INTERVISTË ME SHKRIMTAREN SHUMËDIMENSIONALE VILHELME VRANA HAXHIRAJ (VI)
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Në këtë pjesë përmbyllëse të intervistës sonë me shkrimtaren e njohur Vilhelme Vrana Haxhiraj, ndalemi te disa prej aspekteve më thelbësore që kanë shënuar rrugëtimin e saj letrar dhe publicistik. Përmes përgjigjeve të saj, ajo na fton të kuptojmë emocionet e përkthimit të fjalës së saj përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë, të ndiejmë domethënien e vlerësimeve dhe titujve që ka marrë, si dhe të ndjekim momentet më të rëndësishme që kanë përcaktuar këtë karrierë të gjatë e të pasur. Shkrimtarja Haxhiraj, një prej zërave më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, ndan me ne reflektime mbi marrëdhënien e saj me median, mbi autorët që e kanë frymëzuar ndër vite dhe mbi njerëzit që kanë qenë krah saj në këtë udhëtim krijues.
GM: Fakti që veprat tuaja janë përkthyer në disa gjuhë të huaja tregon një vlerësim ndërkombëtar të krijimtarisë suaj. Si ndiheni kur mendoni se mesazhet dhe emocionet që keni përcjellë arrijnë zemra lexuesish në gjuhë dhe kultura të ndryshme?
VVH: Eh, sikur të ishte e vërtetë. Atëherë do të vdisja e qetë.
I nderuar, ata shkrimtarë shqiptarë që janë përkthyer, vlerësuar dhe vazhdojnë të përzgjidhen nga kritika politike vendase dhe ajo botërore, vijnë nga ato familje që u bënë spiune të të huajve,italianë, gjermanë, jugosllavë, rusë,kinezë dhe llafografët që i bëjnë hosana shovinizmit greko-sllavë. Janë pikërisht ata që u bënë urë e vigë e komunizmit dhe idealit marksist- leninist, duke shitur djali babanë,vëllai shiti vëllanë dhe motrën, gruja spiub noi burrin. Ata janë të paskrupulltit, servilët, puthadorët, pluhur shkundësit e palltove të idhujve delirantë, të pakarakterët, që e shesin moralin lirë, vetëm për t’u përkthyer në tribunat letrare evropiane dhe botërore. Ata janë disa emra të përveçëm të Realizmit Socialist, të piketuar që në embrion, si të paarritshëm në kulmet letrare apo të shkencave të ndryshme.Për disa si unë, thonë,nga na doli kjo përpara duke na u bërë ferrë nëpër këmbë?! Si shumë të tjerë, unë jam e përjashtuar dhe e anashkaluar nga listat e shkrimtarëve të pas viteve’90, sepse kam “një të shkuar të damkosur nga lufta klasore, jam një e huaj e neveritshme për neokomunizmin barbar”.Unë nuk kam smirë, ndaj nuk urrej, nuk mallkoj, nuk them pse fitoi ai apo ky, por ia lë kohës që të gjykojë dhe të vendosë drejtësi. Lexo pak vargje nga një prej tri poezive fituese të “Çmimit të I- Nd/kombëtar Gj. K.Skënderbeu”, Itali-2009.
Rikthim në vite!
…………………………..
Më rikthe, pluhurin t’ia heq,
Historisë sonë të mohuar,
Më rikthe, botën ta ndreq,
pamëshirshëm transformuar.
Më rikthe dhe do ta shohësh,
ashpër a ëmbël do të t’i tregoj,
të dy anët e medaljes
historisë…do t’ia zbuloj…
Më rikthe dhe më gjyko
e më thuaj: -Ku kam gabuar?
Po deshe mos më prano…,
koha ka për të na gjykuar! -Vivra
Kur mos të ketë asnjë trashëgimtarë të diktaturës komuniste në nivelet e larta shtetërore, kulturore dhe shkencoree akademike të vendit,ndoshta do të vijë një ditë që shkrimtarët bashkëkohorë të shihen me lente të pastër, pa ambicje, pa smirë dhe pa urrejtje klasore.Kjo është për gjithë plejadën e shkrimtarëve pas vitit 1990.Unë e di se e drejta do të triumfojë një ditë, por unë nuk do të jem. Fëmijët dhe nipërit e mi do të thonë: “ E njohu bota shqiptare nënën, apo gjyshen tonë, që i ka dhënë pa kursim shoqërisë, familjes dhe demokracisë.”
Në Rumani janë përkthyer dy librat e mi: “Rrënjët” vëllim poetik dhe novela “Mamaja” që janë mirëpritur nga kritika rumune. I jam mirënjohëse mikut tim, z.Baki Ymerit që mbajti dhe po mban gjallë shqiptarizmin e rilindasve, ku njëri prej tyre ishte i ati, Ajvaz Voka dhe nëna e tij, Aurelia Graur Voka, të cilëve u kam kushtuar librin studimor “Bashkë në Dashuri dhe Atdhetarizëm”. Aurelia Graur, nuk kishte gjak shqiptari por u mësoi fëmijëve të saj, gjuhën e bukur shqipe, i edukoi ta duan atdheun e tyre.Dhe djali i tyre, 16 vjeçar, Skënder Voka ia fali jetën lidhjes me tokën e të parëve pellazgë. Ndërkohë që hynte dhe dilte në kufirin shqiptar -jugosllav, për të marrë librat e gjuhës shqipe, e rrëmbyen ujërat e vrullshme të Drinit të Zi. Jam pëkthyer në greqisht me një vëllim poetik “Rikthim në vite”. Nuk di se cili përkthyes i anglishtes do të marrë përsipër qoftë dhe një nga librat e mij e ta përkthejë në atë gjuhë ndërkombëtare,do të jem e lumtur. Nuk di që do të kem një fat të tillë!!!
GM: Krijimtaria juaj është përfshirë në disa antologji, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Si e keni përjetuar këtë përfshirje dhe çfarë domethënie ka pasur për ju kjo përvojë?
