Çështja Balluku, tashmë halli i BE-së…!

Nga Iva V.GRILLO

Paradoksalisht, çështja Balluku ka pushuar së qënuri ekskluzivisht hall i Ramës.
Ky i fundit tashmë duket se e ka marrë vendimin e tij për të mos t’a lëshuar në asnjë mënyrë (të paktën në të ardhmen e afërt) bashkëpunëtoren e tij të ngushtë. Dhe duke marrë këtë vendim kaq të prerë, automatikisht e ka kaluar “topin” në portën e BE-së.
Kjo duket qartë jo vetëm nga refuzimi që Rama i bëri heqjes të imunitetit parlamentar, por edhe nga pompimi i fundit i Ballukut si lojtare e pazëvendësueshme politike në parti dhe nga shtimi i intensitetit të qasjes manipulative e propagandistike: “vetëm përpara, drejt BE… kështu siç jemi, copë-copë”.
Nga ana tjetër është bërë e dukshme se mesazhi i qartë i mosdorëzimit të Ballukut tek drejtësia e ka ekspozuar faktorin ndërkombëtar, e sidomos BE-së duke e vënë në një pozitë të vështirë, si për nga pozicionimi i ardhshëm ndaj Ramës ashtu edhe për cilësinë e produktit më të përfolur të viteve të fundit: “drejtësinë e re”…
Si t’ia bëjë BE-ja kur thirrjet apo ultimatumet që i dërgon Ramës për të lënë drejtësinë të veprojë, jo vetëm nuk dëgjohen, por injorohen deri në kufinjtë e karshillëkut brutal duke e ulur përtokë autoritetin e partnerëve ndërkombëtar?! Si t’ia bëjë BE-ja që të ruajë reformën në drejtësi dhe fytyrën e vet përpara këtij ekspozimi kaq të papërshtatshëm?!
Duket se për arsye gjeopolitike, për të dalë nga pozita e vështirë para opinionit publik e ndoshta dhe për arsye të tjera që ne nuk i dimë, BE-ja ka vendosur t’a kalojë këtë pengesë nëpërmjet instrumentave e faktorëve të ndryshëm që i bëjnë jehonë aspiratave europiane e dëshirës së popullit shqiptar për t’u futur në BE (të cilat në përgjithësi janë aty të palëkundura, me apo pa rezoluta, me apo pa deklarata patetike).
Ndërkohë pyetja e narrativa: “Si do ketë zemër BE-ja të penalizojë aspiratat e një populli të tërë për një copë Balluke?” duket se është spinimi që po i bën Rama kësaj situate duke dashur t’ia hedhë paq këtij skandali i cili kudo tjetër do t’a ulte edhe atë direkt në bankën e të akuzuarve. Por kjo është qeverisja shqiptare e kjo është drejtësia e re…
Nga ana tjetër, nga pozicionimi i BE-së do të kemi mundësinë të shohim nëse kjo e fundit e ka seriozisht diskutimin mbi standartet e integrimit, apo do të pranojë symbyllyrazi e duke zënë hundët me dorë, bashkëpunimin me kryeministrin më të korruptuar në Evropë e më gjerë…
Fatkeqësisht shenjat e kumtet që jepen tregojnë do të jetë ky versioni i fundit…legjitimimi i një të korruptuari, nën pretekstin e aspiratës pro-europiane të shqiptarëve… gjithnjë “në emër të popullit”…
Një fatkeqësi për aspiratat reale të shoqërisë shqiptare që duket se do të përdoren si një monedhë këmbimi për mbijetesën e një xhambazi politik dhe ndihmësve të tij.

About Redaksia

Check Also

AKSHI ose grabitja që ka emër

Nga Luçiano BOÇI (Kopshti privat i Edi Ramës) Në ndryshim nga Europa e ëndërruar ku …