Nga Ilir PECNIKAJ
Mirësevini në projektin më të ri të transformimit historik: “Rikthimi i Spaçit”, ku ferri bëhet atraksion, dhe historia… paketë turistike
Burgu famëkeq i diktaturës, ku dikur mendoje ndryshe dhe dilje pa dhëmbë, tani do ristrukturohet nga vetë bijtë e atyre që firmosnin dënimet politike. Po pra, nuk ka më poetë në pranga, tani kemi arkitektë me projekt dhe djem juristësh që punojnë për fondacione të kujtesës. Dje të futnin brenda për një fjalë, sot të japin leksione për “lirinë e mendimit”… në 4K.
Sepse Spaçi nuk mund të rrijë më kështu, i vjetruar, me ato muret që ende mbajnë erën e dhimbjes. Duhet rilyer! Të mos duket sikur ka ndodhur diçka aty brenda. Jo më baltë, jo më kujtime – vetëm pllakata me grafika moderne që të thonë “këtu vuajti dikush që nuk ishte dakord”.
Dhe “qeraxhinjtë”, ata që dikur shteti i mbante me dhunë, sot janë thjesht një “aspekt” i historisë. Ata s’kanë më çfarë të thonë. Se sot pronarët janë kthyer: jo ata të tokës, por të pushtetit. Ata që dikur dërgonin, sot ristrukturojnë. Dhe e bëjnë me fonde, me krenari, madje edhe me certifikatë ISO për “kujdes etik”.
Mos u habisni nëse nesër gjeni ofertën:
“Kalo një natë në qeli – përjeto Spaçin si kurrë më parë!”
Dhe në fund merrni një diplomë: “Rezistent nderi – për 24 orë me guida dhe Wi-Fi falas”.