CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 82

Fisnik Qosja: Josif Budo është heroi i heshtur i demokracisë! Edhe sot pas 35 vitesh ëndrrat e tij janë ende në kërkim të përmbushjes!

Kryetari i bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja nderoi kujtimin e Josif Budos si heroi i heshtur i demokracisë shqiptare dhe simbol i guximit të qytetarëve të Kavajës, vendi ku nisi ndryshimi kundër regjimit komunist. Ai theksoi se sakrifica e Josifit, i cili u vra në moshën 22-vjeçare, ndezi shpresën dhe revoltën për liri dhe demokraci në Shqipëri.

Qosja kujtoi dhimbjen e familjes dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për këtë dëshmor, duke nënvizuar se ëndrrat për një Shqipëri me dinjitet dhe drejtësi janë ende të pazbatuara plotësisht. Ai përfundoi me thirrjen që kujtimi i Josif Budos të ruhet për brezat e ardhshëm si simbol i sakrificës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë.

FJALA E PLOTË

Të nderuar qytetarë të Kavajës,

Të nderuar familjarë të dëshmorit Josif Budo,

I nderuar Ambasador Ëerner Daum,

I nderuar zoti Berisha, miq, deputet, përfaqësues të institucioneve.

Në emër të qytetarëve të Kavajës ju falenderoj të gjithëve me zemër që na jeni bashkuar kaq të shumtë për të nderuar një emër shumë të shtrenjtë për qytetin tonë dhe patjetër për të gjithë Shqipërinë – Dëshmorin e Parë të Demokracisë – Josif Budo.

Kavaja miq, nuk ishte dhe nuk është thjesht një vend ku nisi një ndryshim – ishte dhe është zemra e tij. Ishin qytetarët e këtij qyteti ata që dolën në rrugë përballë frikës, që sfiduan dhunën e një regjimi të kalbur dhe që nuk e kthyen më kurrë kokën pas.

Në 25 dhe 26 mars të vitit 1990, kur në Shqipëri jetohej nën frikë dhe terror, Kavaja ishte qyteti i parë dhe i vetëm që çoi krye. Në stadiumin e këtij qyteti shpërtheu shpresa e madhe për ndryshim. Qytetarë të zakonshëm, prindër, të rinj, u ngritën kundër padrejtësisë. Jo për vete, por për fëmijët e tyre, për të ardhmen, për të drejtat themelore që u ishin mohuar. Ishte rënia e frikës, dhe lindja e guximit pas 45 vitesh terrori.

Pastaj erdhi 2 korriku, kur dyert e ambasadës gjermane në Tiranë u mbushën me shqiptarë që nuk mund të duronin më. Një goditje e fuqishme ndaj izolimit total 45 vjeçar të Shqipërisë.  Sot kemi këtu protagonistin e asaj ngjarje, njeriun që i strehoi dhe i mbrojti deri ne fund 3199 shqiptarët brenda selisë diplomatike gjermane, ambasadorin Ëerner Daum, mikun e përjetshëm të shqiptarëve i cili ishte dëshmitar i të gjitha ngjarjeve në Kavajë.

Mirënjohje të thellë ambasador që pranuat ftesën. Nuk kishte mënyrë më të mirë për të nderuar këtë ditë të madhe për qytetin tonë.

Pas ngjarjes së ambasadave, vala e protestave të qytetarëve të Kavajës regjistroi në datë 10 korrik, vrasjen e Josif Budos. Të nesërmen, në 11 korrik funerali i Josif Budos u shndërrua në një manifestim të heshtur kundër regjimit. I gjithë qyteti, pa përjashtim, shkoi pas arkivolit të të ndjerit.

Një ngjarje që tronditi në themel sistemin. Kavaja e kishte nisur vetëm dhe vazhduar vetëm, për shtatë-tetë muaj më radhë kryengritjen e saj, për habinë dhe adhurimin e të gjithë njerëzve që do të duan të mësojnë e nderojnë historinë e demokracisë se re shqiptare.

Ka një dhimbje të thellë, por edhe një krenari të heshtur, në këtë moment. Sepse nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë plotësisht çfarë do të thotë të japësh jetën për një ëndërr që nuk ishte ende realitet.

Të rrezikosh gjithçka: familjen, shokët, fatin tënd, për një të mirë më të madhe.

