Arkitektura narciste e Duçes shqiptar

Nga Luçiano BOÇI

Në fillim ishte Duçja. Pastaj erdhi “Artist-i”. Dhe në të dy rastet, qyteti u kthye në pasqyrë të pushtetit. Në Itali, Benito Mussolini ndërtoi “Romën e tretë” për të përjetësuar mitin e perandorisë dhe të vetvetes. Në Shqipëri, Edi Rama po ngre “Tiranën e re”, jo për qytetarin, por për të ndërtuar një muze të gjallë narcisizmi politik.

Mussolini kishte Piacentinin (Marcelo); Rama ka Boerin. Të dy arkitektët, pavaresisht kohës e konteksteve që i ndajnë, bashkohen në një pikë: Në përdorimin e formës për të maskuar deformimin e lirisë.

Stefano Boeri, arkitekti i njohur italian që njihet për konceptet ekologjike dhe gjelbërimin vertikal, është shndërruar, dashur pa dashur, në estetizuesin e një regjimi që përdor arkitekturën për të maskuar shkatërrimin institucional dhe politik.

Ai nuk është më thjesht një arkitekt – por pjesë e skenografisë së një autokracie urbane.

Piacentini përdori gurë travertini e kolonada klasike për të fiksuar përjetësinë e Duçes.

Boeri përdor fasada me pemë për t’i ngjitur Ramës etiketën e “të gjelbrit avangardist”. Travertini i viteve ’30 është zëvendësuar nga marketingu vertikal i shekullit XXI, por qëllimi mbetet i njëjtë për ta bërë qytetin poster propagande.

Arkitektura e Duçes nëpërmjet Piacentinit ishte e ftohtë, e qartë, e menduar për të bindur njeriun se Shteti është gjithçka dhe qytetari asgjë. Ajo ishte një arkitekturë me uniformë ushtarake – simetrike, monumentale, e ndërtuar për parada dhe propagandë.

Por ajo që ndodh sot në Tiranë është më e rafinuar, më e maskuar, më e rrezikshme – sepse fshihet pas ngjyrave, shkëlqimit, formave moderne dhe fjalëve të bukura për “kreativitetin” dhe “rilindjen urbane”.

Baza e saj është kaotizmi i hapësirës dhe i lartësisë, ndryshe nga kalkulimi simetrik i Duçes.

Rama sikurse Duçja nuk ndërton për qytetarët. Ai ndërton për veten.

Kullat që i mbijnë Tiranës nuk janë zhvillim, por dëshmi e një pushteti që kërkon të shfaqet i pathyeshëm, i paprekshëm dhe i përjetshëm.

Siç Duçja kishte obeliskun në Foro Italico me mbishkrimin “Mussolini Dux”, Rama ka kullat e tij me emra që i japin qytetit një shkëlqim të rremë kapitalist – por që fshijnë rrënjët, historinë dhe njerëzit.

Teatri Kombëtar ishte një kthesë. Aty ku fashizmi ndërtoi një institucion kulturor, Rama ndërtoi një precedent: zhdukjen e trashëgimisë në emër të betonit.

E gjitha e shoqëruar me një retorikë të stërkonsumuar për “modernitetin” dhe “të ardhmen”.

Por e ardhmja e ndërtuar mbi rrënimin e së shkuarës nuk është zhvillim – është fshirje e kujtesës.

Ashtu si Mussolini e pa dhe e shpalli veten si arkitekt të shpirtit italian, Rama e sheh veten si mjeshtër të ndriçimit “estetik” të një kombi që, sipas tij, nuk di çfarë do.

Prandaj është ai që vendos për gjithçka: nga ngjyrat e pallatit te forma e sheshit, nga pamja e parkut te emri i kullës.

Ai nuk pyet, ai vulos. Nuk bashkëbisedon me qytetin, por e urdhëron atë.

Tirana nuk është më qyteti i njerëzve, por galeria personale e një njeriu që ka vendosur të shkruajë historinë e pushtetit të tij në katet e njëpasnjëshme të një metropoli të ngufatur.

Nga arkitektura e Duçes te estetizmi i Ramës, ndryshon vetëm forma, jo thelbi: kontrolli, imponimi, dhe zhdukja e mendimit ndryshe nga hapësira publike.

Kulla-boom-i i Ramës shkon paralel me ekonominë e padeklaruar. Investigimet e medias dhe të opozitës kanë lidhur valën e ndërtimeve me pastrimin e parave nga kontrabandat, hashashi dhe oligarkët e lidhur me qeverinë. Duke përdorur PPP-të si “fshesë financiare”, Rama e ka shndërruar borxhin publik në hipotekë private të klientelës.

Në fund të ditës, qytetet janë pasqyra të regjimeve që i qeverisin.

Dhe Tirana sot na tregon se Shqipëria është në dorën e një pushteti që ndërton për të sunduar, jo për të shërbyer.

Nga monumentalizmi i fasadave tek heshtja e shesheve, ajo që mungon gjithmonë është një zë: ai i qytetarit të lirë.

Nëse ndalemi për një çast dhe pyesim veten se kujt i shërben kjo Tiranë që po ndërtohet, përgjigjja është e thjeshtë:

Jo qytetarit, por Duçes së kohëve moderne.

About Redaksia

Check Also

Shkollëpaku antiarsim po i heq edhe tullat e fundit dijes në Shqipëri!

Nga Petrit VASILI Përsëri po ai, po i njëjti demagog, po i njëjti i shkollëpak, …