Nga Enver BYTYÇI
Një i ri që “i ka besuar Edi Ramës” është kthyer nga Italia, ku jetonte si emigrant, dhe ka investuar kursimet e djersës së tij për zhvillimin e turizmit në Theth. Kryeministri kishte bërë thirrje që emigrantët të vijnë dhe të investojnë në atdheun e vendlindjen e tyre. Dhe i riu, burrë i malësisë, e ka besuar mafien. Ka menduar se “tani është shansi të bëj diçka në vendlindje e njëkohësisht të jem pranë familjes”! Nuk u thellua i shkreti, se kryeministri që i bëri ftesën ka xhelozi e cmirë të skajshme ndaj atyre që e duan familjen, atdheun e kombin. E si mund t’i lejojë të tjerët në vendin e tij një kryeministër pa familje e një politikan që e marton lagjia (Sorosi) për llogari politike?! Këtë hesap nuk e kishte bërë i riu viktimë e mashtrimit të Edi Ramës. Tani ankohet!
Në video të shumta lexuesit mund ta shohin Edi Ramën, kur para një viti për hesap të zgjedhjeve dhe grabitjes së votave, shkoi në Theth dhe “shpërndau” tapitë e pronave. Atë ditë ai u prit me lule, këngë e me valle malësorësh. Bie në sy xhubleta ose imitimi i saj në veshjen e vajzave dhe grave. Kryeministri i shoqëruar nga dopjo-mashtruesi tjetër, Benet Beci, duken të entuziazmuar dhe të lumtur për pritjen e ngrohtë. Dikush foli dhe e quajti Edi Ramën “burrë që mban fjalën”! Dhe ky i fundit “u kërkoi” që tani të investojnë në pronën e tyre për zhvillimin e zonës e të turizmit në vend.
Por sapo kaloi viti, sapo grabiti votat e shqiptarëve e tashmë zgjedhjet lokale janë disi larg, Edi Rama u çoi fadromat fshatarëve të Thethit. Madje duke i fyer ata se “kanë investuar në tokën e xanun”! Le ta sqarojmë pak këtë termin “tokë e xanun”! – Në fjalor termi “tokë e xanun” përdoret kur dikush ia ka grabit tokën dikujt tjetër dhe e ka zënë atë me një ndërtim të caktuar. Banorët e Thethit nuk kanë grabit tokë. Ata kanë investuar në pronën e truallin e vet. Përdorimi i termit “tokë e xanun” nga kryeministri shpjegon në fakt qëllimin që ai ka. Tokën e banorëve të Thethit ai e quan tokë të tijën. Thotë se është e shtetit, por ka parasysh Olsin dhe oligarkët e tjerë rreth vetes, për të cilët ai shkatërron pronat dhe ndërtimet e banorëve të Thethit e në të gjithë Shqipërinë. Para një viti për të ishte pronë e malësorëve të Thethit. Tani u thotë se toka e këtyre banorëve, qenka “tokë e xanun”!
Por të kthehemi te “zhgënjimi” i malësorëve me Edi Ramën. “Na mashtroi”, thonë ata. Po mor zotni, por unë dhe shumë të tjerë si puna ime ka 12 vite e më shumë që ju themi se “Edi Rama është djall, është mashtrues, është i pabesë”! Si nuk na besuat njëherë xhanëm! Kjo do të thotë se ne shqiptarët jemi mësuar “të mësojmë vetëm kur e pësojmë”! Nëse edhe në këtë rast vërtetë mësojmë diçka. Se ka më shumë gjasa që me afrimin e zgjedhjeve djalli Edi Rama të shpikë diçka, për të cilën këta “të zhgënjyerit e sotëm” t’i besojnë sërishmi nesër!
Edi Rama ishte, është dhe do të jetë deri në fund të jetës së vet një person që rren dhe njeri i pabesë. Ai gënjeu kur tha në vitin 2013 se “Legalizimet do të jenë falas” dhe se “Edhe Enver Hoxha të ngrihet nga varri nuk u shemb dot shtëpitë e pronat e palegalizuara”! Fadromat dhe rruspat janë ëndrra dhe vepra e tij! Ai shkëlqen dhe kënaqet kur sheh se si të tjerët vuajnë. Përfshirë miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Rrënimin e të tjerëve e përjeton si triumfin e vet. Këtë ka bërë gjithë jetën. Ka rrënuar gjithkënd që ka mundur dhe tani po rrënon edhe Shqipërinë.
E ka bërë vendin tonë të parin vend pensionist të Evropës. Se rininë e ka përzënë. Edhe kur i thërret të rinjtë të kthehen në Shqipëri, sërishmi ai ua bën gati valixhet të ikin nëpër botë! Ky është Edi Rama! Ju që bëni se nuk e dini, do ta mësoni kur ta provoni! Ata që e kanë pësuar prej tij, e dinë, por ka prej tyre që u pëlqen pak mashtrimi. Kush është i zgjuar mjaftueshëm e kupton nga ato që thotë e më shumë nga ato që kryeministri bën. Pse ai ka dhimbje të shpinës, kërkon që të njëjtën sëmundje ta kenë të gjithë njerëzit në botë dhe jo vetëm shqiptarët.
Ndaj mos thoni më se “na mashtroi Edi Rama”! Mashtron gjithmonë dikush që nuk ka mashtruar më parë. Ndërsa ai vetëm mashtrimin ka profesion, ndaj prej tij nuk pritet drejtësi dhe sinqeritet. Kush e pret, së paku mos të ankohet më!