Lamtumirë hije e moçme! Data jote është prerë: 11 maj!

Nga Balil GJINI

Ke qenë një zhgënjim i madh për të gjithë. I dehur nga parfumet e pushtetit, ti ke qenë në këtë tokë të varfër një lloj Neroni që tallej e zbavitej me gjithçka. I provove të gjitha. I bindur se virtyti mbërrihet nëpërmjet vesit, tashmë je kokrra e fikut e pjekur dhe e rreshkur që s’ka fat tjetër veçse të bjerë në tokë dhe ta shqyejnë me hare pizhivudat. Roli i fundit që ke dashur të luash në jetë ishte ai i aktorit. Por ajme, sepse skena ku u ngjite ishte ajo e cirkut. Me fytyrën e lyer e llangosur me boja (sa shumë boja ke derdhur në jetë, o i uruar!), ti more përsipër rolin e palaços që nxjerr nga mëngët e këmishës fabrika, aeroporte, ishuj…

Je një kërmill ligavec. Një kërmill ligavec që përpiqesh t’i vësh realitetit përsipër një guaskë për ta fshehur atë. Hera-herës këtë guaskë ti je orvatur ta paraqesësh si vetë shuplakën tënde që iu vihet përsipr gjërave për t’i mbrojtur. Medet! Se këtë mund ta bëjë veç Zoti. Dhe ti, me të qeshurën memistofeliane; thua: Zoti për ta jam unë. Po ku janë veprat?, pyesnin njerëzit. Dhe, ti, si një magjistar i sapodalë nga shishja, thërret tymrat e propagandës së TV-ve, dhe mes tyre shfaqen imazhet e tyre fantazma. Njerëzit duartrokasin. Po ne e dimë mirë: sapo mbyllet perdja ti i nxjerr gjuhën asaj turme që të duartroket.

Lamtumirë hije e moçme!

Tashmë je thjesht arrëza sterrile që po mbytet në shurupin e entuziazmit të vet, mbase e vetmja gjë e ëmbël në zeherin e përgjithshëm. I bezdisur nga njerëzit e mençur të këtij vendi – intelektualë, artistë, gazetarë – ti vendose marrëdhënie të drejtpërdrejta me turmat, edhe pse me siguri e di sa të rrezikshme janë ato. Në vendin tonë ka njerëz që e ngrysin ditën me tetëdhjetë euro në muaj, ti iu bëje karshillëk me lombarghinin e atij këngëtarit që kushton njëqind e tetëdhjetë milionë (sigurisht makina e para në këtë rast, sepse këngëtari vlen sa një rriqe në rraqe).

Je i gjithë një kasafortë katastrofike! Je kryeministri i një vendi fakir fukarenjsh; kësisoj do të duhej të kishe diçka nga përvuajtnia e Tolstoit, Gogolit, apo mjaft të tjerëve, që uleshin në gjunjë për t’iu larë këmbët të varfërve. Apo nga vetë shenjtorja jonë, Nënë Tereza. Po jo! Ti i përbuz të varfërit, sepse je pashai që këmbët ia lajnë të tjerët.

Lamtumirë hije e moçme!

Gjithçka që u prek nga ti u përlye dhe u përdhos. Vetë fjala rilindje. Po ashtu emrat e Konicës dhe Nolit, që mëtoje se i kishe mësues. Medet! E vetmja gjë që do të hyjë në panteonin e turpit është krekosja jote si të ishe një mal. S’ke si ta dish se mali është një humnerë me kryet e ngritur lart, ashtu si dhe një humnerë s’është veçse një mal me kokë poshtë. Po ne dime edhe tjetrën: kapardisje jote është paguar shtrenjtë dhe nesër mund ta shohim si një gungë mbi kurrizin e atdheut. Si gungë deveje. Sepse fjalët që përdor ti janë si devetë: kanë më shumë gunga në kurris se ato, me qëllim që të të rrëzojnë më shpejt. Në mos qofshin kështu, fjalët e tua janë si dhëmballët e veshura me këllëfë ari. Por vjen koha që ky këllëf bie dhe ato shfaqen ashtu siç janë: të krimbura, të nxirra.

