Berisha: Raporti i KE groposi shtetin ligjor, Rama po dezinformon duke përdorur Presidencën dhe Kuvendin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me raportin e Komisionit Evropian, i cili sipas liderit të opozitës, gropos shtetin ligjor në vend.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se, Raporti i Komisionit Evropian groposi shtetin ligjor në vend, Rama po përhap dezinformime të turpshme duke përdorur Presidencën dhe Kuvendin.

“Opinioni publik shqiptar është subjekt i një propagande mashtruese vulgare të pashembullt dhe të paprecedent të ndonjë vendi tjetër.

Vetëm në këtë vend ndodh që katër mediat kombëtare të informojnë publikun se një çarter me turistë u nis nga aeroporti i Jordanisë, thua se vinte nga Hëna.

Një media tjetër raportonte nga Thethi sikur të ishte jo medie, jo televizion kombëtar, por persekutor kombëtar.

Lexonte ato ç’ka i kishte çuar zyra e kryeministrit dhe ku e paraqiste Thethin pa asnjë lloj fakti apo dokumenti të mbushur dhe stërmbushur me betonëra e stërbetonëra.

Në çdo anë, dezinformimi i pamëshirë i shqiptarëve është platforma e kësaj qeverie.

Ajo çka duhet të shtoj sot është klonimi i zyrave të shtypit apo në fakt asgjësimi i tyre dhe sot mund të thuhet se ka vetëm një zyrë shtypi, ajo e mashtruesit profesionist Endri Fuga dhe Edi Rama, të cilët në unison shpërndajnë certifikata dezinformimi për qytetarët.

Kam këtu një dokument-raport të Komisionit Evropian për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri.

Ky raport me një objektivitet të plotë zbërthen korporatat e reja të krijuara në Shqipëri, pra sot po të lexosh me vëmendje këtë raport, arrin në përfundimin se shteti ligjor është i groposur në këtë vend, pasi krahas korporatës energjetike, korporatës së investimeve, është krijuar korporata e prokurorëve me në krye Këshillin e Lartë të Prokurorisë, korporata e gjyqtarëve me në krye të Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe korporata e Artur Metanit, me në krye Artur Metanin.

Pra, me një objektivitet të madh, në këtë raport analizohet gjendja dramatike e shtetit ligjor, ndërkohë Edi Rama për të përshëndetur raportin nxjerr zyrat e klonuara të shtypit, njëra në presidencë dhe tjetra në parlament dhe unë e quaj këtë një akt dezinformimi të turpshëm.

Lexoni komunikatat që lexon Pëllumbesha Spiropali me atë që firmos presidenti, ato janë si dy pika uji, janë kopje të njëra- tjetrës sepse janë marrë të dyja nga Fuga”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Sa kushtoi fluturimi i fundit i kryeministrit drejt Hagës? Pse qeveria nuk pulikon shpenzimet për udhëtimet e Edi Ramës?

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli: Kryeministri shqiptar Edi Rama ka udhëtuar …