CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Berisha mesazh lamtumire për ish-kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi

Kryetari i PD, Sali Berisha ka dhënë mesazh lamtumire për kryeministrin e parë në ekzil të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili u përcoll për në banesën e fundit këtë të enjte.

Në një mesazh lamtumire, Berisha shkruan se, Bujar Bukoshi ishte një personalitet i shquar, një atdhetar i flaktë, një shtetar i formuar, i përkushtuar dhe trim, një ndër themeluesit, në krah të presidentit Rugova, të institucioneve të shtetit paralel të shqiptarëve të Kosovës së pushtuar.

Bujar Bukoshi, si kontribues madhor në çështjen kombëtare, shkruan ndër të tjera kryedemokrati Berisha, ai luajti një rol kryesor në organizimin e pushtetit paralel të shqiptarëve të shtypur në Kosovë, pushtet që i shkëputi ata përfundimisht nga shteti i pushtuesve.

Mesazhi i lamtumirës

Lamtumirë Bujar Bukoshi

Sot, familjarët, qytetarët dhe autoritetet e Prishtinës përcollën me nderim dhe dhimbje, për në banesën e fundit, birin e shquar të Kosovës dhe të kombit shqiptar, Dr. Bujar Bukoshin, ish-kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës.

Dr. Bujar Bukoshi ishte një personalitet i shquar, një atdhetar i flaktë, një shtetar i formuar, i përkushtuar dhe trim, një ndër themeluesit, në krah të presidentit Rugova, të institucioneve të shtetit paralel të shqiptarëve të Kosovës së pushtuar. Ai u zgjodh si kryeministri i parë i qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës. Si bashkëpunëtori më i afërt dhe më i ngushtë i presidentit Rugova, Bujar Bukoshi dha një kontribut madhor në çështjen kombëtare. Krahas presidentit Rugova, ai luajti një rol kryesor në organizimin e pushtetit paralel të shqiptarëve të shtypur në Kosovë, pushtet që i shkëputi ata përfundimisht nga shteti i pushtuesve.

Bujar Bukoshi, një intelektual atdhetar dhe diplomat i aftë, e përfaqësoi Kosovën, qytetarët e saj dhe kauzën e tyre me dinjitet të veçantë në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe kancelaritë e vendeve të lira. Ai ngriti në mbarë botën Qendrat e Informacionit të Republikës së Kosovës, të cilat ishin ambasadat e informimit të komunitetit ndërkombëtar në kohë reale për të gjitha barbaritë, aparteidin, segregacionin dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Së bashku me presidentin Rugova, paraqitën dhe mbrojtën projektin e Kosovës së pavarur si zgjidhja e vetme dhe e drejtë për shqiptarët e Kosovës. Qeveria e drejtuar prej tij dhe Ministria e Mbrojtjes e kësaj qeverie mbështetën që në krye të herës fuqishëm krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nën udhëheqjen e presidentit Rugova dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të ish-kryeministrit Bukoshi dhe qeverisë së tij, erdhën në Shqipëri për stërvitje, përgatitje luftarake dhe armatim luftëtarët e lirisë, ndër ta edhe komandanti legjendar Adem Jashari, të cilët do të bëheshin themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria Bukoshi dhe Ministria e Mbrojtjes e kësaj qeverie organizuan gjatë luftës forcat e armatosura të qeverisë së Kosovës, të cilët luftuan me heroizëm krah njësive të UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi i egër serb.

Me Dr. Bujar Bukoshin unë pata fatin të bashkëpunoja ngushtë dhe për shumë vite.

Me këtë rast, unë i shpreh popullit të Kosovës, familjes, zonjës Bukoshi dhe fëmijëve të tyre, autoriteteve të vendit ngushëllimet më të ndjera të miat dhe të Partisë Demokratike.

I lehtë qoftë për ty, o mik i paharruar, dheu i tokës së lirë të Kosovës!

Lamtumirë Bujar Bukoshi!

About Redaksia

Check Also

E vërteta e restaurimeve në ish-burgun e Spaçit, Lubonja zbulon prapaskenat e Ministrisë

Publicisti dhe ish-i burgosuri politik, Fatos Lubonja, ka reaguar me tone të forta nga ish-burgu …