Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, po të kishte një qeveri të vërtetë në Shqipëri, Delvina dhe shumë zona të tjera të prekura nga flakët, do të kishin shpallur statusin e fatkeqësisë natyrore.
Ai e akuzoi qeverinë e Edi Ramës për menaxhim të dobët të burimeve dhe për shpërdorim të fondeve në projekte të panevojshme, duke theksuar se paratë që janë harxhuar për “çartere” dhe satelitë mund të ishin përdorur për blerjen e mjeteve zjarrfikëse, të cilat do të kishin shpëtuar jetët dhe pasuritë e shqiptarëve.
“Po të kishte qeveri të vërtetë nuk mund të diskutohet që Delvina dhe zona të tjera sot, do ishin shpallur zona të fatkeqësisë natyrore.
Por kur nuk ka qeveri dhe ka narkoqeveri, ndonjë ndryshim të madh kjo nuk bën.
Edhe njëherë. Me 21 mln euro çarter, avion në dispozicion të shpenzuar personalisht nga Edi Rama.
Me 10 milionë satelitët.
Me 7 milionë ‘Giro d’Italia’.
Me 50 mln më tepër se kostoja në tunelin e Llogarasë, Shqipëria do të kishte dy ‘Canada Air’, do kishte të paktën edhe 150-200 zjarrfikëse më shumë.
Përsa i përket sipërfaqeve të Greqisë dhe Italisë, duhet të jesh i metë, duhet të kesh të meta mendore që të bësh krahasimin e një vendi me 28 mijë kilometra katror me vende që janë me 90 njëri, e sa është tjetri, Gadishulli Apenin, mijëra kilometra i gjatë.
Nuk ka asnjë justifikim. Do të mbrohet me shpenzimet e tij të tmerrshme abuzive.
Nëse nuk do të përdorte 21 mln euro për çarter, nëqoftëse nuk do të përdoreshin 7 mln euro për ‘Giro d’Italia’ për të mashtruar shqiptarët për vota, 10 mln euro për satelitët, se na duhen për zjarret. Nëse nuk do të paguheshin 50 mln euro më shumë për tunelin e Llogarasë dhe po shkon në 70 mln ç‘është e vërteta, po shkon në 70 mln tani, natyrisht Shqipëria jo veç që do i shuante vetë zjarret, por do ndihmonte dhe Greqinë, që na ka ndihmuar dhe i falënderoj.
Do ndihmonte Italinë, e cila na ka ndihmuar dhe e falënderoj, për shuarjen e zjarreve”, tha Berisha.
Gazeta RD