Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat deklaroi se nxjerrja e fletëve të votimit të plotësuara dhe të vulosura jashtë kutive të votimit është dëshmi absolute e fenomenit të quajtur “Treni Bullgar”.
Berisha theksoi se kjo praktikë shkel ligjet dhe përbën një krim të rëndë nga ana e komisionerëve. Sipas tij, në disa qendra janë krijuar grupe ilegale të Partisë Socialiste që kryenin shkëmbime fletësh votimi. Ai kërkoi hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi për ata që kanë shkelur ligjin.
“Tani, besoj se kjo gjë, një fletë e plotësuar, një fletë e vulosur, nxirret nga qendra e votimit pa u futur në kuti, është dëshmi absolute e Trenit Bullgar.
Që të faktosh tjetrën, duhet të kesh kamera jashtë lokalit të shohësh atë që e merr.
Po çfarë kemi të faktuar ne? Qendrat ilegale të PS rreth qendrave të votimit ku njerëzit shkonin dhe bënin shkëmbimet.
Por nxjerrja e një flete të plotësuar, të vulosur, nuk mund të ketë kurrë asnjë arsye tjetër përveç Trenit Bullgar.
Asnjë arsye tjetër!
Ka ligje për administrimin e asaj flete.
Ka shkelur çdo ligj ai komisioner që ka kryer krim të shëmtuar.
Pra, ai e di që është dokument ligjor fleta e votimit dhe ai nuk pyet, ai e merr, e fsheh, pastaj i vë dy vula, voton mbi të dhe gjen rastin ta nxjerrë nga dera, siç e shihni.
Kjo është gjëja më evidente”, tha Berisha.