Dua  të ndalemi edhe një çast tek ky fakt.

Sepse pas çdo heroi ka një nënë që pret të kthehet i biri në darkë. Ka një baba që rrëmon sytë te rruga. Ka motra e vëllezër që presin një zë në derë që nuk vjen më. Ka miq, ka shokë që presin të ecin bashkë.

Familja e Josif Budos dhe miqtë e tij, nuk humbën vetëm një djalë apo një shok— humbën  të ardhmen e tyre.

Asgjë nuk mund të ngushëllonte Nonë Silën dhe Xha Kiçon për humbjen e djalit të tyre. Por ato jetuan me shpresën se sakrifica e tij nuk do të harrohej kurrë.

Dhe ashtu do të ndodhë. Kavaja dhe Shqipëria nuk do të harrojë kurrë Josif Budon…

Kavaja sot merr frymë lirshëm pasi plotëson altarin e vet historik këtu në sheshin e demokracisë dhe bijve të saj më të ndritur, duke vendosur shtatoren e re të tij, më të denjë, më madhështore.

Për të nderuar përgjithmonë sakrificën e një djali 22 vjecar, hapat e rinisë të së cilit ndaluan 35 vite më parë në emër të vlerave më të larta të njeriut, si dhe mbi të gjitha për të kujtuar edhe një herë se të vdekurit nuk gënjejnë, ata janë dëshmia e gjallë Shqipërisë komuniste.

E asaj Shqipërie që dënoi me vdekje besimin në zot, që shtypte ndërgjegjet nëpërmjet terrorit, që shtypte dinjitetin nëpërmjet shtrëngimit me bukën e gojës, skamjes, mizerjes, persekutimit të të afërmve, vrasjes së bijve të vet më të mirë.

Josif Budo do të ndalonte përjetësisht në rrugën për liri. Në atë ditë të nxehtë korriku, ai ra, por në rënien e tij lindi një epokë. Shqipëria humbi një bir, por fitoi një simbol. Një flamur të gjallë për çdo betejë që do të vinte më pas për demokraci, për drejtësi, për dinjitet njerëzor.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Sot, 35 vite më vonë, jemi ende në rrugë. Shqipëria ka ndryshuar, por ëndrrat që Josifi mbante në zemër janë ende në kërkim të përmbushjes së tyre.

Liria që ai ëndërroi nuk është vetëm e drejta për të folur — është e drejta për të jetuar me dinjitet. Demokracia që ai besoi nuk është vetëm një sistem — është një përditshmëri ku qytetari ka zë, ka mundësi, ka shpresë.

Dhe po, ndonjëherë ne e kemi harruar atë shpresë. Ndonjëherë kemi gabuar. Kemi lejuar që fjalët të zëvendësojnë veprat, dhe retorika të mbulojë të vërtetën.

Historia është para — dhe varet nga ne si do ta shkruajmë kapitullin tjetër.

Kavaja mbetet një autoritet moral i vendit, shtëpia e njerëzve të lirë që i shërbejnë të mirës dhe të drejtës! Njerëzve që i shërbejnë që në gjenezë ëndrrës së një Shqipërie të begatë, me qytetarë me dinjitet të garantuar, me siguri, me familje të qeta, me të drejtën e shenjtë për të shijuar Shqipërinë dhe bukuritë përrallore që zoti i ka falur tokës tonë!

Josif Budo është shprehje e kësaj ëndrre ende të ndarë në mes por për të cilën ja vlen të japësh dhe jetën, gjithmonë dhe kurdo.

Inaugurojmë këtë shtatore sot me bindjen e thellë, që kur të kalojmë këtu përpara, të mos harrojmë kurrë ata që u ndalën për ne dhe dhanë jetën duke ëndërruar për një Shqipëri më të mirë.

Për të mos harruar Josif BUDO-n, heroin e heshtur të demokracisë shqiptare.

Lavdi përjetë dëshmorit të demokracisë!

Lavdi qytetarëve të Kavajës!

About Redaksia

Check Also

Sa kushtoi fluturimi i fundit i kryeministrit drejt Hagës? Pse qeveria nuk pulikon shpenzimet për udhëtimet e Edi Ramës?

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli: Kryeministri shqiptar Edi Rama ka udhëtuar …