Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi sot gjatë një konference shtypi se ish-prokurori, Arben Rakipi që ka paraqitur ndryshimet e Kodit Penal, është një i keqpërdrur jo vetëm tani, por që në rininë e tij nga Sigurimi i Shtetit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, është ndaluar tek drafti i Kodit të ri Penal, i cili do të hidhet për diskutim publik.
Ai deklaroi se në kodin e ri parashikohet një trajtim më i butë për zyrtarët.
“Një draft i marrë pa konsultime, në mënyrë të fshehtë, pa asnjë konsultim paraprak me faktorët kryesorë, me avokatët, me gjyqtarët, me prokurorët, me shoqërinë civile, me mediat, me deputetët, por del sikur e nxjerr nga shpella dhe e paraqet atë, tregon se nuk ke asgjë të përbashkët aty për interesat e shtetit ligjor, as të qytetarit, mbrojtjes së jetës dhe pronave të qytetarëve, por përkundrazi ke interesat e narkoshtetit, shtetit mafioz, karteleve të drogës që të imponojnë të ndërmarrësh një hap të tillë në sekret të plotë”, tha ai.