Kryetari i PD, Sali Berisha në konferencën e së premtes me gazetarët u shpreh se, Shqipëria madhështore sipas tij, mund të realizohet vetëm falë angazhimit të diasporës që jeton jashtë vendit dhe kjo do të ndodhë pas 11 majit.
Në fjalën e tij, Berisha tha se fitorja e PD-së me 11 maj 2025, nënkupton hapjen reale të vendit dhe krijimin e çdo lloj mundësie të kthimit të shqiptarëve në Shqipëri.
“Ndërkohë, edhe njëherë, jam këtu për t’u bërë thirrje shqiparëve jashtë vendit dhe për t’i garantuar ata se fitorja e PD-së me datën 11 maj 2025 nënkupton hapjen reale, krijimin e çdo lloj mundësie të kthimit të shqiptarëve jashtë vendit në Shqipëri.
Në këtë kuadër, afati 5-vjeçar pa taksa përbën zotimin tonë solemn.
Por, jo vetëm kaq.
Në të gjithë jetën e vendit, shqiptarët do mund të marrin pjesë në çdo lloj përfshirje, gare, konteksti që zhvillohet për administratë dhe institucione të tjera.
Sikundër, bonuset për fëmijët shqiptarë që lindin kudo në botë do jenë të njëjta si për ata që lindin në Shqipëri, edhe për ata që lindin në botë.
Tjetër, në programin tonë shumë të rëndësishëm për emigracionin dhe diasporën, një sistem universal lidhje online me shqiptarët e shquar që për arsye të ndryshme nuk mund të rikthehen në Shqipëri, por që mund të kontribuojnë aty ku janë në fushat e ndryshme.
Pra, një shkrirje e kombit, pavarësisht nga distancat gjeografike, do të ndodhë pas 11 majit.
Shqipëria Madhështore si projekt i Shqipërisë së viteve të ardhshme mund të realizohet vetëm me angazhimin intensiv të shqiptarëve jashtë vendit.
Pra, mendoj se horizonte të reja bashkëpunimi krijohen dhe shfaqen pas 11 majit.
Mos harroni, të dashur shqiptare dhe shqiptarë jashtë vendit, se njeriu që sot krijon të gjitha këto pengesa, shpalli publikisht zëvendësimin tuaj me bangladeshas, me senegalezë, që unë nuk kam asnjë sentiment ksenofobik ndaj tyre, por kuptoj detyrimin e Shqipërisë ndaj qytetarëve të saj për të zhvilluar këtë vend, për të bërë të mundur që ëndrrat e qytetarëve shqiptarë të realizohen në Shqipëri.
Nuk mundet kurrë të pranohet që shqiptarët të përzihen dhe të zëvendësohen me të tjerë. Kemi të bëjmë me një politikë përzënie të shqiptarëve, siç e keni konstatuar.
Ndaj dhe ky ishte problemi i parë që unë desha të paraqes para jush.
Ndërkohë, theksoj në këtë kontekst përsëri se për emigracionin, për shqiptarët jashtë vendit, paketa e emergjencës, vendosja e minimumit jetik 200 euro, rritja e pensioneve 20 përqind, vendosja e rrogës minimale 500 euro, vendosja e rrogës mesatare 1200 euro, që të gjitha këto janë njëkohësisht lehtësim i madh për shqiptarët, të cilët detyrohen të dërgojnë remitanca për familjet e tyre, që përdoren për kafshatën dhe ilaçet.
Në këtë mënyrë, këto kursime do mund të përdoren për investime, biznese të vogla dhe qëllime të tjera.
Ne i qëndrojmë plotësisht kësaj pakete.
Ne, krahas këtyre, do vendosim kartën e konsumatorit, e cila do rikthejë TVSH-në e ushqimeve bazë për të gjithë rrogëulëtit dhe pensionistët, si dhe qytetarëve me të ardhura minimumin jetik.
Do ulet ndjeshëm çmimi i energjisë, nga 85 lekë do zbresë në 70 lekë. Për bizneset, ulja do jetë drastike. Do ulet të paktën me 3 herë, nga 18-24 që është, do zbresë në 6.
Të gjitha këto janë stimuj realë dhe të vërtetë për të rikthyer Shqipërinë në një vend tërheqës për rikthimin e bijve dhe bijave të saj kudo që ndodhen”, u shpreh Berisha.