Kursi i këmbimit të Euros po vijon rënien në ditët e para të muajit gusht dhe ka prekur rekorde të reja historike. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 97.3 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Ndërkohë, gjatë fundjavës, këmbimet në tregun valutor kishin shënuar madje vlera edhe më të ulëta. Kursi mesatar në pikat e këmbimit valutor zbriti poshtë nivelit të 97 lekëve, por megjithatë vlera e fundjavës nuk reflektohen në kursin zyrtar të këmbimit, që publikohet vetëm ditët e punës.

Agjentët mendojnë se piku i sezonit turistik edhe këtë po sjell prurje të mëdha valutore, veçanërisht gjatë fundjavave, duke forcuar presionet rënëse mbi kursin e këmbimit euro-lek. Këto prurje vazhdojnë të jenë të mëdha, pavarësisht se anketimet e operatorëve tregojnë një numër pushuesish më të ulët krahasuar me vitin e kaluar.
Në javët e fundit, as ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk po mjaftojnë për ta shmangur rënien e mëtejshme të kursit.
Banka Qendrore edhe këtë vit po realizon blerje të drejtpërdrejta periodike për të ulur sasinë e valutës në treg. Shifrat e blerjeve në tregun valutor publikohen me një tremujor vonesë dhe për momentin nuk ka një informacion lidhur me volumin e valutës që po tërheq Banka e Shqipërisë nga tregu. Në periudhën korrik-gusht të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë pati blerë 176 milionë euro, blerje që mjaftuan vetëm për ta mbajtur kursin pak më lart kufirit të 98 lekëve.
Gazeta RD