Thirrja e një të riu

Arlind BAJAJ

Fushatës së gjatë për zgjedhjet parlamentare po i vjen fundi, e si pjesë e kësaj fushate do të doja të lija një mesazh për të gjithë votuesit. Jo thjesht një mesazh politik, por një mesazh sensibilizues, për të cilin do të dëshiroja që votuesit ta lexonin me qetësi një ditë para ditës së votimeve, në heshtjen parazgjedhore.

Dita e votimit është një ditë vendimtare për të ardhmen e vendit. Dita ku do të caktohet jo thjesht qeveria e re, por edhe mënyra e jetesës së qytetarëve në katër vitet e ardhshme.

Po çfarë ndryshimi kanë këto zgjedhje?

Gjendja e Shqipërisë nuk ka qenë për një kohë të gjatë kaq e mjerueshme sa ç’është sot. Shkatërrimi i ekonomisë, largimi i mbi 1 milion shqiptarëve, goditja e bizneseve të mesme dhe të vogla, shpërbërja e shtresës së mesme ekonomike, rritja e çmimeve të shportës, rrogat e ulëta, pensionet e ulëta e shumë të tjera janë faktorët që e kanë çuar Shqipërinë në këtë gjendje. E me pafytyrësinë më të madhe, ai që po instalon një sistem të ri diktatorial në vend, kërkon edhe një mandat tjetër. Pse?

A ka zgjidhje?

Partia Demokratike së bashku me aleancën e saj, ofron një program të qartë i cili nuk lë jashtë askënd. Që nga ulja e çmimit të ushqimeve deri te rritja e pensioneve, që nga ulja e taksave deri te rritja e rrogave, që nga ringritja e arsimit e deri te rimbursimi i TVSH, Partia Demokratike ofron një plan të qartë për 100 ditët e para të qeverisjes, e cila do ta ndihmojë popullin për një ringritje ekonomike.

A është ndryshimi i mundur?

Si pasojë e kësaj gjendje, të krahasueshme vetëm me periudhën e pushtimit osman në Shqipëri, e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë është largimi i Ramës. Për të ndërprerë epokën e tij të frikshme qeverisëse dhe për të sjell ndryshim dhe jetesë më të mirë për shqiptarët, në atdheun e tyre.

A është kjo e mundur?

Partia Demokratike është përballur me goditje të vazhdueshme nga qeveria. Duke filluar që nga pazaret me liderin fallco të opozitës deri në vitin 2021 e për të vazhduar te blerja e “Non-grata” për udhëheqësin e opozitës. Tentimi për të marrë partinë më të madhe opozitare dhe gjithashtu krijimi i partive të reja “opozitare”, e për ta mbyllur me blerjen e pothuajse të gjitha mediave kombëtare.

Edhe pse është përballur me goditje të shumta, Sali Berisha dhe e gjithë opozita ka arritur të ngrihet sërish në këmbë, për të qenë sërish përballë Edi Ramës, në krah të atdheut.

A mund të ketë rotacion në 2025?

Shumë njerëz, votues të mëparshëm të Partisë Demokratike, pyesin a është e mundur që të ketë një rotacion në këto zgjedhje. Për Partinë Demokratike kjo është beteja e fundit opozitare, e në këtë mënyrë, fitorja është i vetmi opsion. Por jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë Shqipërinë. Mendoni për një moment se çfarë mund të ndodh nëse në 11 maj, fitues do të jetë sërish Edi Rama. Personalisht mendoj se do të ketë kaos. Më shumë njerëz do të emigrojnë e akoma më shumë do të rriten çmimet. E në fund të mandatit të tij të katërt Shqipëria nuk do të jetë më një vend i përballueshëm.

Pavarësisht qeverisjes së keqe aktuale, a ja vlen të votohet Partia Demokratike dhe Sali Berisha?

Shumë njerëz nuk besojnë në fitoren e opozitës për shkak të Exit Poll-eve. Edhe Trump doli humbës në Exit Poll, por rezultati faktoi të kundërtën. Disa të tjerë nuk e shohin ende veten tek Partia Demokratike për shkak të plagëve të së shkuarës apo sulmeve të vazhdueshme që janë bërë ndaj saj. Por në këtë betejë, nuk votohet për një emër apo një individ, votohet për të ndalur rënien e Shqipërisë në humnerën ku po e çon qeverisja aktuale.

Skepticizmi është i kuptueshëm, por ai nuk duhet të kthehet në heshtje. Nëse votuesit e zhgënjyer heshtin, pushteti i korruptuar fiton. Nëse qëndrojnë në shtëpi, sistemi që po varfëron çdo ditë shqiptarët do të vazhdojë.

Në 11 maj, nuk do të votojmë thjesht për një parti. Do të votojmë për një të ardhme më të drejtë dhe shpresëdhënëse. Do të vendosim nëse do të jetojmë në një vend ku rinia ka arsye të qëndrojë, ku prindërit tanë marrin pensionin që meritojnë, dhe ku mund të punojmë pa frikë, pa presion, dhe pa padrejtësi.

Partia Demokratike nuk premton mrekulli, por punë, përkushtim dhe ndryshim të vërtetë. Me një ekip të përkushtuar, të përgatitur më së miri, me një program të qartë dhe vizion të ndershëm për Shqipërinë, PD është sot alternativa e vetme për t’i dhënë fund një regjimi të lodhur e të kalbur. Prandaj me armën tonë më të fortë, me votën tonë, të ndihmojmë Shqipërinë!

About Redaksia

Check Also

Kullat, hijet dhe misteret e financimit, rreziku ligjor që fshihet poshtë tyre dhe sfida e bankave

Eduart HALIMI Arlind AHMETAJ   Hijet e kapitalit në Kullat gjigande të Tiranës: Bankat në …