Nga Petrit VASILI
S’ka nevojë për shumë mend për të kuptuar se e gjithë bujërdia verore e Ramës është një përpëlitje e dëshpëruar për devijim vëmendjeje.
Si askurrë më parë për zgjedhjet në Shqipëri, Europa dhe faktori ndërkombëtar politik më relevant nuk kanë reaguar kaq shpejt dhe kaq fort.
🚩 Për Brukselin, zgjedhjet në Shqipëri ishin të pabarabarta dhe qeveria përdori pushtetin, paratë e taksave, administratën, krimin, shitblerjen e votës dhe manipulimin për të rrëmbyer zgjedhjet.
🚩 Këto tha edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në Strasburg.
🚩 Këto tha edhe misioni vëzhgues i zgjedhjeve i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.
🚩 Po këto tha edhe misioni vëzhgues i zgjedhjeve të 11 majit i Parlamentit Europian.
🚩 Këto thanë edhe dhjetëra parti politike që qeverisin në Europë e në botë me rezoluta zyrtare.
Edi Rama, i mësuar me blerjen e faktorit ndërkombëtar, është gjendur pa plan B në këtë situatë kaq kritike dhe diskredituese për të.
Për vite me radhë, faktori ndërkombëtar i paguar mirë nga Rama kishte mbyllur sytë përpara vjedhjes së zgjedhjeve dhe instalimit të narkoshtetit në Shqipëri.
Ndaj, përballë këtyre këmbanave që gjëmojnë kaq fort, Rama në dëshpërim po shpik zilka dhe tenxhere si ato që lidhen qenve pas bishtit për të bërë sa më shumë zhurmë me qëllimin e vetëm për të mos u dëgjuar këmbanat.
Ndaj shpiku Thethin dhe “shkatërrimet” atje, apo “superbetejën” me karriget e lokaleve në trotuare anembanë vendit, apo më qesharakja akoma: atë me përzënien e dhjetëra drejtorëve nëpër bashki, që as i kishte njeri në llogari dhe as që i pyeste kush.
Të gjithë e dinë që karagjozi politik që lejoi ndërtimet pa leje dhe i shfrytëzoi për vota, që lejoi trotuaret të mbushen me karrige dhe që emëroi drejtorët patronazhistë ishte vetëm e vetëm ai, Edi Rama.
Edhe më qesharake akoma është ushtria mediatike patronazhistë rilindase, që ka zaptuar banakët e TV dhe gjoja bën sikur shpjegon e debaton për këto hajvanllëqe të lodhura të një kryeministri të diskredituar përpara gjithë botës si hajdut zgjedhjesh, shkatërrues i shtetit dhe mbështetës i korruptuar i narkomafies.
Është e qartë edhe për më indiferentin se këmbanat e Brukselit nuk sfumohen dot nga zilet dhe tenxheret e lodhura të Ramës me Thethin dhe drejtorët e shkarkuar derdimena patronazhistë.
Letrat janë hapur, fajtori njihet dhe dëmi i narkoqeverisjes së Ramës i ka kaluar kufijtë dhe është bërë shqetësim i madh ndërkombëtar.
Llogaritë janë hapur për keq për Edi Ramën dhe eurot, që blinin ndërkombëtarët, nuk po funksionojnë më dhe ai është më në fund lakuriq përpara Europës, ku dridhej e spërdridhej pak kohë më parë si një kloun i depersonalizuar e servil në versionin më të pështirë.
11 majit i është vënë vula nga Europa dhe bota si zgjedhje të papranueshme, të kriminalizuara dhe si standardi më mizerabël i manipulimit dhe shitblerjes së votave të para ndonjëherë nga një vend kandidat për në BE.
Këtyre këmbanave të Brukselit, asnjë zile apo teatër veror i Ramës me poture sokakeve të Vlorës, Fierit e Durrësit nuk u bën dot derman.
Duhet zgjidhje politike sa më e shpejtë dhe sa më e thellë për të shpëtuar Shqipërinë, që është shndërruar e gjitha si një narkondërtim i kalbur pa leje në mes të demokracisë së Europës, që pritet të shembet nga çasti në çast.