Pavarësisht orëve të vona, nata nuk do të jetë e qetë për Thethin. Në fshatin ku kanë mbetur shumë pak turistë vijon zhvendosja dhe prishja e subjekteve pa leje.
Forcat e IKMT-së kanë hapur katër fronte ku po prishin objektet. Aksioni do të vijojë përgjatë gjithë natës për të vazhduar edhe ditën e nesërme.
Ndërkohë harta e objekteve për t’u prishur sa vjen e shtohet. Fillimisht u fol për 40, por tani ky numër ka shkuar në 120 objekte që do rrafshohen.
Një pjesë e strukturave janë të çmontueshme, si ato që duken në këto pamje. Ndërkohë në lartësinë e maleve janë vendosur struktura të ndërtuara me gurë dhe me beton.
Në Theth janë vendosur nëntë furgonë policie të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponjave. Lëvizja e uniformave blu vjen pas incidentit të rëndë në mesditë ku u hodh molotov. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati të lënduar apo dëme materiale.
Në Theth ka nisur një perplasje mes autoriteteve policore dhe banorëve të zonës, për shkak të urdhërit të kryeministrit Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Banorët kanë kundërshtuar këtë urdhër, duke kërkuar dialog mes tyre dhe shtyrje të afatit deri në përfundim të sezonit turistik. Por këto kërkesa të banorëve, duket se kanë rënë në vesh të shurdhët, pasi IKMT po vijon me shembjen e strukturave pa leje.
Në këto kushte, banorët në shenjë proteste kanë paralajmëruar se do të mbyllin fare bujtinat.