Nga Agim XHAFKA
Duket si paradoks që pasi Rama mori vota,pasi vodhi vota, pasi i dhanë 83 mandate t’i kërkosh dorëheqjen.
Ngjan sikur je mes pushuesve në breg të detit që i gëzohen diellit e t’u thuash atyre, ah sikur të bjerë shi, ama një shi i fortë e mos të ndalë hiç. Vërtet ajo situatë është krijuar. Mes triumfit gjoja fitimtarësh dhe një dorëheqjeje të Ramës që na bën mirë të gjithëve. Së pari Ramës. Se i ndërpret paligjshmërinë e përditshme të qeverisë së tij, i ndal arrrogancën, brutalitetin dhe “kancerizimin” e Shqipërisë.
Duhet ta pranojmë që ky njeri, si kanceri që shumon pa kontroll qelizat e u lidh duart organeve jetësore të trupit, ka shtrirë metastaza në gjithë pushtetet e shtetit. Tashmë pranohet botërisht, Rama është kryeministër, është president, është kryetar parlamenti. Siç vendos e vulos si kryetar i të gjithë gjykatave, të çdo shkalle. Madje nuk gabon po the që sillet dhe si mësues, dhe si mjek dhe si parashikues moti.
Ndaj është emegjencë dorëheqja e tij. Shpëton shtetin, qeverisjen, merr fryma shoqëria, çlirohen instancat dhe krijohet ekuilibër demokratik aq i nevojshëm për progres. Përveç kësaj një drejtim i tillë, aq i centralizuar, po tregon tash 13 vite që s’po bën hajër. Ekonomia ishte e parafundit në rajon, shkoi në fund. Varfëria u thellua, arsimi u degradua, mjekësia nga falas rrëshqiti në, të fala shëndetit.
Pa folur për shpopullimin dhe braktisjen e vendit. Ose pa hedhur sytë nga bujqësia që tokat djerrë tashmë pronar me tapi kanë veç flakën e zjarreve.
Edvin, mos u lodh kot! Më keq se kaq nuk e bën dot! Ky është thelbi i gjykimit njerëzor. I shqiptarëve që i dhanë, apo nuk i dhanë votën. Se çudia që ne duam një të paaftë e që na mashtron u dëshmua masivisht me firmat piramidale. Ndërsa krerët e tyre na vidhnin paratë, populli i varfër u thurrte këngë.
Dorëheqja e Ramës është emergjencë. Si e pakuptimtë ngjan pas votimeve në favor të tij, por jo në Shqipëri. Ku paradoksi është valle popullore. Që kërcehet edhe në gëzime, edhe nëpër vakira.
Edi Rama ik, nuk është një slogan i lodhur. Ik se i bën nder vetes, por dhe e ndihmon veten. Nuk do i shpëtosh gjykimit për dëmet që ke bërë. Por dhe u bënë vite e vite që nuk qullose gjë. Produkt tëndin ke një thes të madh me rrena, një propagandë mbushur me tollumbace ekranesh dhe një popull që nuk po ngre kokë nga varfëria. Paçka se i doli kurrizi nga lodhja dhe nga mundimi. Dorëheqja jote na afron më shumë me BE. Se bëhemi si ata. Me një shtet pa kancer në trup. Me një shtet ku njëshi nuk është dhe dysh, dhe tresh, dhe katër dhe gjithçka…