Lavrelashvili: Shqipëria synon anëtarësimin në 2027, por procesi kërkon angazhim më të madh politik!

Teona Lavrelashvili, Research Associate në Qendrën Martens, mbajti fjalën e saj në Konferencën “The Western Balkans Paradigm”, ku mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjatë diskutimeve, Lavrelashvili theksoi rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, një temë që po diskutohet intensivisht në Bruksel, dhe vuri në pah sfidat dhe pritshmëritë e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së në vitin 2027.

Gjithashtu, Lavrelashvili diskutoi ndryshimet në qasjen evropiane ndaj zgjerimit pas pushtimit të Ukrainës, duke nënvizuar nevojën për një proces më të bazuar në meritë dhe strategji.

“Kënaqësi që ndodhem këtu.

Është një temë shumë e rëndësishme zgjerimi i Bashkimit Evropian që po diskutohet intensivisht në Bruksel. Pyetja që shtrohet është: a është gati BE për zgjerim? Qëllimi i Shqipërisë është që në vitin 2027 të jetë pjesë e tij.

Sipas raporteve, të gjithë grupkapitujt që lidhen me konkurrencën dhe tregun e brendshëm janë tashmë të hapur për Shqipërinë. Çështja tani është faza e nisjes së zbatimit: si shoqëria civile, partitë politike dhe qeveria do ta ndjekin këtë progres.

Roli i partive politike është thelbësor, por fatkeqësisht nuk janë bërë kërkime të mjaftueshme, sidomos në lidhje me ndikimin e Partisë Popullore Evropiane (PPE). Bashkimi Evropian po kupton gjithnjë e më shumë nevojën strategjike për zgjerim. PPE ka investuar ndjeshëm, jo vetëm në aspektin e socializimit, por edhe për të ndihmuar partitë politike në forcimin e demokracisë së brendshme përmes trajnimeve, fondacioneve dhe dhënies së legjitimitetit aktorëve demokratë në Shqipëri, duke e orientuar vendin sipas axhendës evropiane.

PPE ka qenë e suksesshme dhe e fortë në nisjen e kësaj axhende, në mbajtjen e temës së zgjerimit në qendër të debatit dhe në diskutimet që lidhen me reformat. Roli i saj ka qenë vendimtar për të shtyrë përpara aktorët vendas, veçanërisht krahasuar me Partinë Socialiste Evropiane, ku dallimi është i dukshëm këto të fundit janë më pak aktive në këtë drejtim.

BE, përpara se të përqendrohej në vendet e Ballkanit Perëndimor, kishte vëmendjen më shumë te disa vende të tjera. Premtimi i dhënë në Samitin e Selanikut solli shpresë, por disa vende u ndjenë të lodhura dhe të zhgënjyera nga mungesa e realizimit të këtij premtimi.

Pas pushtimit të Ukrainës, ndryshoi edhe qasja ndaj procesit të zgjerimit. Tani diskutohet më seriozisht nëse zgjerimi duhet të bazohet mbi meritën apo strategjinë, duke reflektuar një kthesë të rëndësishme në mënyrën se si e sheh BE të ardhmen e saj”, tha Lavrelashvili.

About Redaksia

Check Also

Dosja e “Gjinos” të Ballukut/Anëtares së komisionit të tenderave i grabisin 200 mijë euro

“Katër persona të maskuar hynë në shtëpi, aty gjendeshim unë mamaja vëllai dhe tre fëmijët”. …