Nga Artan HOXHA
Regjimi hibrid i Edi Ramës – shumë më shumë autokratik se demokratik – fitoi përballjen elektorale të radhës. Rezultati u gatua nga ngjarjet e katër viteve të fundit (dhe jo vetëm) dhe u paratha me kohë nga disa sondazhe të bëra publike e të tjera private. Rezultati i 11 majit 2025 është epilogu i gjithçkaje zhvilluar mbi e nën rrogoz.
E dhëna e parë që vlen për t’u analizuar është numri i votuesve rezidentë më 11 maj 2025, rreth 1,46 milion, kundrejt votuesve rezidentë me 25 prill 2021 prej 1.66 milion, plot 200 mijë votues më pak apo rreth 12% më pak në 4 vite. Këtu kujtoj se me 2021, për shkak të pandemisë COVID-19, do kemi pasur një numër thuajse të papërfillshëm emigrantësh që kane kuturisur të kthehen në ditën e votimit për të votuar këtu, aq më shumë që qeveria e mbylli kufirin me Greqinë e me gjasa, më shumë emigrantë mund të kenë ardhur fizikisht e kanë votuar këtë vit në Shqipëri (me kaq shume fluturime low-costs një rruge e dy a më shumë pune) sesa katër vite më parë.
E dhëna e dyte është që në vitin 2025, me popullsi rezidenciale nën 2.4 milionë banorë (sipas censit 2023), kanë votuar mbi 80 mijë vetë (rezidentë) më shumë se në vitin 2005 kur popullsia rezidenciale ishte mbi 3 milionë banore (sipas censit 2001), e ato zgjedhje ishin me shumë peshë e shumë emocione dhe shkalla e pjesëmarrjes së rezidencialëve në zgjedhje ishte (dhe ka qenë gjithnjë) shumë e lartë. Ndaj, me shumë gjasa, në zgjedhjet 2025 mund të kemi arritur rekord Gines, ndoshta edhe më shume se 90% shkallë pjesëmarrjeje rezidenciale, fale një sistemi patronazhimi përmes kulaçit dhe/ose kërbaçit, me shtrirje kapilare në territor, si kombinim strukturash militanto-politike, militanto-administrative dhe militanto-kriminale, e që ka tërhequr a shtyrë në votim shumë vetë nga kategoria e abstenuesve të zakonshëm krahas nga kategoria e atyre me lidhje të dobëta me opozitën, hallexhinj e njerëz lehtësisht të thyeshëm gjithfarësoj, ndonëse të pakënaqur me regjimin. Kjo e dhënë tregon se numri i votuesve do ketë qenë shumë më shumë se 200 mijë.
E dhëna e tretë është devijanca sistematike e kampionëve të sondazheve lidhur me përqindjen e votuesve 2021 të opozitës, qoftë PD, qofte LSI a parti të tjera aleate, devijancë kjo në masën 10-12% më pak se rezultati zyrtar i vitit 2021 i opozitës së atëhershme apo ekuivalente me pakësimin me afro ¼-ën e përmasës apo votave të opozitës krahasimisht 2021, devijancë kjo e pashpjegueshme asfare me teorinë e gabimit rastësor.
E dhëna e katërt, që buron nga shumë studime, lidhet me gjerësinë dhe thellësinë e pabarazisë ekonomike ndërsa nga disa sondazhe rezultoi se pabarazia korrelon fortësisht me votën 2021. Kështu, sipas Eurobarometrit të Euronews të janarit 2024, votuesit e PS të 2021 raportonin në afro 60% se gjendja ekonomike e familjes së tyre është e mirë e shumë e mirë krahasuar me një vit më herët, ndërsa vetëm rreth 30% e votuesve opozitare apo neutralë raportonin të këtillë. Shpresa për përmirësimin e gjendjes përgjatë vitit në vijim ishte në raportin 70/20/30 përqind sipas tre kategorive të atyre votuesve. Diferencime të këtilla në raport me votën 2021 rezultojnë në vijimësi për shumë çështje duke krijuar kështu pamjen e një strukture pabarazie të thellë të gjendjes, sjelljes dhe perceptimit në korrelim me përkatësinë politike pra, pozicioni i ndryshëm politik shndërrohet në diferencim ekonomik e social, si shprehje dhe rezultat i diskriminimit (përkatësisht negativ/pozitiv) politik.
E dhëna e pestë është evidentimi në sondazhe i frikës për t’u intervistuar apo për të treguar votën, si një paralele e frikës në elektorat nga sistemi vëzhgues i patronazhimit kapilar që ndërsa të ofron kulaçin a të tund kërbaçin, ka krijuar psikozën se është i aftë të verifikojë nëse ke votuar për ta apo jo mbasi ke pranuar kulaçin apo i je tutur kërbaçit.