VVH: Krijimtaria ime është përfshirë në 28 antologji si brenda dhe jashtë trojeve arbërore dhe në disa antologji. Unë veçoj antologjinë botërore, “Premio Internazionale ( 2010-2012) Prione-Firence. ku poezia ime “Sa do të doja” në gjuhë italiane, lexohet bashkë 204 autorë nga e gjithë Bota. E ç’rëndësi ka kjo?! Por këto poezi në antologjitë, janë aq pak për njohje botërore sa për të thënë, “ASPAK” Këtë e thotë me dhembje Dr.Mujo Buçpapa- më 2009: “Proza e saj ka përmasat e një drame globale. Përmes letërsisë ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit shqiptar.
“Nëse vepra e Vilhelme Vranari (Haxhiraj) do të ishte përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare, atëherë bota do të njihte letërsinë dhe artin e saj tronditës. Veç pa frikë mund të them se proza e saj është e një niveli europian dhe botëror. Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare Vranari si Herta Mulerin, e cila fitoi çmimin Nobël për letërsinë 2009 ….”
Bota njeh vetëm poezitë e mia të përkthyera në anglisht apo italisht, me të cilat jam paraqitur në konkurse letrare. Sikur të përkthehej edhe një novelë e vogël, si “Çmimi i Dualizmit”; “Kurth”; “Gjykim pas vdekjes”; “apo librat me prozë të shkurtër;“ Simfoni shpirti”,“Dashuria plagoset po nuk burgoset” që e njeh lexuesin me, “Letra nga Ferri” ose 2 librat e fundit; novela “Ngëç hakmarrës” dhe romani “Ai dhe Ajo, ‘Çmendura”, të cilat janë trajtuar në mënyrë më të thellë, shumë filozofike. Këto dhe sa libra të tjerë, po të përktheheshin për lexuesin e huaj, në gjuhën angleze,do të realizohet ajo që ka thënë Dr.Mujo Buçpapa dhe bota do njihte tragjeditë e një kombi të përçarë, të cunguar, të ndëshkuar dhe të mohuar nga njerëz të të njëjtit gjak dhe racë që flasin një gjuhë. Askush nuk e zë në gojë këtë Genocid shfarosës brenda llojit, si ka ndodhur në Shqipëri. Me gjithë ndryshimet e 34 viteve tranzicion, ne jemi përsëri të ndarë në dy grupe armike të njëri-tjetrit.Aq urrejtje dhe neveri kanë për ish të përndjekurit, sa as emrin e njerëzve të vlerave të kësaj shtrese, nuk e kanë futur nëpër listat, si psh. Kur shkruajnë për shkrimtarët modern shqiptarë, të perskutuarit përjashtohen. Po kërkoja diçka në internet dhe më bëri përshtypje që Kasëm Trebeshina dramaturgu i madh nuk zihej në gojë.Janë po ato lista të klasifikuara nga Realizmi Socialist. Ata që ishin dje,ata janë sot dhe po ata do të jenë edhe nesër…Ndaj pak rëndësi ka përfshirja në antologji. Shqiptarët e diasporës nuk kanë lobin e tyre që të ngrehin njerëzit e vlerave kombëtare, por lobojnë për shkrimtarët e huaj që e kanë vendosur veten në Panteon. Nuk kam dëgjuar që të ngrihen disa simpatizantë të një shkrimtari bashkëkohor dhe të thonë përse nuk e njeh bota letrare “X” shkrimtar? Kjo ndodh se vlerat artistike, edukative apo progresive të një letrari fshihen mes faqeve, paragrafeve dhe sa e sa librave që kërkojnë kohë të lexohen dhe analizohen. Vetëm kështu ndryshon opinioni i letërsisë shqiptare, të cilën edhe shkrimtarët e përkëdhelur të diktaturës Hoxhiane apo fituesit e veprave të Realizmit Socialist, shkrimtarin modern të pas viteve ’90, me përbuzje dhe nënvleftësim, e quajnë “Provincial” kurse letërsinë e tij e emërtojnë“Provinciale”. Ata nuk i lë hunda të kullosin bar të freskët, sepse janë mësuar të ushqehen me bimën e krisjes, që mbolli komunizmi sllav. Në konkursin evropian të letërsisë shqipe shkojnë disa emra tabü qysh në kohën e Djallit të paudhë. Ndaj koha dhe“Demokracia”kërkon një kritikë bashkëkohore që të ndajë shapin nga sheqeri. Duhet të ballafaqohen veprat e Realizmit Socialist me veprat letrare të pavarura , jashtë politikës, iedeologjizmave të majta, të diktuara nga politika, atëherë do të vihen në dukje vlerat e vërteta reale.Tek ne kjo nuk do të ndodhë, sepse idhujt,nuk hidhen kurrë poshtë. Pa e lexuar nuk e njohin librin si përmbajtje apo synim, se janë të ideopolitizuar deri në atë masë, sa brohorasin e çirren kot, se “X” person ia vlen të jetë ALFA, sepse kështu thonë të gjithë…Kjo është si thënia: “Ha,ha,ha krushqit dhe Ha,ha, ha edhe nusja!
GM: Puna juaj krijuese është shpërblyer me shumë çmime të rëndësishme, mes të cilave spikat titulli Mjeshtre e Madhe e Penës. Çfarë ndjesie sjell për një autor një vlerësim i tillë?
