Një video e ardhur në adresë të liderit të opozitës, Sali Berisha tregon se si ujërat e zeza të bizneseve te Shkëmbi i Kavajës në Durrës, kanë plasur në mes të pushuesve, në pikun e sezonit veror.
“Turizmi Ramaduros jo vetëm i tritolit, por dhe i gjirizeve”, shkruan Berisha.
Postimi i plotë:
Denoncim për shperthimin e ujërave të zeza në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, Durrës
Përshëndetje!
Dua të denoncoj një ngjarje shqetësuese që ndodhi në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, në qytetin e Durrësit. Pasditen e sotme, në këtë zonë u shfaq një fenomen alarmant: një shpërthim i ujërave të zeza mes rërës dhe pushuesve, duke krijuar kushte të pasiguruara dhe shumë të papërshtatshme për të gjithë ata që ndodheshin aty, veçanërisht për turistët e huaj.
Një grup i madh turistësh që po kalonin pushimet e tyre në këtë zonë ishin të tronditur dhe skandalizuar nga ky incident. Pamja ishte shqetësuese, duke krijuar një ndjesi të padurueshme dhe të papranueshme për cilësinë e ujit dhe kushtet e sigurisë në plazh. Kjo ngjarje dëshmon për mungesën e infrastrukturës dhe investimeve për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve dhe turistëve.
Apeloj për ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale dhe qeveritare për të pastruar këtë zonë dhe për të marrë masa për të parandaluar përsëritjen e një ngjarjeje të tillë në të ardhmen. Përshtatja e kushteve për turizmin dhe ruajtja e mjedisit janë thelbësore për të garantuar sigurinë dhe kënaqësinë e pushuesve.
Me shpresë për një ndërhyrje të shpejtë dhe përmirësim të situatës.