Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediat nga Brukseli ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me zgjedhjet e 14 majit, duke theksuar se betejat e opozitës janë shumëplanëshe, përfshirë si në nivelin kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar.
Ai theksoi se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar është e domosdoshme për të verifikuar dhe vërtetuar denoncimet e opozitës mbi farsën elektorale.
“Zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare. Dhe detyrimisht, duke qenë palë në zgjedhje, ti pretendimet e tua duhet t’i verifikosh dhe vërtetosh me opinionet e miqve dhe aleatëve të tu. Por në rrafshin tjetër, çështjen e zgjidhin shqiptarët”, tha Berisha, duke theksuar se PD, në këtë rast, ka shtuar përpjekjet për të angazhuar diasporën dhe mbështetje nga qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Berisha i dha një vlerësim pozitiv vendimit të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, për të dërguar një mision faktmbledhës në Shqipëri për të verifikuar denoncimet për zgjedhjet e 14 majit.
Intervista
-Zoti Berisha, beteja e opozitës tani është të denoncojë farsën elektorale tek faktori ndërkombëtar apo ta vijojë betejën në Shqipëri?
-Berisha: Betejë shumëplanëshe. Pa diskutim edhe tek faktori ndërkombëtar.
Pse faktori ndërkombëtar?
Zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare. Dhe detyrimisht duke qenë palë në zgjedhje, ti pretendimet e tua duhet t’i verifikosh dhe vërtetosh me opinionet e miqve dhe aleatëve tu. Por, në rrafshin tjetër, çështjen e zgjidhin shqiptarët.
Unë e them, miqtë tanë, faktori ndërkombëtar, forcat demokratike e damkosin Edi Ramën si të tillë, por për të larguar Edi Ramën, e largojnë vetë qytetarët shqiptarë.
Në këtë betejë, kësaj radhe PD, krahas dimensionit ndërkombëtar, ka edhe dimensionin diasporë. Unë e pashë, një revoltë e jashtëzakonshme tek qytetarët shqiptarë, shtetas të Belgjikës, të cilëve vota iu është përvetësuar, vota iu është dhunuar nga regjimi i Tiranës.
-Si e shikoni ju paralajmërimin e zotit McAllister, i cili tha se edhe Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian do të dërgojë një mision faktmbledhës në Shqipëri, ashtu siç bëri dje me dije edhe PPE?
-Berisha: Unë e përshëndes këtë vendim të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si një mbështetje e madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci.
E konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve, njoftohen dy misione faktmbledhëse kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë, është një e sëmurë mbi të cilin ka një fokus të madh nga tempulli i demokracisë, nga Brukseli. Nga Parlamenti Europian.
Edhe një pyetje të fundit, në Komisionin e Jashtëm nuk munguan edhe përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët mbërritën në Bruksel, një gjë të cilën e kishit paralajmëruar ju. Si e shikoni ardhjen e tyre?
Ardhja e tyre ishte njëlloj sikur qeveria të niste dy spiunë. Por morën përgjigjen më të mirë, qoftë në Komisionin e Jashtëm, kështu edhe nga Asambleja Politike e PPE.