Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për reformën në drejtësi.
Kryemadhi shprehet se sot, kryeministri i vendit e ka vendosur partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij.
Kryemadhi thekson se kjo është moralisht e turpshme, ligjërisht e dënueshme!
Sipas saj, një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe nxitur integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa synimet e kryeministrit janë krejt të ndryshme. T
“Në vitin 2016 miratuam me 140 vota dhe ndihmën e SHBA-BE një reformë në drejtësi që të hiqnim përfundimisht duart e politikës nga drejtësia.
Sot, kryeministri i vendit e ka vendosur partinë e tij në pushtet, në funksion të kërcënimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të mos dënojnë korrupsionin e grupit të tij. Gjithçka e thënë me logon e partisë socialiste në sfond.
Moralisht e turpshme, ligjërisht e dënueshme!
Rama deklaron se ka udhëhequr Reformën në Drejtësi, por ajo nuk është si reforma në ujin e pijshëm që ai me Alqin e inceneratorëve e përdorën për të zhytur drejt falimentit bashkitë dhe duke rënduar familjet shqiptare përmes taksave të larta.
Reformën në Drejtësi e konceptuam dhe miratuam me 140 vota që të mos ishte Ramaforma e radhës. Sot shohim si Rama i ngërdheshet prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke i thënë se i ka ndihmuar të kalojnë vetingun, ndaj është herezi që sistemi i drejtësisë të hetojë kryekorruptuesin e sistemit dhe bandën e tij.
Një sistem i pavarur i drejtësisë është jetik për të frenuar shpopullimin dhe nxitur integrimin evropian të Shqipërisë, ndërsa synimet e kryeministrit janë krejt të ndryshme. Tik Tak ora jote po afron!”, deklaron Kryemadhi.