VVH: Për mua çdo vlerësim, qoftë dhe një fjalë e mirë, një analizë apo një krahasim me pena të dëgjuara, më jep kënaqësi shpirtërore dhe ndihem mirë psikologjikisht. Kjo për të vetmen arsye, se letërsia ime i shërbeka dikujt. Kurse vlerësimi institucional, si nga Presidenti, Qeveria, Bashkia, Lidhja e shkrimtarëve, Akademia Shqiptaro Amerikane, apo ajo Indiane, merr kuptim tjetër vlerësues, tejet madhor. Në raste të tilla unë futem si një vlerë nd/kombëtare në kolanën e letërsisë shqipe, por që të pranohet me spirt bardhësi, kur e ardhmja ndoshta do të zhdukë urrejtjen klasore. Atëherë do të dëgjohet emri, kur të thonë, na ishte një herë një shkrimtare që u rilind nga hiri i saj si Feniksi. Po kështu gjithë çmimet jashtë vendit kanë vlera të jashtëzakoshme, se ndikojnë pozitivisht në krijimtari. Nëse në një vepër letrare, lexuesi nuk gjen veten e tij diku të strukur nëpër faqet, paragrafet dhe rreshtate tij, atëherë ai e vërtit librin tutje pa interes, se i duket i i pavlerë. Unë e kam thënë shumë më herët dhe e përsëris:“Njeriut që i mungon liria vetjake, ngjet me një vend të pushtuar e të skllaëruar nga i huaji!”.Kjo botë e mistershme,e cila pasqyrohet më së miri nga shumë faktorë, po mbi të gjitha është në vartësi të kulturës individuale, kombëtare, apo globale. Në mënyrë të tillë njerëzit klasifikohen jo vetëm si individ por dhe si grupime idesh, interesash që parashtron realiteti që jeton. Ka shumë njerëz që kanë një bagazh kulturor e shkencor në shërbim të kombit dhe njerëzimit, por të tillët fatkeqsisht anashkalohen, natyrisht jo pa shkak. “Bota nuk i ka Elitat dhe i nxjerrë nga dheu njerëzit e famshëm, i ringjallë, i nderon duke i vendosur në Panteonin e kombit të vet, pavarësisht se ç’racë janë, ç’ngjyrë kanë apo çfarë gjuhe flasin. Kurse ne i kemi elitat e kombit dhe i varrosim për së gjalli ose u nxjerrim eshtrat nga varri që t’i diskriminojmë, edhe pas vdekjes, megjithëse e dimë që i vdekuri nuk mund të marrë, as të japë dhe s’mund të bëjë asgjë.Një shembull i tillë është Atë Gjergj Fishta, të cilin “Të pafetë antikombëtarë, e nxorën nga varri dhe eshtrat e tij i hodhën në ujërat e lumit Drin. Një krim sikur ky elitar ishte pa atdhe, jo vetëm i mohuan vlerat e tij atdhetare, gjuhësore, letrare, por i zhdukën varrin, pasaportën identitetit kombëtar. Pas leximit të librit studimor, “Elitat e mohuara, krenari Kombëtare”-2019, ku kam përjetësuar 90 figurat më të shquara të kombit, apo “Ngërç hakmarrës”-2024, lexuesi do të shprehet: “Në këtë novelë gjej veten edhe unë, edhe ti, edhe ai tjetri, sepse të gjithë qytetarëve të këtij vendi të lashtë u ka mungur liria,e cila është shumëdimensionale” Vivra. Pavarësisht analizave, fjalëve apo epiteteve të bukura me vlera sipërore,unë jam de mbetem Vilhelme Vrana Haxhiraj, e patjetërsuar pasi me krijimtarinë time autentike të pahuajtur nga askush, por e ndërtuar falë përvojës jetike, më bëri të jem kjo që jam sot, VETVETJA.
Duke mdjekur me dhembje fatin e shumë njerëzve të shquar që shkrin jetën , dijen dhe pasurinë për kombin, pas 40 vitesh (1950-1990) me përjetime të dhimbshme dhe vuajtje çnjerëzore, kisha humbur besimin tek e ardhmja e veçanërisht besimin në vetvete dhe isha mëse e bindur, se kurrë nuk do të bëja diçka të vyer. Gjithsesi u krijuan kushtet dhe unë fillova të shkruaj. Nuk besoja se mendimet e mia, apo idetë do të pranoheshin nga lexuesit dhe kritika e mirëfilltë do të citonte paragrafe të tëra vlerash, duke i krahasuar me penat më të dëgjuara të rangut letrar botëror. Çmimet letrare kombëtare çelën rrugë e çmimeve jashtë trojeve shqiptare.Për mua ishin sa të befasishme dhe me po aq vlera.“Çmimi P. Marko”, ose “ Poezia e mirëinterpretuar”,nuk bënë ndonjë bujë, ngelën të ngujuara brenda në rrethin vicioz të qytetit Vlorë. Bujë bëri botimi i trilogjisë “Vështroni Meduzën” (2005, 2006, 2007), ku vlera pati fjala e Ministrit të Kulturës, Z. Bujar Leskaj në praninë e shumë autorëve më në zë, Laço,Bubani, Butka, Klosi, Zeqo, Spahiu, Londo,Hasko, Xhema, Sulkuqi, Prençi, F. Sina, Kostreci, M. Xhepa, R. Arbana dhe autoritete vendore të Vlorës etj…Në mediat botërore e paraqiti Dr.Fatmir Terziu,me titull: “Romane historike psiko-sociale.- 2008”
Për trilogjinë u shkruajtën 26 analiza nga autorë të ndryshëm. Edhe pse ishte një Sagë, e para e këtij lloji në letërsinë shqipe, një Letërsi Ndryshe, Realizëm Real, nuk i dhanë çmim. Pas Çmimit të I Nd/kombëtar“ Gj. Kastrioti Skanderbeg”-Torino-Itali, nisa të marrë çmime si kombëtare e Nd/kombëtare. Vilhelme Vrana Haxhiraj, e vlerësuar nga kritika e mirëfilltë me 33 çmime kombëtare dhe nd/kombëtare. E mirënjohur si shkrimtare shumëdimensionale, moderne e bashkëkohore që ka sjellë një Letërsi Ndryshe të Realizmit Real, lexuesit ka dhuruar 63 botime thuajse në të gjitha gjinitë letrare,poezi,skicë, tregim, novelë, roman, trilogji,ese publicistikë, studime historike-filozofike dhe letërsi për fëmijë, është vlerësuar nga Presidenti i Republikës në 100 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, me: *Urdhrin“Mjeshtre e Madhe” dhe me “Medalje Ari”. *Senati i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në New York, i dha titullin “Akademike më, 30 tetor, 2018, me të drejta të plota. *“Ikonë e Letërsisë Botërore të avancuar,” nga Akademia e Shkencave, Letërsisë dhe Arteve Indiane, më, 25 maj,2020. *“Nderi i Kombit”, i jep Unioni i Shqiptarëve të Bukureshtit -8.3.2023. Fiton “Kurorën e Artë të Çmimit të I-Nd/kombëtar “Gj. K.Skënderbeu”-Torino-Itali, 18 prill 2009. *Fiton “Pena e Kristaltë”- mars, 2014, në Suedi. *E vetmja shqiptare mes 205 fituesve të çmimit të parë, nga e gjithë bota, është futur në antologjinë poetike, “Premio Internazionale di Poesia” (2010 -2012) Firence-(MS)-Italia, etj…
GM: Cilat janë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj letrare?