Lidhur me këto dy të fundit ka plot të dhëna, fakte e ngjarje të përditshme, të raportuara operativisht apo mediatikisht që e vërtetojnë edhe diskriminimin politiko-ekonomik, edhe frikën nga presioni i rrjeteve të patronazhimit, si “ushtria territoriale” që bën krehje në çdo gërxh e gëmushë në shërbim të regjimit.
Ndërkohë, i gjithë sulmi i vijueshëm kundër opozitës partiake, si nga shteti në shërbim të pushtetit rilindës dhe gjithë faktorët e aktorët vendas të lidhur me regjimin, në aleancë e koordinim me administratën neo-liberale amerikane Biden, mbështetur edhe nga indiferenca cinike dhe herë-herë proaktivizmi antiopozitar i neo-liberaleve europiane, e mbajti opozitën partiake, PD-në më së pari, por edhe PL-në, në konflikte të forta e të zvarritura duke dobësuar a vrarë kështu shpresën e popullit opozitar për një fitore mbi regjimin, ngjashëm me bombardimin me artileri dhe avionë të territorit dhe radhëve të “ushtrisë” politike opozitare.
Në këto rrethana gjatë katër viteve u krijuan dy rryma elektorale rezidenciale në dëm të opozitës e në favor të regjimit. Njëra rryme ishte ajo e emigrimit masiv dhe asimetrik, në raporte thellësisht të disfavorshme në krahun opozitar që e gërryen thellë e gjerë edhe bazën elektorale 2021 të opozitës, krahasimisht asaj të regjimit, e vit pas viti edhe bazën elektorale të votuesve të rinj. Rryma tjetër është ajo e nënshtrimit nga frika duke ia dhënë votën regjimit nën presionin e drejtpërdrejtë të patronazhimit territorial dhe humbjes së shpresës, ndërsa sheh “bombardimet” frontale, të forta e të disafishta mbi opozitën politike.
Lidhur me votuesit e diasporës, ndërsa mbi ta u veprua drejtpërdrejt apo indirekt përmes familjarëve të këtushëm me sistemin e patronazhimit, por edhe propagandës së fuqishme, duhet konsideruar më së pari se shumica dërrmuese e votuesve të diasporës janë me natyrë militante – e vetëkuptueshme për shkak të përmasës së këtij korpusi këtë here dhe rrethanave të mënyrës së regjistrimit për votim – ndërsa regjimi pati shumëfish mundësi e mjete t’i mobilizonte të vetët shumë më herët e shumë më fort se opozita, gjë që shpjegon më së miri edhe rezultatin edhe më të thellë të këtij korpusi krahasimisht votuesve rezidenciale.
Nëse shtojmë këtu edhe përdorimin masiv e të pacipë të fondeve, kompetencave dhe institucioneve të shtetit duke dhënë favore të minutës së fundit për kategori të gjera sociale apo grupe më specifike, konkluzion ky nga më kryesorët në raportin paraprak të OSBE/ODIHR, krahas propagandës së shfrenuar, rezultati elektoral 2025 bëhet i qartë për këdo që ka kokën mbi shpatulla dhe mendjen brenda kafkës.
Gjithsesi këtij rezultati, opozita e nis mandatin e ri opozitar në rrethanat cilësisht te ndryshme krahasimisht mandatit të kaluar. Opozita e ka arritur kompaktësimin e brendshëm dhe ka fituar përvojë të bashkëjetesës në diversitet. Marrëdhëniet me administratën amerikane nga armiqësore me administratën Biden janë tashmë mirëkuptuese e miqësore me administratën Trump e po kështu me komunitetin e Partive Popullore Europiane. Opozita me 11 maj, ka prekur fundin, fund i cili do kishte qenë shumë më i thellë e më i errët se kaq nëse nuk do të ishte bashkuar në vjeshtën 2023 e nuk do ndodhnin ndryshimet në Amerike dhe në Europë duke filluar nga nëntori 2024 – siç edhe parashikohej bazuar tek rezultatet e zgjedhjeve lokale 2023 nga ekspertët e OPEN DATA.
Regjimi është i fortë deri 5 minuta para se të rrëzohet. Ai nuk rrëzohet me votë përpara se të rrezohet moralisht dhe konjukturalisht. Pasi ndodh rrëzimi moral e konjuktural, votuesi çlirohet nga psikoza e frikës, i zgjohet shpresa dhe me votë e shpartallon regjimin. Shoqëria ka nevojë të fitojë besimin se regjimi mposhtet. Jemi në fillesat e krijimit të kësaj premise. Nëse vijon kështu siç ka nisur pak muaj më parë, ngjarjet do rrjedhin vetiu. Opozita politike duhet të bëhet gati sa më shpejt për t’iu përshtatur e paraprirë rrethanave të reja gjithnjë e më të favorshme. Por edhe cilido që e dëshiron mposhtjen e regjimit, sa ende nuk është konsoliduar, duhet të bëjë të gjitha përpjekjet që mund të bëjë vetë.
Veç a tok, më mirë tok.