Drejtues të lartë të Partisë Demokratike kanë zhvilluar takime me diasporën në Itali. Gjatë një takimi me emigrantët në Perugia, kreu i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, duke i ftuar të regjistrohen dhe të votojnë PD, tha se, sot administrata në SHBA mbështet Partinë Demokratike.
“Sot administrata aktuale në SHBA është tërësisht në favor të PD dhe është treguar me fakte dhe do ketë edhe prova të tjera në vazhdim që do ta tregojnë këtë.
Faktikisht non grata e Sali Berishës, nuk ekziston më. Përkundrazi, fakti që Presidenti i sapo zgjedhur Trump kaloi të njëjtin kalvar në SHBA po me këtë George Soros siç kaloi edhe Sali Berisha në Shqipëri ka bërë që interesat tona të jenë të përbashkëta. Dhe sot administrata e re në SHBA është tërësisht në mbështetje të PD. Madje po ju them se grupi që do bëjë fushatën e PD në Shqipëri është grupi që bëri fushatën e Presidentit Trump në SHBA.
Deri dje Rama kishte gjithë mbështetjen për të manipuluar për të bërë gjithë poshtërsitë dhe në fund fare arbitri i thoshte, fitoi Rama. Kjo nuk ndodh më. Është mbyllur ky kapitull. Përkundra thashë ata që janë sot aty janë armiq të asaj që ka ndodhur deri dje. Por ne fund farë ata që votojmë jemi ne. Ne në Shqipëri dhe ju këtej. Dhe ne jemi angazhuar.
Sali Berisha është angazhuar që do ti japim kësaj here fitoren PD njësoj si në ’92. Sigurisht kjo bazuar edhe në votën tuaj. Por që kjo të ndodhe nuk mjafton që ne te takohemi me njëri – tjetrin. Ti japim kurajo dhe mbështetje njëri – tjetrit por duhet që gjithsecili nga ne, duke filluar nga familjet tona, duhet që regjistrohen për të votuar. Pastaj hap pas hapi duke u shtrirë në mënyrë kapilare. Me familjet tona të punojmë dhe me njerëzit e afërt. Ama duhet të fillojmë e ti nxisim njerëzit deri sa të regjistrohen sepse kjo mbyllet me 4 mars si procedurë. Çdo emigrant e ka interesin me atë që ndodh në Shqipëri”, tha Paloka.