Një zjarr i madh ka përfshirë zonën pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër, ku flakët kanë kaluar rrugën Sarandë-Muzinë dhe po përparojnë drejt parkut, duke kërcënuar seriozisht këtë atraksion natyror. Flakët kanë arritur deri pranë parkingut të Syrit të Kaltër dhe përmasat e tyre janë alarmuese, raporton Sarandaweb.
Si masë sigurie, janë evakuuar mbi 500 turistë nga zona, ndërsa qarkullimi në rrugën Sarandë-Muzinë është bllokuar.
Shqipëria prej disa muajsh përballet me një valë zjarresh në zona të ndryshme të vendit, të nxitura nga temperaturat e larta dhe thatësira e zgjatur.
Diten e djeshme në Kuçovë erdhi në ndihmë një helikopter Black Hawk nga Republika Çeke, i cili u angazhua në përpjekjet për të kontrolluar zjarret dhe për të ndihmuar zjarrfikësit në terren.
Shqetësues mbetet fakti që Shqipëria nuk ka ende avionë zjarrfikës në pronësi të saj. Kryeministri Edi Rama premtoi gjatë fushatës zgjedhore në mars 2025 se vendi do të kishte dy avionë të gatshëm për sezonin veror, por ky premtim nuk është përmbushur deri tani.