VVH: “Kur skllavi shkëputi zinxhirët e skllavërisë, rilind për së dyti.”
Çastet më të rëndësishme në jetën e njeriut janë pak më specifike se sa krijimtaria. Karrira letrare vjen si pasojë e këtyre çasteve të rëndësishme jetike…Meqë janë thënë gjatë intervistës, për mua çast më pikant ka qenë dashuria e parë me Fitim Haxhiraj, me të cilin krijova familje. Gëzimi më i madh që lë vragë në jetë është lindja e vajzës e pas 8 vitesh ardhja në jetë e djalit tonë . Me 2 fëmijë si yje, u plotësova si nënë. Sivjet festojmë 60 vjetorin e martesës, me të përpjetat dhe të tatëpjetat, ne ecëm në dritë apo errësirë, në shi e në borë, herë ngrënë dhe herë pa ngrënë, por ne ia dolëm. Pikë kulminante ishte Diplomimi më 1975, pas një ndalese prej 9 vitesh. Fitorja e konkursit të vajzës sonë Ermelindës, në Insitutin e Lartë të Arteve. Ishte fitorja më e madhe e ne të dyve. Ajo ishte tejet e talentuar, ndaj i ati i kushtoi jetën që ajo të bëhej një violonçliste me emër. Fal talentit të saj, ajo zuri vendin e parë mes gjithë konkurentëve në verën e vitit 1985. Pas vdekjes së Diktatorit atë e pranuan të paraqitej në konkurs,të cilin e kreu me sukses. Viti 1990 për mua ishte një rilindje nga hiri i trupit tim të zhuritur në flakët e ferrit komunist. Kur në ditën e parë, pas 23 vitesh mohimi, hyra në klasë, në orën e parë për të dhënë lëndën time, gjeografinë. Në atë çast para nxënësve një rrëqethje trupore më kaploi në gjithë qenien time, shkaktoi vegimet e një jete të mundimshme, të ndrydhur, të përbaltur, të mohuar dhe të denigruar. Ndihesh si një e huaj e jo si shtetase shqiptare. I rëndësishëm është çasti , kur në Vlorë, në emër të gruas demokrate, unë e mohuara e diktaturës, përshëndeta në mbylljen e fitores së Demokracisë më 31 mars, 1992. Për herë të parë në moshën 47 vjeçe, u dëgjua fjala ime e lirë, ku shpreha mendimet e mia të pavarura për vlerat e demokracisë dhe të gruas. Me vlera ishte, që unë e harruara e kohës së egër, themelova Lidhjen Demokratike të Gruas Vlorë, më, 6 shkurt,1992. Brenda një kohe të shkurtër thirra Konferencën e Parë mbarë Kombëtare të LDG.- 25 nëtor,1992. Ishte një suksesi poamohueshëm. Më 3-5 mars 1993, unë me dy zonja drejtuam Kongresin e parë të LDGSh.
Pas rigjetjes së vetes sime të humbur në brazdat e kohës,vjen radha e letërsisë. Botimi i parë poetik, edhe pse nuk mund ta krahasoj me veprat e mëvonshme në disa gjini, ai ka vlerën Nr.1, sepse me atë u thye akulli që kishte ngrirë mendimet e mia dhe nuk e lejonin trurin të zgjohej nga gjumi letargjik i detyruar. Numri -1- është fillimi i diçkaje. Ai libër çeli rrugën e botimve të njëpasnjëshme që po shkojnë drejt Nr.70 dhe libri i fundit pati të njëjtën jehonë si i pari.Më pas çdo botim u bë si diçka që pritej e nuk kishte më të papritura.Çaste tëpapritura janë Çmimet si brenda dhe jashtë kufijëve kanë qenë stimulese, rritje prestigji dhe morali. Kanë pasur ndikim pozitiv, tek unë, te familja dhe lexuasit. Titujt e thënë më sipër nga Presidenti i Republikës , Akademia Amerikane, Akademia Indiane, Itali Suedi, Rumani etj.. si dhe Medaljet.janë prestigjioze dhe kanë vlera monumntale.
Medalje ari argjendi, bronzi dhe bakri, kanë qenë vlerësime të papritura për mua. Këto vlerësime janë tregues i një pune si krijuese me një letërsi bashkëkohore dhe moderne. Mirënjohje për gjithë institucinet që kanë vlerësuar krijimtarinë time sado e vonuar…!
GM: Si do ta përshkruanit në mënyrë përmbledhëse krijimtarinë tuaj letrare dhe publicistike për lexuesit që ende nuk e kanë zbuluar?
