Nga Ledina ALOLLI
Bashkia e Korçës sot ka vulosur dhënien e pronave publike klientëve të rradhës së qeverisë. Me urdhër të kryeministrit Rama, Këshilli Bashkiak i Korçës ka miratuar si përfaqësues dhe negociator kryesor për zhvillimin e projektit, “Rijetëzimi i stadiumit Skënderbeu dhe zonës urbane rreth tij”, Korporatën e Investimeve Shqiptare.
Fillimi i kësaj historie grabitjeje ishte 2 maji 2023, ku mes 3 kompanive, studioja daneze “Cebra Architecture” u shpall fituese për zhvillimin e këtij projekti. 12 ditë para zgjedhjeve drejtuesi i pare i një narko-shteti evropian deklaronte se ky ishte një projekt ambicioz, që mundësonte zhvillimin e kampionatit evropian për të rinjtë në vitin 2025 në Shqipëri.
Si çdo mashtrim “rilindas”, koha kaloi dhe asgjë nuk ndodhi. Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit mori përsipër ndërtimin e Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla”, teksa deklaroi se nuk kishte fonde për vazhdimin e projektit të ndërtimit të stadiumit.
Kjo ka qenë pikërisht ura e lidhjes mes pronave publike të Korçës dhe “Korporatës së Gllabërimit të Shqipërisë”. Me një vendim unanim të Këshillit të Ministrave KISH mori të drejtën e zhvillimit.
Ditën e sotme me urdhër të prerë këshilltarët bashkiakë kanë vendosur tjetërsimin e një nga zonave më identitare të qytetit. Në një nga vendimet më të rëndësishme për qytetin dhe zhvillimin e tij, qytetarët nuk janë pyetur njëherë të vetme për mendimin e tyre, teksa ky projekt mbulohet “nga retë e zeza” të mostransparencës së plotë.
Ky projekt klientelist nuk ka për qëllim modernizimin e stadiumit, por ndërtimin e të paktën 2 hoteleve luksoze, 1 qëndre tregtare dhe disa godinave biznesi, të cilat do i përkasin oligarkëve të Ramës dhe jo qytetarëve të Korçës.
Partia Demokratike kundërshton hapur këtë vendim arbitrar të pushtetit lokal si mashë e qeverisë dhe që dëmton rëndë interesat e qytetarëve të Korcës dhe bie ndesh me identitetin arkitekturor të qytetit tonë.