Audit, ku shkuan 57 miliardë euro?/ Berisha: Mbyllja e Fondacionit dhe shpallja e Xhorxh Soros “Non grata”!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët në Milano se, do të ketë audit të përgjithshëm ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve. Por edhe një ligj tjetër special. Ai tha se do të mbyllet fondacioni Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e Xhorxh Sorosit.

“Miq, programi ynë ka edhe një shtyllë tjetër, një premtim tjetër: pastrimin e shtëpisë. Shtëpia do pastrohet! E kam thënë edhe njëherë, po ua shpjegoj, dhe e them prap.

Im at ka qenë besimtar. Falej, i lutej Zotit dhe unë e respektoja shumë. Aty, nga vitet ’70, ai filloi të mos falej më. Nuk falej, dhe kishte hall se po më prish punë mua. I them: Bab’, unë dëshiroj të të shoh duke u falur, duke u lutur.

Jo, më thotë bir, nuk falem se në këtë mjedis të tillë, as Zoti vet nuk të dëgjon.

Më vonë lexova në libra të shenjtë, çfarë thonë. Librat e shenjtë shkruajnë: që Zoti të hyjë në shtëpinë tënde, pastrojë përpara shtëpinë. Po, shtëpinë e kanë në dorë hajdutërit më të mëdhenj të kohërave. Shtëpinë e ka në dorë, sot kryeministër është Toto Rino, kryeministri i Shqipërisë është një Eskobar, një Toto Rino.

Sot, prona, buxheti plaçkiten mbi 24 orë. Sot, kartelet e drogës janë vendimarrësit kryesorë. Atëherë, pastrimi i shtëpisë është shtyllë kryesore. Ju jap ju fjalën e nderit se, ligji do veprojë me forcën më të madhe.

Së pari, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Së dyti, audit i përgjithshëm. Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve. Por edhe një ligj tjetër special.

Mbyllja e fondacionit Xhorxh Soros në Shqipëri dhe shpallja non grata e Xhorxh Sorosit. Dhe do t’u lutem shumë t’ia thoni këtë çdo miku italian që njihni. Se e bëj këtë, edhe për shqiptarët, por për italianët. Sepse, për qytetarët italianë Xhorxh Soros është, që nga Roma e lashtë e gjer sot, hajduti më i madh i kursimeve të tyre.

Po, po. 20 miliardë ka vjedhur në një bixhoz. Do i nxjerrim të gjitha, ndaj dhe ligji anti-Soros do të jetë ligji i pastrimit të shtëpisë.

Miqtë e mi, Shqipëria madhështore duhet të jetë Shqipëria e ëndrrës më të bukur, dhe ëndrra më e bukur e kohës sot është Shqipëria e teknologjisë së lartë. Kohërat kanë patur vitet që kanë përcaktuar sisteme. Revolucioni industrial qendroi në themel të sistemit. Kombet që investuan në atë kohë në këtë revolucion dolën në krye të zhvillimit. Sot, është koha e teknologjisë së lartë.

Ata që do të investojnë do të dalin në krye. Shqipëria do të investojë, do të dalë në krye!

Ndaj dhe, ju jap fjalën ju se Shqipëria do shndërrohet në një epiqendër të fuqishme të teknologjive të larta në rajon dhe Europë. Shqipëria do të jetë vendi i digjitalizimit më të thellë, do jetë vendi i internetit 3, do jetë vendi i blockchain dhe kriptomonedhave, do jetë vendi i inteligjencës artificiale, do jetë vendi i datacenterave.

Cilido që mund të mendojë se janë pak si të largëta, ku unë kam deklaruar vite më parë se Shqipëria digjitale është ëndrra dhe projekti im, gazetarët, opozita më përqeshën, u tallën. Por ajo u bë realitet. Erdhi një kohë që Shqipëria përdorimin e internetit e kishte më të gjerë se disa vende të zhvilluar. Unë sot nuk pretendoj të ndjek se do bëhet Silicon Valley i SHBA-ve, apo Shangai i Kinës, por ka një vend që atëherë u frymëzova prej tij, që shkova u regjistrova. Pashë, u ktheva dhe realizova, dhe ky vend quhet Estoni.

Estonia e vogël qendron në krye edhe sot. Shqipëria e vogël do të dalë në krye brenda mandatit të parë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Paloka: Banesat në njësinë 11 janë lënë të palegalizuara me qëllim vetëm për planet mafioze të qeverisë

Deputeti i PD, Edi Paloka, në takimin që u zhvillua për planin e transportin dhe …