VVH: Ka një ndryshim cilësor midis letërsisë dhe publicistikës. Puna ime 27 vjeçare si krijuese, është autentike, shumë e pasur në disa drejtime letrare, si publicistikë, ese, poezi, prozë e shkurtër dhe e gjatë, studime, analiza. Në tërësi janë larmi gjinish, me tematika dhe rrahje problematikash nga më të ndryshmet. Krijimtaria ime është si një zinxhir që shtrihet në tri kohë, dje,sot dhe nesër. Unë shprehem se, e sotmja tronditëse, nuk më le të harroj të djeshmen tragjike dhe të parashikoj të nesërmen dilemë. Sepse jo çdo jetë i përket vetëm një epoke kohore. Ka shumë njerëz në botë që jeta e tyre u përket dy shekujve. Po marrë shembull veten, familjarët e mi,që jeta jonë shtrihet në sehk. XX dhe shek XXI. Përjashtim bëjnë të dy nipërit tanë dhe mbesa që i përkasin vetëm shek XXI. Atëhere them, se e sotmja është ajo kohë që lidh të djeshmen me të nesërmen. Nuk ka të sotme pa shkuar dhe nuk ka të nesërme pa të sotmen. Përsa parashtrova kjo tregon se një epokë historike nuk ngjet me tjetrën, as dita e sotme nuk ngjet me të djeshmen. Si pasojë çdo njeri në veprimtarinë e tij nuk paraqet të njëjtën gjë për çdo ditë apo etapë kohore. Një temë në publicistikë është tejet e veçantë, se secila rreh një problem ndërsa të gjitha së bashku, edhe pse heterogjene ato paraqesin aktualitetin me të mirat dhe të këqijat e tij.Një publicistikë apo një ese e paanshme, e cila vë në dukje dobësitë e politikës, të pushtetit, drejtësisë apo diplomacisë pse jo dhe qëndrimin ndaj padrejtësive, është një zile e fortë tingëlluese që ndihmon për ata vesh që e dëgjojnë. Kurse letërsia të bënë të mendohesh se ku ka goditur shkrimtari, çfarë ka dashur të pasqyrojë, çfarë plagësh të shoqërisë kritikon. Letërsinë filozofike e kupton ai lexues që shkakun dhe pasojën e rrjedhshmërisë së ngjarjes e kupton sipas botëkuptimit dhe kulturës së tij. Sa i lidhur është ai me problemet sociale dhe sa e rëndojnë ndërgjegjjen e tij, apo sa i dhemb shpirti për fenomenet e pakëndshme që dëmtojnë kombin, të pasqyrurua bukur apo dhemshëm nga autori. Jeta njerëzore ka shumë xhepa e labirinte të errëta, të cilat kërkojnë njerëz dshamirës që t’i zbërthejnë, t’i vënë në dukje që shoqëria të shikojë se ku çalon mentaliteti i tij personal. Letërsia e rrit njeriun intelektual, individualisht, si personalitet dhe njeri i ditur. Mendoj se aq sa dije kam dhe sa kam mundur, përmes letërsisë sime me mbi 63 vepra, jam treguar shumë tolerante në dhënie shembujsh pozitiv që duhen adhuruar. Atë që nuk kam mundur apo arritur vet e kam pëciell mes librave të mi. Një këshillë e mirë apo një roman i arrirë, nuk matet me asnjë shkollë, sepse përmes letërsisë njeriu arrin nivelin më të lartë të arsyetimit dhe gjykimit.Nuk po sugjeroj mbi 50 novelat dhe mëse 23 romaneve që në faqet e tyre ndeshesh me 75 a më shumë ndodhì, mes të cilave njihesh dhe me mjaftë tragjedi. Po sikur njerëzit e pakënaqur nga jeta,apo të paplotësuar si individualitete, të lexonin “Simfoni shpirti”,ku gëlojnë e lëçisin ëmbël në gjuhën e bukur shqipe, 50 skica letrare, jam e bindur se do të shpreheshin optimist dhe nga shpirti do të buronin fjalët si gurrat tona të pashtershme:- Jeta qenka e bukur, po nuk e paskemi njohur…, mendon i gjori njeri. Ndaj jeta duhet jetuar sido që të vjen. Në këtë libër ligjëron natyra ëndërr, flet bukuria përrallore me relieve të admirueshme, ligjërojnë ujëvarat, shushërin flladi pranveror apo përkëdhel ëmbël briza detare, syri endet nëpër pyje, livadhe, kodra, male hijerëndë apo gjire deti magjike dhe ti lexues ndalon e pyet :-si nuk i kam vnë re këto mrekulli të vendit tim?! Po nuk njohe këto hijeshi, nuk e dashuron vendin tënd i cili është burim simfonive ë vendit tim, të pashkruara në asnjë pentagram! Por që të shkruash një letërsi të lirë, të pavaruar, duhet të jesh një person pa komplikacione politike apo ideore. Pavarësia e mendimit është primare në një letërsi të mirëfilltë bashkëkohore dhe moderne. Pa këto cilësi asnjë shkrimtar apo i çdo profesioni, nuk mund të jetë vetvetja.
GM: Cili është raporti juaj me median dhe si e vlerësoni aktualitetin e saj në përgjithësi?
VVH: Media është pushtet i katërt, ndaj ka shumë vlera, por varet se sa pavarësi ka politika. Shtetet e zhvilluara e kanë kërkuar me kurajo dhe me forcë këtë të drejtë legjitime, si liria e medias dhe e shtypit qysh shekuj më parë. Jo më kot u bë problem në Parlamentin anglez kërkesa e Xhon Milton për të drejtën e shtypit, i cili më 1644 botoi librin Aeropagjitika, ku tregon shkaqet dhe arsyen pse liria e shtypit është një e drejtë legjitime e domosdoshme për zhvillimin e kombeve. Porse duhet të kemi të qartë se që të kërkosh lirinë e medias, së pari duhet të kesh lirinë e shprehjes së mendimit dhe të fjalës së lirë. Që të fitosh këto të drejta duhet të kesh fituar lirinë vetjake, të kesh pavarësi ekonomike, vullnetin dhe kurajon në marrjen e vendimeve pa ndikimin e askujt.
