BW, organizatat shprehen të shqetësuara për përshkallëzimin e tensioneve që prej 13 tetorit 2026, duke përmendur përplasjet mes protestuesve dhe policisë, plagosjet, arrestimet dhe dëmtimet e pronës. Sipas tyre, reagimi i qeverisë me forcë joproporcionale, arrestime masive, kërcënime dhe masa kufizuese ka cenuar të drejtat civile, ka shtuar frikën dhe ka thelluar mosbesimin e publikut ndaj institucioneve. Organizatat theksojnë se qytetarët kanë protestuar për më shumë se katër muaj në mënyrë paqësore, duke kërkuar fundin e korrupsionit, më shumë transparencë, përgjegjshmëri politike dhe reforma. Në dokument, ato i kujtojnë kryeministrit detyrimin për të respektuar Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke nënvizuar se ruajtja e rendit publik duhet të bëhet gjithmonë brenda kufijve të ligjit. 10 kërkesat drejtuar Ramës Në letrën drejtuar Edi Ramës, organizatat shqiptaro-amerikane parashtrojnë 10 kërkesa konkrete: 1. Të ndalet përdorimi i tepruar i forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve, përfshirë përdorimin joproporcional të plumbave prej gome, gazit lotsjellës dhe topave të ujit. 2. Të identifikohen punonjësit e policisë, duke kërkuar që ata të mbajnë gjatë gjithë kohës shenja dalluese dhe dokument identifikimi. 3. Të marrin fund arrestimet arbitrare dhe të lirohen personat e ndaluar vetëm për pjesëmarrjen në protesta paqësore. Gjithashtu kërkohet garantimi i aksesit te avokati. 4. Të mbrohen të miturit, duke hetuar në mënyrë të pavarur pretendimet për dhunë policore ndaj tyre dhe duke garantuar praninë e prindit, avokatit dhe psikologut gjatë marrjes në pyetje. 5. Të pezullohet legjislacioni i ri për protestat, deri në shqyrtimin e tij nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias, si dhe diskutimin në Parlament. 6. Të marrë fund ndëshkimi pa vendim gjykate, duke kundërshtuar përfshirjen e qytetarëve në regjistra të personave të dhunshëm dhe kufizimin e lëvizjes së tyre pa një vendim fajësie. 7. Të bëhet publik dokumentacioni mbi veprimet e policisë, përmes publikimit brenda 30 ditëve të një raporti të plotë për reagimin policor që prej 13 tetorit 2026. 8. Të lejohet mbikëqyrja ndërkombëtare, duke u dhënë hetuesve akses të plotë për të dokumentuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur shkeljet e pretenduara. 9. Të kompensohen viktimat, duke garantuar dëmshpërblim dhe ndihmë ligjore, mjekësore e psikologjike për personat që janë prekur nga përdorimi i paligjshëm i forcës apo ndalimet e paligjshme. 10. Të merret përgjegjësi politike, duke i kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të lehtësojë një tranzicion paqësor që do të krijojë kushtet për reforma institucionale dhe zgjedhore. …
Read More »