Lubi Balluku do ta mbyllë patjetër deri në tetor “pazarin” 365 milionë euro të koncesionit Milot-Balldre

Një muaj e gjysmë pas anulimit, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rishpallur garën për koncesionin 1 miliardë eurot të autostradës Milot-Balldre. Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit, kompanitë e interesuara do të kenë afat deri më 2 tetor për të paraqitur ofertat e tyre.

Tenderi i mëparshëm u anulua në mënyrë të çuditshme një muaj e gjysmë më parë, pasi asnjë nga ofertat që u paraqit nuk rezultoi e suksesshme, ndonëse ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, kishte deklaruar se do të shpallte fituesin brenda dy ditësh.

Autostrada e re me gjatësi 17 kilometra parashikohej të mbyllej deri në vitin 2028-të. Kalvari i këtij koncesioni ka nisur që në vitin 2018, kur erdhi propozimi i pakërkuar për ndërtimin e kësaj autostrade, dhe prej asaj kohe ky projekt ka mbetur vetëm në fazë tenderi.

Rruga

Segmenti Milot Balldrenë është pjesë e të ashtuquajturit Korridori Adriatiko-Jonian ose siç njihet ndryshe Korridori Blu.

Ky segment ka një gjatësi 17 kilometër dhe do të kushtojë 182.5 milionë euro vetëm si kosto ndërtimi.

Nëse përfshihen dhe kostot e projektimit, ato të mirëmbajtjes dhe të operimit, investimi total i privatit është parashikuar 365 milionë euro për të gjithë periudhën 35 vjeçare të koncesionit.

Por sipas planit të biznesit, koncesioni do të gjenerojë 1 miliardë euro të ardhura përgjatë gjithë periudhës 35 vjecare.

Kjo është hera e dytë që qeveria shqiptare tenton të japë me koncesion ndërtimin e autostradës Milot-Balldrene. Hera e parë ishte në vitin 2018, kur qeveria zgjodhi fituese të koncesionit kompaninë A.N.K, por me një tjetër model, atë të Partneritetit Publik Privat, sipas të cilit kompania do të ndërtonte rrugën me paratë e veta dhe do të paguhej për 13 vjet nga buxheti i shtetit deri në shlyerjen e investimit dhe fitimin e saj.

Por A.N.K nuk arriti ta ndërtonte rrugën pasi nuk gjeti paratë për ta financuar atë. Rrjedhimit qeveria e anulloi koncesionin për ta tenderuar sërish, por këtë herë me formulën e tarifës së kalimit për qytetarët, jo përmes shlyerjes nga buxheti. Por edhe tentativa e dytë, dështoi sërish.

Kjo është hera e tretë tashmë që qeveria përpiqet të tenderojë koncesionin./kapitali.al

About Redaksia

Check Also

Rama shpall pronarët e tre mediave kombëtare, “investitorë strategjikë”

Titulli origjinal: Si ‘përfitimet strategjike’ nga qeveria po rrezikojnë lirinë e medias në Shqipëri Komiteti i …