Lind pyetja:- Po kur media e ka vlerën e duhur? Nëse media luan rolin e saj që paraqet realitetin real të një shoqërie apo shteti, atëherë, do t’u hiqja kapelen gjithë gazetarëve, publicistëve, analistëve, politikologëve dhe çdo qytetari që mund të shfaq idetë e tij lidhur me mbarëvajtjen e një shoqërie me të drejta të barabartanë të gjitha fushat e jetës, atë e përgëzoj. Por kur medja mban anën e Partisë politike në pushtet, ndërkohë që antivlera ka mbytur vlerën, kur korrupsioni i organizuar, i mbarsur me krime monstruoze, trafiqe klandestine fitimprurëse, kur papunësia mat rrugët e përbaltura, ku varfëria dhe niveli i ulët jetik nxit largimin e të rinjve që po boshatisin atdheun nga forca e re punëtore, nga inteligjenca dhe nga specialistët, për çfarë i duhet medias një propagandë pro shkaktarëve të shkatërrimit të shoqërisë apo të mohimit të ndërgjegjjes kombëtare?! Kjo pakicë fodulle dhe arrogante, ka krijuar një shtresë huliganësh e vetëquajtur “Aristokracia e Re” që vepron me ligjin e rrugës, ku banditi ka marrë pasaportë diplomatike, tituj shkencor dhe diploma të marra me katapult nga fillorja në disa universitete pa dhënë asnjë provim, ky është krim social i pa justifikueshëm. Media dritëshkurtër, i ngre në qiell të pafetë duke u bërë hosana.
Çfarë mund të fitojë lexuesi apo teleshikuesi, kur sa hap sytë, ndez televizorin dhe ndeshet me kronikën e zezë? Ka gazetarë investigativë që vënë përballë tragjedisë edhe shkakun pse ndodhi.Por jo të gjithë janë kaq të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm. Media e drejtëpërdrejtë, pa dorashka, pa ndikime ideologjike, por thjeshtë në interesin kombëtar, luan vërtet rolin e saj në krijimin e niveleve të mirëpeshuara në analiza dhe gjykime që balanca të mos anojë në asnjërin krah. Një media e tillë ndihmon së pari individin, shoqërinë, shtetin, zbatimin e ligjeve dhe integrimin kombëtar. Unë kam relata të mira me mediat, si të shkruara dhe elektronike, sepse pa ato idetë e mia apo puna ime krijuese do të ngelej shterpë dhe e panjohur. Shkruaj në të gjithë kontinentet dhe jam e mirëpritur si nga stafet e tyre dhe nga lexuesi.Si njësi matëse vlejnë komentet, analizat dhe shumë prej tyre më quajnë publiciste nacionaliste. Kjo nuk më pëlqen, seps eunë flas për realitein e zymtë. Jeta nuk është ekran vlerash të paqena, jeta është përditësia që jeton çdo qytetar ose shumica e shqiptarëve me të ardhura të pakta.Për kurajon dhe ballafaqimin me fenomenet negative, i falenderoj të gjitha mediat, si Fjala e Lirë, Zemra Shqiptare, Universiteti i Tetovës, Kuvendi, Dielli, Nacional, Tribuna Shqiptare, Bota e Gruas Shqiptare, Voal, që kanë përciell refleksoione ndaj krijimtarisë dhe publicistikës sime dhe kanë shpalosur vlerat që u vijnë në ndihmë gjithë trojve etnike shqiptare.
GM: Nga letërsia shqipe dhe ajo botërore, cilët janë autorët që do të veçonit si më të rëndësishmit apo më me ndikim për ju?
VVH: Jam shprehur më sipër se kam lexuar qysh herët në moshën 9 vjeçare. Më ka pëlqyer të lexoja letërsinë e huaj, kryesisht novelat dhe romanet e verdhë ( të ndaluara ).
Qysh kur rastisa romanin “Dy të vdekur në një qivur”, fillova të jem një lexuese e etur për të mësuar nga bota dhe për të njohur të panjohurat e të pathënat e mohuara për ne shqiparët. Që të mos më bërtiste mamaja, lexoja netëve nën jorgan, deri sa kapitesha e më zinte gumi. Përmes letërsisë lexuesi njeh vende, kultura, karaktere dhe tradita të ndryshme të popujve të tjerë. Ndërkohë gjeja edhe veten të strukur diku mes reshtave apo paragrafeve. Kur shkrimtarët e mëdhenj, mjeshtër të penës, bënin përshkrime të tilla që, mua më çonin në një botë tjetër magjike, më dukej sikur kisha qenë në ato vende, kisha baritur mbi lëndina,kisha shëtitur stepën ruse të ngrirë nga bora, kisha fjetur e qetë pranë gurgullimës së lumenjëve.E zhytur në lexim më dukej sikur kam gërmuar për të gjetur patate në gulagët e mbuluar nga bora e Siberisë së largët dhe tejet të ftohtë. Çudi,më pas futesha në “Izbë” që të ngrohja duart dhe shpirtin e akullt e të mardhur fëmijënor. Ulesha pranë zjarrit bubulak, ku nën një ndriçim të zbehtë dhe të mekët, lexoja shkrimtarët e mëdhenj rus,( jo sovjetik)si, Pushkini, Gogoli, Ana Ahmetova, Leon Tolstoi, Esenin, Çehovi, Turgeniev, Pastërnak, Solzhenicini, i cili i takonte viteve ’70, të shek XX. Kanë kaluar nga 50 deri në 70 vite që i kam lexuar