Përpjekja e kryeministres italiane Giorgia Meloni, për të frenuar emigracionin e paligjshëm drejt vendit të saj, përmes marrëveshjes së arritur me qeverinë shqiptare, mori një tjetër goditje mbrëmjen e së premtes pasi Gjykata e Apelit në Romë, kundërshtoi mbajtjen në kampin e Gjadrit, të grupit të tretë të migrantëve të dërguar në Shqipëri tre ditë më parë. Brenda 24 orësh ata do të transferohen në Itali.
Ashtu si dhe në dy rastet e mëparshme, në tetor dhe nëntor, Gjykata ka ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e Bangladeshit dhe Egjiptit, në listën e “vendeve të sigurta”, duke kërkuar që të pritet interpretimi për çështjen, nga Gjykata europiane e Drejtësisë, e cila do të duhet të shprehet më 25 shkurt. Sipas gjykatësve, që një vend të konsiderohet “i sigurt” duhet që “kushtet thelbësore për një përcaktim të tillë, të mund të plotësohen për të gjitha kategoritë e personave”. Prejardhja nga një “vend i sigurt” është parakusht për zbatimin e procedurës së përshpejtuar në kufi, që i lejon autoritetet italiane ta dërgojnë një emigrant në kamin e ngritur në Shqipëri.
Të martën, 49 emigrantë të gjetur në ujërat ndërkombëtare u transportuan fillimisht në Shëngjin e më pas në kampin e Gjadrit. Të paktën 6 prej tyre u dërguan menjëherë në Itali, pasi nga verifikimet rezultoi se një pjesë ishin minorenë, ndërsa të tjerët me probleme shëndetësore. Të 43 emigrantët e mbetur, përmes videokonferencave, iu nënshtruan të premten, procesit me gjykatësit e Apelit, të cilët duhet të vlerësonin ligjshmërinë e ndalimit dhe mbajtjes së tyre në Shqipëri.
Vendimi ishte i njejtë për të gjithë. Ndonëse Egjipti dhe Bangladeshi janë përfshirë nga qeveria italiane në listën e “vendeve të sigurta”, për gjykatësit e Apelit të Romës, akti i qeverisë rezulton të mos ketë mbajtur në konsideratë faktin që ka interpretime të ndryshme mbi respektimin e të drejtave të njeriut ndaj disa kategorive, përfshirë komunitetin Lgbtqi+, apo viktimave me bazë gjinore dhe pakicat etnike e fetare. Sipas Gjykatës, duke qenë se për çështjen, ka intepretime kundërthënëse mes të drejtës europiane dhe asaj italiane, rasti i është lënë gjykimit përfundimtar nga Gjykata europiane e Drejtësisë.
Edhe në dy episodet e mëparshme, seksioni për emigracionin në Gjykatën e Shkallës së parë në Romë urdhëroi transferimin në Itali të grupeve të emigrantëve të dërguar në Shqipëri, duke e bllokuar marrëveshjen Meloni-Rama të nëntorit të vitit 2023. Vendimet e gjykatave u shoqëruan me polemika të forta. Qeveria italiane ndërhyri duke bërë një ndryshim të listës së “vendeve të sigurta” shoqëruar dhe me një ndryshim ligjor, i cili e kalonte vendimmarrjen për rastet në Gjykatën e Apelit. Por edhe kjo lëvizje, duket se nuk ka sjellë rezultatin e pritur./ VOA
Mbërrin në Shëngjin anija e rojës bregdetare italiane që do marrë 43 refugjatët në Gjadër
Ka arritur në Shëngjin anija e rojës bregdetare italiane që do të marrë mbrapsht 43 refugjatët e akomoduar në Gjadër.
49 emigrantët mbërritën në vendin tonë të martën (28 Janar) me anijen e italiane Cassiopeia, por 5 prej tyre u kthyen me të njejtën anije që erdhën për në Qendrën e Azilkërkuesve në Bari, pasi nga kontrollet paraprake autoritetet identifikuan katër të mitur dhe një të rritur vulnerabël.
Ndërsa refugjatët e tjerë nga Bangladeshi dhe Egjipti u akomoduan në Gjadër, por pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Romës mbrëmjen e së premtes (31 Janar) do të kthehen sërish sot në shtetin fqinj.
Gjyqtarët në Romë kanë mohuar vlefshmërinë e ndalimeve për shkak të “pamundësisë së njohjes së shteteve të origjinës së personave të ndaluar si “vende të sigurta”, si pasojë e moszbatueshmërisë së procedurës kufitare. dhe, siç parashikon protokolli, të transferimit jashtë territorit shqiptar të emigrantëve, të cilët kanë të drejtë të çohen në Itali”.