Nuk ka dyshim se politika e administratës amerikane të periudhës Trump ka ndryshuar radikalisht me atë të pararadhëseve, në lidhje me qëndrimin që Uashingtoni mbante për zgjedhjet parlamentare në vende të ndryshme. Efektet e kësaj ere të re me sa duket janë ndierë edhe në Shqipëri. Një dokument i brendshëm i Departamentit të shtetit, i zbuluar nga Fox News të lejon të kuptosh më shumë për këtë. Aty thuhet shprehimisht se diplomatët e SHBA dhe ambasadat lokale janë të lira të bëjnë deklarata urimi për fituesit e zgjedhjeve ose ti përshëndesin ata, me përjashtim të rasteve kur rezultate e votës janë të kontestuara.
“Selitë jashtë SHBA-ve, mundet, pa pasur nevojë për miratim nga Uashingtoni, të publikojnë deklarata në faqet e tyre të internetit, në rrjetet sociale, apo në mediat lokale për të uruar fituesit, përveçse në rastet kur rezultati i zgjedhjeve kontestohet publikisht”, thuhet në dokumentin e bërë publik nga media e së djathtës amerikane. Natyrisht në këtë material nuk përmendet asnjë vend i veçantë, vetëkuptohet që as Shqipëria, por në një farë mënyre ai vlen për të shpjeguar polemikën e madhe që u hap në Tiranë, për mesazhin e thatë për zgjedhjet tona, ku nuk urohej Rama si fitues, por populli shqiptar që kishte votuar.
”Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, shkruante ambasada me një vonesë dy javore pas garës elektorale të 11 majit.
Çudia që bëri ky mesazh nuk lidhej vetëm me vonesën në reagim, por mbi të gjitha me diferencën e madhe që ai kishte me urimin që i ishte bërë personalisht, katër vite më parë, në zgjedhjet e vitit 2021, kryeministrit Rama. Atëherë zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Ned Price, jo vetëm ishte shprehur qartë se vendi i tij e “njihte rezultatin”, por sikur kjo të mos mjaftonte ai kishte theksuar se SHBA-të “përgëzojnë Kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste për fitoren e tyre zgjedhore” duke shtuar se “rezultati duhej pranuar nga të gjithë”./Lapsi