dhe më duken të freskëta, si ,Evgjeni Onjegin, Dashuria e parë, Ana Karenina, Doktor Zhivago, Një ditë e Ivan Desinoviçit etj. Më pas kam lexuar Gollsuorth, Xhejms Xhois,Gi de Mopasan, Stendal, Balzak, Mishel Xevako, Aleksandër Dyma (i riu),Elsa Triole, Stefan Zvajg, Erih Maria Remark, Aeksandër Dyma (Ati), Niçe, Frojdi, Heminguej, Teodor Drajzer, Gëte, Shiler, Kafka, EdgarAlan Poe, Louis Borghes,Lorka, Tagora, Gabriel Garsia Markes, Alber Kamy. Kurse Alighierin, Virgjilin, Shekspirin, Homerin, Omar Khajamin, Saadiun, etj, i njoha në shkollën e mesme dhe në universitet .Më pas femrës i dalin shumë probleme që janë më parësore se leximi.Porse me letërsinë shqipe kam filluar më vonë. Gjatë etapave të arsimimit fillova të zgjeroja njohuritë me literaturën shqipe në programet didaktike. Jam ushqyer mendërisht dhe artisikisht me letërsinë e vjetër shqipe, me Hasan Zyko Kamberin,me autorët e Rilindjes Kombëtare,si: Naimi, Samiu, Çajupi,letërsia arbëreshe, De Rada, Gavril Dara i riu etj…Më pëlqen letërsia e viteve 1930, një letërsi moderne, e lirë e refomuar, si Faik Konica, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli,Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, të cilin e kam idhull të mendimit filozofik. Madje studiova veprat e tij në shqip dhe botova librin”Rruga filozofike e Prof.dr.Isuf Luzajt”.Nga letërsia e huaj më pëlqen Gabriel Garsia Markes. Kurse romani i paë që kam lexuar nga letërsia shqipe,ishte, “Sikur të isha djalë”i Haki Stërmillit,i cili është ngritur kundër dhunës ndaj gruas.Nga letërsia e Realizmit Socialist veçoj Ali Asllanin, Kasëm Trebeshinën, Xhevahir Spahiun, Odhise Grillon, Ali Podrimjen, Petro Markon, Jakov Xoxën, Arshi Pipën, Lasgush Poradecin Mitrush Kutelin e gjithë autorët e mohar që janë anashkalur nga trysnia politike dhe të mohur nga ideologjizmat, me të cilat nuk i lidhte asgjë.
Ne të dy (unë dhe Fitimi), megjithëse e filluam jetën bashkëshortore dhe krijuam familjen nga hiçi,nga gjilpëra, pa shtëpi, unë pa punë, kishim vetëm teshat e trupit. Kur na dhanë një dhomë, na u duk sikur na dhuruan një pasuri përrallore. Gjithsesi kishim një streh, ku nuk na zinte, as shiu, as bora, as ngricat e stuhitë dimërore. Edhe i nxehti me temperaturat zhuritëse të korrik-gushtit, ishte i durueshëm në atë dhomë pa diell. Megjithë varfërinë, Fitimi bleu100 libra të një biblioteke të vogël, kryesisht të ndaluara. Kështu nisëm të krijonim kulturën letrare të familejs sonë të re dhe të varfër. Sot është një bibliotkë e pasur e ndarë në dy pjsë. Studimet apo librat që kanë lënë shumë vragë tek unë dhe u rikthehem herë pas here, i mbaj në një kënd me 5 rafte mbi kompjuter.
GM: Keni një karrierë të shkëlqyer në fushën e letërsisë, si në aspektin cilësor ashtu edhe në atë sasior. Kush janë ata persona që ju kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi dhe që do të dëshironit t’i falënderonit?
VVH: Mund të kesh talent sa të duash, por pa patur një shtysë, një përkrahje morale, që të të vendos përballë aftësitë krijuese, nuk bën dot asgjë. Një nxitje të tillë ia kam për falenderim bashkëshortit tim, Fitim Haxhiraj, i cili mohoi dhe sakrifiko veten dhe iu pëkushtua menaxhimit të letrsisë sime.Në rrugën e bukur, fisnike dhe të vështirë të krijimtarisë kam pasur fatin të kem shumë miq të mirë, të shquar në letërsi e dashamirës në analiza dhe kritika. Familja ime, bashkëshorti me fëmijët dhe familjet e tyre më kanë përkrahur tej mase, duke më lehtësuar ngarkesat familjare. Njeriu që më zgjati dorën e tij të ngrohtë, si redaktor, si njohës i mirëfilltë i letërsisë,ka qenë Prof. Odhise Grillo.Pas tij kam punuar me akademik, Prof.dr. Adriatik Kallullin. Dr.Mujo Buçpapa, Prof.dr. Fatmir Terziu, Akademik,Prof. Dr.Eshref Ymeri, mësuesja e talentuar e gjuhës shqipe, ish kolege dhe redaktore e dorëshkrimeve të mia, znj.Lejla Gorishti, mediat e shkruara dhe Online, komentuesit e panumërt, si dhe lexuesit si kritikë të paanshëm. Nuk janë vetëm këta zotërinj, por mbi 100 personalitete të kualifikuar, shkrimtarë dhe kritikë që më kanë ndihmuar me mbi 370 analiza të librave të mi. Kritikat apo vlerësimet e tyre, kanë bërë që unë të realizoja veten dhe të formoja individualitetin tim si shkrimtare. Janë pikërisht këta personalitete të kulturës kombëtare që kanë bërë dhe bëjnë që, emri im edhe pse në moshë të madhe, të dëgjohet si brenda dhe jashtë atdheut.
