Lideri i opozitës, Sali Berisha shpalli një vizion ambicioz për ta bërë Shqipërinë një superfuqi energjetike në rajon. Gjatë konferencës për gazetarët, ai ka theksuar se ky projekt është plotësisht i realizueshëm dhe do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Berisha ka vënë në dukje rëndësinë e hidrocentraleve, duke garantuar komunitetet se ato do të kenë rol të drejtpërdrejtë në prodhimin e energjisë.
“Së pari, në qoftë se në mandatin 2005-2013, motoja jonë ka qenë Shqipëria superfuqi e vogël e energjisë së rinovueshme në rajon, tani motoja jonë do jetë Shqipëria, superfuqi energjetike rajonale. Dhe kjo është 100 përqind e realizueshme.
Vijmë te hidrocentralet. Asnjë përplasje me komunitetet gjatë periudhës sonë për hidrocentralet nuk ka pasur. Asnjë përplasje! Pse? Sepse kontratat janë shumë të qarta. Kontratat i japin përparësi komunitetit.
Ti nuk mund të shkosh aty si kuçedër t’ua shterrosh ujin atyre. Jo, ka ligje kombëtare dhe ndërkombëtare që nuk të lejojnë. Por ti lësh aty atë përqindje uji që atyre u mjafton.
Tjetër, kontratat parashikojnë që ti do shfrytëzosh këtë burim uji në stinët vjeshtë e vonë, dimër, pranverë. Mbyllet hidrocentrali në qershor. Dhe e ke të shkruar në kontratë këtë. Në qershor, uji shkon për të vaditur. Por kur nuk ka shtet, por ka xhep që paguajnë dhe bëjnë pastaj, krijojnë çdo lloj konflikti me komunitetet.
Nuk ka konflikte në 8 vite në pushtet, kemi pasur një konflikt me banorët e Selitës së Vogël dhe atë e kemi zgjidhur në mënyrë tregtare. I kam kërkuar ministrit të kohës, të ndjerit Sokol Olldashi, që t’ua plotësojë atë çfarë kërkon komuniteti.
Kështu që përveç kësaj, ka një fazë tjetër shumë interesante me hidrocentralet. I garantoj komunitetet se ata do autorizohen të ndërtojnë vetë hidrocentrale të vogla dhe të marrin energjinë falas nga ato hidrocentrale jashtë çdo lloj takse.
Kjo është ajo që thashë, ndërtimi i mikro-hidrocentraleve. Tani ka teknologjia, e fut turbinën në një vijë uji dhe prodhon energjinë e duhur dhe e merr për vete dhe nuk çrregullon as ambientin.
Shqipëria është plot me ujëra. E ka bërë Zvicra këtë para nesh, do autorizojmë mijëra mikro-hidrocentrale, jo për sektorin publik, por për komunitetet.
Aty ku komuniteti do të vendosë turbinën, do e vendosë dhe do marrë energjinë falas.
Tre, qeveria do ndërmarrë investimet më të fuqishme me bankat, por edhe me buxhet, në panelet diellore.
Sot, panelet fotovoltaike kanë rënë në çmime plotësisht të leverdishme. Atëherë çdo familje shqiptare që merr përsipër ta instalojë panelin diellor, do ia instalojë qeveria.
Natyrisht instalimi do ketë një kusht, që për 3 vitet e para, familja do paguajë qiranë që ka paguar për energjinë. Pas tre vitesh do e ketë gratis.
Pra, imagjinoni ju 800 mijë vila dhe banesa me panele fotovoltaike se çfarë fuqie dhe sa miliardë kilovatë orë energji prodhojnë ato në vit.
Ne, nga jugu në veri, do financojmë me përparësi absolute vendosjen e paneleve fotovoltaike.
Tjetër, do bëjmë gazifikimin ne. Gazifikimi është një hap në vetvete drejt zhvillimit.
Komunitetet e gazifikuara, qytetet e gazifikuara kanë një jetesë më të mirë në çdo aspekt.
Tjetër, ne kemi rreth 700 milionë metër kub gaz të drejtë në TAP për prodhim energjie. Do bëjmë gjithçka që të shfrytëzohet edhe metër kubi i fundit për prodhim energjie në Shqipëri.
Pra, në qoftë se ka një projekt që është vërtet 100 përqind i afërt dhe i realizueshëm, është Shqipëria superfuqi energjetike rajonale dhe përfitues absolut numër 1 do jenë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.