KQZ ose Komiteti Qëndror i… Zgjedhjeve

Nga Luçiano BOÇI

Në vend që të jetë institucioni që garanton ndershmërinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve, KQZ-ja është kthyer në vulosësin zyrtar të krimit elektoral në Shqipëri.

Ajo nuk është më Komision Qendror i Zgjedhjeve, por Komitet Qendror Partie i zhbërjes së demokracisë.

Sepse kur në një vend, votat blihen me para të pista dhe kanabis, administrata përdoret si makineri votimi e partisë në pushtet, Kryeministri blen vota me para publike dhe VKM, fletët e votimit shfaqen në kuti të padeklaruara dhe pa vula, kur treni bullgar çan rrugën e komisionerët fusin duar e turinj në kuti dhe të gjitha këto ndodhin para syve të një institucioni që nuk flet, nuk pyet, nuk vepron, atëherë kemi përballë një bashkëpunëtor institucional në krimin elektoral.

Jo një menazhues të pavarur sepse kjo KQZ nuk e ruan më votën. E tradhton atë.

Mgjs për këto zgjedhje denoncimet ishin masive, filmimet të shumta, shkeljet flagrante, KQZ dhe KAS-i i saj nuk bënë asgjë.

U mjaftua të bëjë sikur po numëron, të firmosë, të heshtë.

Njësoj si një mjek që firmos vdekjen e një pacienti që mund të shpëtohej, por që nuk e pa kurrë.

Ajo që e bën më të rëndë situatën është fakti se KQZ nuk është viktimë e këtij sistemi. Ajo është pjesë e tij. Kryekomisioneri dhe kupola e institucionit bëjnë lojën e pushtetit, japin vendime me dy standarde, sabotojnë transparencën dhe bëjnë përpjekje për të fshehur, jo për të zbardhur manipulimin.

A është kjo ajo që parashikon Kushtetuta për një proces të lirë dhe të ndershëm?

Jo.

Kjo është një skemë e rafinuar e “zëvendësimit të kutisë së votimit me kutinë e urdhrit politik.”

KQZ-ja, me çdo vendim të saj të anshëm dhe me çdo akt të heshtur ndaj manipulimeve, po shkatërron besimin e qytetarëve tek vota.

Dhe një shoqëri që nuk beson më në votën e lirë, nuk është më demokraci – është një shfaqje autoritare me dekor pluralist.

KQZ-ja e sotme nuk i përket më qytetarit. I shërben pushtetit.

Dhe çdo ditë që kalon pa ndëshkim, pa hetim, pa zbardhje të manipulimeve, është një ditë që vulos kapitullimin e ligjshmërisë dhe triumfin e paturpësisë.

Nëse kjo është “zgjedhje” mbi zgjedhjet, atëherë më mirë ta quajmë siç është:

Një masakër zgjedhore me firmë shtetërore, me vulë të KQZ-së (Komitetit Qendror) dhe me heshtje mediatike e drejtësie të frikësuar apo të shitur.

About Redaksia

Check Also

Ramaduro apo Rama duro?

Nga Ylli DYLGJERI Mendoj se pas shkrimit të Neshos në Fox News, Rama duhet të …