I nderuar z. Gëzim, që analizat e vlerësimet e tyre të mos humbisnin dhe të ngeleshin nëpër vragat e kohës, i mblodha të gjitha dhe sot janë krijuar tri libra me analiza, kritika dhe vlerësime nga mbi 100 autorë për të cilët jam shprehur qysh në titull; “Mirënjoja, virtyt i kujtesës”. shpreh mirëjohje Për redaktorët, për kopertinat dhe ilustrimet: Piktori i Popullit, Nestor Jonuzi; piktori Lec Shkreli; disenjatori Gjergj Spathari; piktori Luan Vrioni dhe disenjatori Jorgo Saqellari. Nderim dhe mirënjohje për Botuesit e krijmtarisë sime të vonuar, si, ShB. Jeuzalem; ShBToena, me President e drejtor (Z. Fatmir e Irena Toçi ), Omska 1, (Luan Pengili), ShB.Extra (Rezart Ekmekçi), ShB. Nacional (Botues, Dr. Mujo Buçpapa) dhe ShB Europrint me botuesin (Vladimir Gaba), si dhe bashkëpunëtoren time të mrekullueshme, lidhur me ciësinë e botimeve, Blerina Ndreu! Mirënjohje për gjithë analistët që kanë dhënë mendimin e tyre, si dhe mediat që kanë pasqyruar krijmtarinë time!
Në vend të epilogut:
Si mirënjohje e jetës po them pak rreshta.
Mes pasigurisë së jetës, me gjithë vështirësitë që na dhuroi koha bastarde, po me mirëkuptim, tolerancë, dashuri, zënka e përqafime e me vullnet, ne kijuam familjen tonë bashkë me trashëgimtarët tanë.
Unë Vivra ,banore e dy shekujve jam e lumtur që Kanina me Vlorën, të cilat më dhuruan vuajtjet më çnjerëzore, janë pikërisht këto dy qytete, që më bën kjo që jam sot. Veçse nuk do të isha “Askush”,nëse nuk do të kisha mbështetjen e një bashkëshorti si Fitim Haxhiraj dhe familjen time të mrekullueshme. Pa këta, të shtrenjtët e mi, si dhe miqtë ngado që janë, emri im dhe vepra ime nuk do të kalonte as Urën e Mifolit, as Qafën e Llogarait dhe as Urën e Peshkëpisë. I jam mirënjohëse përjetësisht Fitimit, si bashkëudhëtar i sakrificave tona të paimagjinueshme!
Nga ne të dy lindën dy trashëgimtarë Ermelinda dhe Vladimiri. Vajza kreu Institutin e Lartë të Arteve për Violonçel , ku u dashurua dhe më 1991 u martua me Trompistin dhe kompozitorin e e talentuar shkodran, Lek Spathari. Ata na kanë dhuruar një nip dhe një mbesë, Ivo dhe Bianca, të cilët kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë e punojnë në Itali.
10.08.2015 – Raini me nëna Vilin e gjysh Timin, që kërkon të luajë me drerat e Parkut Nacional, Llogara
Trashëgimtari i familjes sonë, Vladimiri ka kryer dy universitete ,(gjuhë angleze dhe juridik). Është martuar me ekonomisten Rezarta Merkaj, të cilët na kaë falur dhuratën më të vyer dhe më të bukur, një nip të shtrenjtë, Rainhardin, të cilit qysh në moshë 5 vjeçare i pëlqente të bëhej Ornitolog. Dashuria për natyrën dhe studimi për zogjtë, bëri që , qysh në moshën 11 vjeç u bë anëtar i Shoqatës për Mbrojtjen e Shpendëve të Rrallë dhe sot në prag të 13 vjetorit të lindjes, është njohës i gjithë shpendëve të Shqipërisë. Më gëzon fakti që, si ne të moshuarit, fëmijët dhe dy nipërit me mbesën, janë të arsimuar! Faleminderit Zotit dhe atyre që u bënë të mbarë!Ç’duam më shumë ne të dy si prindër, kur gëzojmë pasurinë apo thesarin më të çmuar në botë, dy fëmijë me bashkëshortët e tyre dhe nipërit dhe mbesën! Ishim dy në fillim, më pas u bëmë. Tani jemi 5 familje dhe bëhemi 11 persona.
Qofshi të lumtur dhe me jetë të gjatë të shtrenjtët e mi! Nëna Vili.
Të nderuar lexues, si kritikë të paanshëm, ju falenderoj që më keni ndjekur ndër vite!
Kjo intervistë ekskluzive ngjet si një rrëfim i qenies sime, apo si një bisedë me vetveten, megjithëse pyetjet e mençura i ka formuluar, z. Gëzim Marku, i cili jeton dhe punon në Angli. Këtë bisedë të thellë, konçize do ta botoj si libër më vete, pasi aty është rrjedha e një jete plot vuajtje, zhgënjime dhe fitore. Çdo njeri në moshë time bën bilancin e jetës që shkoi, duke kthyer shikimin pas ndër vite. Pikërisht në këto pak faqe që flasin me gjuhën e shpirtit dhe meditojnë pa pushim, për atë kohë të vrazhdët që nuk ka kthim pas, mësojmë shumë. Në këtë rrugëtim të përjetuar ndër kohë, përballen me sa e sa të kundërta,si: e mira me të keqen, e shëmtuara me të bukurën, pasuria me varfërinë, drejtësia me padrejtësinë, e vërteta me gënjeshtrën, iluzioni me realitetin dhe jeta me vdekjen, të vilat ecin bashkë në të njëjtat shina. Dhe ky rrëfim i çiltër është realiteti jetik i pamohueshëm që ka përjetuar njerëzimi në shekuj.
K jo bisedë e qetë, pa shtojca, pa smirë, pa mllefe dhe pa hakmarrje, po, që vetëm dhuron mirëkuptim, tolerancë, bashkëpunim dhe ndjek rrugën e synimeve drejt mirësisë, më përket mua.
Kjo që flet jam Unë, është zëri ndërgjegjjes sime të lodhur, e cila nuk gabon në vërtetësinë e fakteve.
E mbi gjithçka, jam Unë dhe është një jetë, “JETA IME”!!!
Shpreh mirënjohjen time për stafin e “Zemra Shqiptare” dhe z. Gëzim Marku !
Konsiderata! Vilhelme Vrana Haxhiraj-Vivra.
Vlorë, 19.05. 2025