Sasia e parave që qarkullon jashtë bankave në vend arriti në më shumë se 422 miliardë lekë apo rreth 4.2 miliardë euro në janar. Në raport me të njëjtën periudhë një vit më parë, paraja “cash” u shtua me 34 miliardë lekë.
Kjo është një dështim i qeverisë në reduktimin e fenomenit të pastrimit të parave të pajustifikuara të korrupsionit apo aktivitetit kriminal.
Ekspertët ankohen se mes këtyre shumave ka para që vijnë nga aktivitete kriminale nga brenda apo jashtë vendit tonë, edhe pse për bizneset dhe individët do të thotë më shumë liri financiare apo reduktim i burokracive bankare.
Totali i parasë që qarkullon në ekonominë shqiptare llogaritet në 1.79 trilionë lekë, ndërsa paraja informale përbën gati 23 për qind. Në vendet e Bashkimit Evropian ky tregues raportohet se nuk e kalon nivelin 9 për qind.
Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se qarkullimi kaq i madh i parave jashtë bankave është shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros dhe valutave të tjera.
Kjo “traditë” e pagesave me para në dorë i hap shtigje informalitetit dhe e bën të vështirë luftën ndaj pastrimit të parave, edhe pse autoritetet thonë se po luftojnë fenomenin për të vënë nën kontroll fluksin e lëvizjes së parasë në Shqipëri.