Censura ndaj TikTok/ Berisha thirrje të rinjve: Bojkotoni mësimin! Filloni grevën të hënën në orën e parë

Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për një protestë masive të rinjsh kundër censurës dhe mbylljes së TikTok-ut nga qeveria. Ai e ka cilësuar këtë si betejën e të rinjve për lirinë e shprehjes dhe kundër diktaturës.

“Së pari njëherë, protesta e nxënësve, studentëve dhe të rinjve para kryeministrisë me datën 15 do jetë protesta më e bukur, më madhështore që ka parë Shqipëria gjer sot.

Protesta kundër censurës, protesta me të cilën çdo fëmijë i çdo moshe, që ka smartfonin, përballet, del, bëhet luftëtar kundër diktaturës në mbrojtje të TikTokut dhe kundër censurës.

Unë u them këtyre të rinjve se aty ku fillon censura, fillon diktatura. Ndaj, dhe pavarësisht nga mosha e njomë, ju me aktin tuaj, pjesëmarrjen në protestë, bëheni luftëtarë kundër narkodiktaturës së Edi Ramës, i cili ka një trashëgimi të tmerrshme.

Babai i tij ka firmosur varjen në litar të Havzi Nelës me 10 gusht 1988 vetëm për vargjet që ai shkroi kundër babait të Edi Ramës dhe miqve të tij.

Edi Rama rikthehet tek instinktet e tij atërore sepse ju i keni bërë kritika apo e keni tallur për arrogancën e tij dhe ai tani kthehet dhe e mbyll. Por unë kam edhe një thirrje tjetër se e shoh që temperatura e kësaj revolte tek të rinjtë po ngjitet me shpejtësi.

Kam një thirrje tjetër, të fillojë bojkoti i mësimeve. Po, ia vlen.

Të dashur fëmijë, të dashur të rinj dhe të reja, ai që u vë censurën, ai shkelmon mbi të ardhmen tuaj.

Këtu problemi është se një njeri pa asnjë tagër, pa asnjë ligj, kërkon të varë në sheshin ‘Skënderbej’ TikTokun, pse e kritikoni ju, atëherë ju keni të drejtë të filloni grevat dhe greva juaj është të bojkotoni mësimet.

Që ditën e hënë për shembull orën e parë, do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë.

U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët e tyre në shkollë fëmijët të paktën orën e parë si një akt i betejës së fëmijëve tuaj për lirinë e shprehjes dhe kundër censurës.

Atëherë ua lë në dorën tuaj ta çojnë të martën, por doja ta fillonit të hënën me një bojkot të orës së parë. Dhe u garantoj që nuk do guxojë shkollë apo mësues të marrë masa ndaj jush se do përballet me pasojat më të rrepta ligjore. E drejta e grevës është e drejtë kushtetuese”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Ky është viti kur diaspora do përmbysë narkodiktaturën! Kandidaturat tona janë të denja për 3 parlamente

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vlerësoi maksimalisht angazhimin e diasporës shqiptare për të rrëzuar …