Kryetari i PD, Sali Berisha ka marrë pjesë në prezantimin e Programit të Qeverisjes 2025-2029 për Kulturën, një program që synon përmirësimin dhe zhvillimin e sektorëve të kulturës dhe artit në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar rëndësinë e librit dhe ka kritikuar politikën e qeverisë aktuale për taksat e larta dhe rregullat e ashpra që kanë ndikuar negativisht në tregun e librit.
Berisha ka garantuar se do të bëhen përpjekje për të lehtësuar barrën fiskale mbi librin, duke mbështetur përhapjen dhe promovimin e tij si një pasuri kulturore kombëtare.
“Libri është një problem i madh. Librit, Edi Rama i vuri taksa absurde. Librit i preu me gërshërë tregun.
Hoqi ato pak rregulla që u vendosën për të zgjeruar tregun e librit.
Ato obligime që bibliotekat e shkollave dhe bibliotekat e tjera publike të detyroheshin të blinin librat.
Pra, faktikisht me taksat që vuri, rriti ndjeshëm çmimin e librave, në vend që t’i subvenciononte. I bëri ato vështirësisht të bleshme nga publiku.
Unë garantoj se do bëhet gjithçka për të lehtësuar barrrën fiskale të librit, për të zgjeruar tregun e tij, për të promovuar librin shqiptar, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në panairet botërore.
Së fundmi, dua të falënderoj artistët, studiuesit që kanë kontribuar në këtë program dhe t’i garantoj se ky program do të jetë shtyllë cilësie e programit të qeverisjes së PD.
Dhe ne me shpejtësi në rrafshin organizativ në çdo rrafsh tjetër, do të shënojmë një ndryshim rrënjësor në qëndrimin ndaj artit dhe kulturës kombëtare, në interesin më të mirë të të sotmes dhe të ardhmes tonë kombëtare”, tha Berisha.