Në fillim të mandatit the se fjala e qeverisë është puna, ashtu si puna e opozitës është fjala. Fjalë katedralore. E tani? Në dyshemenë e magazinave gjigande të fjalimeve të tua do të mbeten ca gollovezhga arrësh bosh, ca lëvozhga bizelesh që tunden në erë, sepse u kanë rënë kokrrat. S’kanë thelpinj, s’kanë përmbajtje. Kaq. Dhe ata që do të vijnë më vonë, kur të shikojnë gjithë atë kalupi me gollovezhga, do të thonë të çuditur. Ky që ka bërë kaq batërdi në fjalë ka qenë kryeministër, apo ketër me lëkurë arushe?

Lamtumirë hije e moçme!

Në fushatën elektorale more përsipër rolin butaforik të një Atlasi. Po mbaje vetë globin në shpinë dhe mjafton të lëvizje pak supin që ai të binte në greminë. Por, ajme, se globi yt ishte një glob gjeografie, i bërë me miell të skaduar, miell me të cilin ti ke gatuar gjithë çyrekët e propagandës: me Edin dhe partinë socialiste. Edhe Enveri nuk thoshte kështu! Jo! Me Partinë dhe Enverin, ishte sllogani i komunizmit. Eh! Këta janë çyrekët e një çyryku! Po si kështu?! Si u harruan fjalët gjithë vesk propagandistik: “ekip”, “grup”, “skuadër”, fjalë të huazuara nga leksiku sportiv, me mbathje dhe atlete sportive në këmbë? Aq në modë u bënë këto fjalë sa, një çoban që çonte qumështin në baxho, nuk përshëndeste më me fjalën “mirëmëngjesi!”, por “hajde ekipi, foli mushkës!”.

Sidoqoftë ç’u bë vallë ekipi, skuadra, grupi i vëllazërisë socialiste? Aty është, përreth teje. Të kemi parë si tund duart në ajër gjatë fushatave elektorale, sikur po dëbon miza? Janë ata! Ekipi, ministrat dhe deputetët e futur në burg, që të zukatin përreth si ato mizat e gjelbëra mbi jashtëqitje. Na shpëto, thonë, na shpëto! Por ti s’do njeri përveçse vetes. Ndoshta je vetë peshkaqeni që i ka gëlltitur ata në bark dhe ke dalë për t’i vjellë në breg. I shikon si shllapuriten, si tundin bishtin nga kënaqësia, të mbuluar nga jargët dhe admirimi për ty. Dhe ndihesh në orgazmë.

Lamtumirë hije e moçme!

Harta e Shqipërisë ka qenë për ty një lloj kanavace. E shtrije, e zgjatje, e mblidhje shuk, për të hedhur në të trillet e tua të çmendura. Për ta gjykuar një politikan, thotë Barthez, duhet të shikojmë distancën që ndan të thënit nga të bërit. Dhe kjo, për hir të së vërtetës, tek ty është humnerore. Je sjellur para turmave si engjëll, kur brenda shpirtit të vlojnë forcat e së keqes, të xhindit. Shfaqet e tua surrugato e kanë humbur freskinë, sepse ajo që i mban ato të tilla, gënjeshtra, është mall me afat të shkurtër skadence. Vetë ajo që ti imiton, shoqëria e spektaklit, është një mall i skadur në vitrinat e politikës të shoqërisë evropiane. Është thjesht një simulakër dhe kjo fjalë merr mjaft kuptim në shqip, po të ndahet në pjesët e saj përbërëse: simulakër = si m*t lakër.

Në këto estrada e vodevile para turmave, ti mban gjithmonë një shishe me ujë. Si xhind që je ke bërë shumë dëme, por edhe xhindet e kanë një sekret: t’iu dish formulën magjike dhe t’i mbyllësh në shishe. Thamë se me vete në ato estradat para turmave ti mban gjithmonë një shishe me ujë. Ka ardhur koha t’ia hapim vetë kapakun, të të ndjellim për t’u futur në të dhe të mos dalësh më kurrë. Kurrë! Data jote është prerë: 11 maj.

Lamtumirë hije e moçme!

About Redaksia

Check Also

Meta: Vendimi i GJKKO farsë me regji politike, të vërtetat do të dalin në Strasburg!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar me tone të ashpra pas vendimit …