Shqiptarët me besim të pakufishëm se Amerika do të jetë miku ynë i përjetshëm!

Nga Ndriçim KULLA

Nuk është e vështirë të provosh me shumë fakte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të veçanta, janë siç thuhet për marrëdhëniet amerikano-britanike, special relationship. E vështirë, kur shkruan një artikull serioz për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane bëhet kur  përpiqesh të të zbulosh çelësin që shpjegon veçantinë e pamohueshme të këtyre marrëdhënieve, në sfond historik. Jo duke bërë retorikë politike që është aq shumë inflacioniste në Shqipëri. Në qoftë se vërtetohet lehtë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të një karakteri të veçantë, nuk është aspak e lehtë të tregosh në të gjithë përmasat e tyre themelet e këtyre marrëdhënieve, ato themele të cilat kanë bërë që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane t’ iu rezistojnë sfidave të kohës, madje edhe tërmeteve, sic mund të quhet qëndrimi armiqësor i regjimit komunist shqiptar ndaj SHBA.

Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen që para krijimit të shtetit shqiptar, si dhe që para se SHBA të niste të merrej aktivisht me çështjet europiane. Kombet e mëdhenj dhe të vegjël, shtetet e mëdhenj dhe të vegjël, ashtu si njerëzit, i ofrojnë miqësi njëri-tjetrit me anë të gjesteve miqësore. Zakonisht janë vendet dhe kombet e vegjël ata që, për arsye që merren lehtë me mend, duan që të kenë marrëdhënie speciale miqësore dhe aleancë me një vend të madh, aq më tepër me vendin më të fuqishëm të kohës dhe bëjnë gjestet përkatëse për të arritur këtë. Dhe kur iu realizohet një dëshirë e tillë këta vende dhe kombe të vegjël e quajnë një fatbardhësi të madhe për ta.

Shumë rrallë ndodh që të jetë vendi dhe kombi më i fuqishëm dhe i prosperuar i kohës, ai i cili t’ i ofrojë miqësinë, aleancën dhe të gjithë potencialin e tij një vendi dhe një kombi të vogël, siç është rasti i SHBA me Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi, që para se ky shtet të krijohej dhe që në çastet e para të jetës së tij. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ka shumë e shumë ngjarje, nga ana amerikane, që nuk shpjegohen dot nga këndvështrimi i marrëdhënieve mes vendeve të mëdha e të vogla, madje edhe në rastet më bujare të tyre.

Edhe politika shtetërore amerikane ka bërë lëvizje të tilla për Shqipërinë që nuk janë të zakonshme për politikën e këtij vendi para vitit 1917

Ajo që ka bërë SHBA për Kosovën më 1999 është e njohur botërisht. Por ç’ mund të thuhet për faktin që 80 vjet më parë se SHBA të çlironte Kosovën, në vitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, SHBA kishte si partner Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, që vepronte në Shqipëri, për të shpërndarë ndihmat humanitare amerikane te refugjatët shqiptarë të Kosovës të ardhur në Shqipëri?

Shqipëria i ka dhënë botës Nënë Terezën, misionaren bamirëse dhe humanisten e madhe, por Amerika i ka dhënë Shqipërisë misionarin bamirës më të madh që ka shkelur në Shqipëri, Harry T. Fultz për të cilin nuk ke nevojë të flasësh shumë se është i mirënjohur për çdo shqiptar.

Dy ambasadorë amerikanë të cilët kanë qenë me detyrë në Shqipëri në vitet tridhjetë, do të shkruanin libra për Shqipërinë, duke u bërë SHBA, më pak se tre dekada pas krijimit të shtetit shqiptar, i vetmi vend tre ambasadorë të të cilit kishin shkruar libra për një vend të vogël si Shqipëria. Një tjetër ambasador amerikan që ka qenë në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, Post Wheeler, u apasionua aq shumë me Shqipërinë sa mblodhi dhe përktheu në anglisht përralla shqiptare me të cilat botoi në Amerikë edhe një libër.

Mendje të mëdha të kombit tonë, që patën rastin ta njohin mirë Amerikën, si Noli dhe Konica, krijuan një besim të pakufishëm te ky vend i madh se do të ishte miku i përjetshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faik Konica, në një fjalim të mbajtur në Jamestown, në 1923, dhe të botuar në gazetën “Shqiptari i Amerikës”, në kohën kur SHBA ishte tërhequr nga problemet e Europës, bëri një parashikim që u vërtetua shtatë dekada më vonë:

Dhe sikur të vijë prapë një kohë që Amerika të ketë të thotë fjalën e saj për rregullimin e punëve evropiane, dhe mund po të dojë dhe ndonjë ditë mbase do të dojë, besoj që për të siguruar një paqë të qëndrueshme në Evropë të Lindjes dhe në tërë botën, nuk mund të gjendet gjë më e mirë, se duke bindur kombet e Ballkanit të bëhen të moderuar të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të heqin dorë nga gjithë zënkat pa rëndësi, dhe të bashkojnë forcat e tyre që të zhvillohen me paqe dhe me rregull.

Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë mirënjohje të thellë nga SHBA edhe për shërbimet më të vogla që iu kemi bërë, sipas mundësive tona, si pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, dhe amerikanët na kanë marrë në krahë për të shprehur mirënjohjen, si të thuash.

Kjo prirje e Amerikës për marrëdhënie speciale me një vend të vogël si Shqipëria dhe një komb të vogël si shqiptarët, ka bërë që te shqiptarët të lindë një ndjenjë pro-amerikanizmi shumë e thellë. Këtë ndjenjë e luftoi regjimi komunist i Enver Hoxhës por nuk e zhduku dot, madje në mënyrë paradoksale mund të thuhet se e forcoi kundër dëshirës së tij. Enver Hoxha e nxiti për një gjysmë shekulli antiamerikanizmin në Shqipëri dhe kur erdhi dita të verifikohet se sa vend kishte zënë te shqiptarët, dhe kjo u verifikua në ditën e vizitës së Sekretarit Baker në Shqipëri, në qershor 1991, që u shndërrua në një referendum mbarëpopullor për qëndrimin e shqiptarëve ndaj Amerikës. Dhe gjithë bota e pa se shqiptarët, të cilët dolën në mënyrë masive në rrugë dhe në sheshe për të përshëndetur Sekretarin Baker, duke tundur mijëra flamuj amerikanë, “votuan” në këtë “referendum” duke shprehur pro-amerikanizmin e tyre të rrënjosur tanimë në breza.

Shqiptarët e sfiduan antiamerikanizmin e Enver Hoxhës duke dëgjuar çdo ditë “Zërin e Amerikës”. Fakti që “Zëri i Amerikës” vazhdoi të transmetonte gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë në gjuhën e një vendi të vogël si Shqipëria, është tregues i bindjes së thellë që Amerika kishte se shqiptarët e izoluar do të mbeteshin pro-amerikanë, gjë që u vërtetua plotësisht kur Sekretari i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën në qershor 1991.

About Redaksia

Check Also

“Rama në samitin e kokainës”!

Nga Basir ÇOLLAKU Edi Rama në Samitin e Kokainës në vitin 2019?! Zaret janë hedhur Luftë …