Një shtet në pushime, një popull në hall

Nga Alba KEPI

Çdo vit, në kulmin e sezonit turistik Rama nis me rrëfimet social, histori të ricikluara: një gjerman që bleu shtëpi në Dhërmi, një italian që hapi restorant në Vlorë, një franceze që jeton në Theth. Këto raste, ndonëse individualisht të vërteta, përdoren si vegla të propagandës për të ndërtuar një realitet fiktiv.

Këta “të huaj të dashuruar me Shqipërinë” portretizohen si dëshmi se vendi është një parajsë që perëndimorët mezi e presin ta përqafojnë. Ndërkohë që dhjetëra mijëra shqiptarë ikin nga atdheu çdo vit, këto histori përdoren për të krijuar iluzionin se Shqipëria është vendi ku njerëzit dëshirojnë të jetojnë – një kontrast i dhimbshëm dhe cinik.

Ndërsa në Sarandë ndriçojnë resortet, në fshatrat e Dropullit s’ka mjekë. Ndërsa hotelet e jugut publikojnë pamje të luksit në Instagram, në fshatrat e veriut nxënësit ende ecin kilometra për të arritur në shkollë. Në Tiranë bëhen koncerte verore me fonde publike, por në Sharrë mali me plehra po përmbyt qytetin.

Kontrasti është brutal: një Shqipëri për turistët dhe një tjetër për qytetarët.
E para është fasadë për tituj revistash te sponsorizuars, e dyta është realiteti që qeveria e fsheh.

Turizmi është një mundësi, por jo një zgjidhje. Nuk mund të zëvendësojë një ekonomi të qëndrueshme, një sistem arsimor funksional apo një shtet social që kujdeset për më të dobëtit. Për sa kohë përdoret vetëm për propagandë, turizmi shërben thjesht si një mjet për të maskuar dështimin e politikave ekonomike dhe sociale.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për foto e video me drone, as për lajme për norvegjezë që blejnë shtëpi në Dhërmi. Ata kanë nevojë për një shtet që kujdeset për ta, jo vetëm për imazhin e vet.

“Shqipëria është një sekret i bukur që bota po e zbulon.” Kjo frazë përsëritet çdo verë në spotet zyrtare, statuset e kryeministrit dhe intervistat në mediat ndërkombëtare që shpesh janë të sponsorizuara. Por në këtë “sekret të bukur”, ka një realitet që nuk del në blicet qeveritare; varfëri, mungesë shërbimesh, emigrim masiv dhe një popull që ndjehet gjithnjë e më i harruar.

Nga 1 qershori e deri më 15 shtator, Shqipëria zyrtare vesh kostumin e verës: propagandohet “viti më i mirë për turizmin”, dhe çdo statistikë inflatohet për të dhënë përshtypjen e një bum-i ekonomik.

About Redaksia

Check Also

Edi Rama si pronari i idiotëve

Nga Tomorr ALIZOTI E gjithë fuqia e tij vjen nga vjedhja e zgjedhjeve. Shumë analistë politikë …