Kërkohet burgosja e liderit të opozitës edhe në Brazil, SHBA paralajmëron

Prokurorët brazilianë i kërkuan të martën Gjykatës Supreme të vendit të dënojë ish-Presidentin Jair Bolsonaro për akuzat për tentativë grushti shteti dhe “organizatë kriminale të armatosur” në gjyqin e tij që ka shkaktuar një krizë diplomatike me Shtetet e Bashkuara.

Pas ditësh seancash dëgjimore, prokurorët paraqitën çështjen e tyre, duke thënë se ish-presidenti i ekstremit të djathtë dhe shtatë nga ish-ndihmësit e tij kërkuan të siguronin pushtetin e tyre të vazhdueshëm përmes përpjekjeve për të minuar me dhunë rendin demokratik”, sipas një deklarate që ata lëshuan .

Bolsonaro përballet me deri në 40 vjet burg për akuzën e grushtit të shtetit. Ai dyshohet se ka qenë udhëheqësi i një organizate kriminale i cili komplotoi për të mbetur në pushtet, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, të cilat u fituan nga kandidati i majtë dhe presidenti aktual Luiz Inácio Lula da Silva.

Prokurori i përgjithshëm theksoi se është provuar përfshirja e të akuzuarve dhe kërkoi dënimin e tyre për “organizatë kriminale të armatosur”, “tentativë për përmbysje të shtetit demokratik” dhe dëme ndaj pronës publike.

Fati i Bolsonaro-s dhe bashkëpunëtorëve të tij tashmë është në duart e gjyqtarit Alexandre de Moraes, i cili është vënë në qendër të kritikave dhe kërcënimeve me sanksione nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të vendimeve që ka marrë ndaj disa rrjeteve sociale amerikane.

Gjykimi i Bolsonaro-s ka shkaktuar reagim të ashpër nga presidenti amerikan Donald Trump, një aleat i ngushtë i tij, i cili e akuzoi Brazilin për “gjueti shtrigash” dhe paralajmëroi vendosjen e tarifave 50% ndaj mallrave braziliane duke nisur nga 1 gushti.

Vetë Bolsonaro e mohon fajësinë, duke u paraqitur si “i përndjekur politikisht”. Megjithatë, gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, ai pranoi se kishte shqyrtuar mundësinë për të përdorur një “klauzolë kushtetuese” për të ndaluar betimin e Lulës.

Ai këmbëngul se është viktimë e një procesi të motivuar politikisht, që synon ta pengojë të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026 megjithëse aktualisht është i skualifikuar nga gara deri në vitin 2030, për shkak të një çështjeje tjetër që lidhet me përhapjen e dezinformatave për sistemin zgjedhor të vendit.

About Redaksia

Check Also

Trump u mbyll gojën kritikëve/ Urdhëron publikimin e çdo informacioni dhe të dhëne për dosjen “Epstein”

Presidenti amerikan, Donald Trump, udhëzoi dje Departamentin e Drejtësisë që të ofrojë “çdo informacion dhe …