Geraldina Kola: Z. Berisha, ju dje me të drejtë deklaruat se krimi po poshtëron qytetarët me ndihmën e shtetit. Në 2005-ën ju arrestuat kriminelët më të rrezikshëm në vend, si Lulzim Berisha, Aldo Bare, u konfiskuan pasuritë. Sot, krimi është pengesa kryesore për integrimin. A janë partnerët të shqetësuar për këtë dhe a do të kemi një 2005 të dytë kundër krimit?
Sali Berisha: Jam plotësisht dakord me ju. Problemi numër një, absolutisht më i rëndë, është krimi, droga dhe korrupsioni, të lidhura me këtë regjim.
Në 18 muaj pas ardhjes në pushtet në vitin 2005, u arrestuan 1050 bosë dhe anëtarë të 206 organizatave kriminale.
Mbi 10 prej tyre morën dënime përjetë.
Pasi erdhi në pushtet me moton, qelbësira të të gjitha ngjyrave të bashkohemi kundër Sali Berishës, Edi Rama i nxori nga burgu një nga një.
Edi Rama vendosi lidhje organike me kartelet e drogës. U dha atyre portet, autostradat, pikat e kufirit. Ka të dhëna, të cilat sigurisht që duhen hetuar, por thuhet se karteli Troplini i paguan për portin e Durrësit 300 milionë euro në vit Edi Ramës, para droge. Sepse nga Durrësi nisen miliarda euro drogë në qytetet e tjera të Evropës.
Si thoshte Giuseppe Grillo, bosi kryesor i Ndraghetës në Italinë e veriut, po na shkatërrojnë shqiptarët me kokainën, thoshte, se po ua marrin të gjitha monopolet dhe në krye të këtij aktiviteti qëndron Edi Rama me suitën e tij.
Po, unë dje deklarova në mënyrë absolute zero tolerancë ndaj krimit dhe kudo që të jenë, nga Kejptauni tek Kampi Verior, nga çdo skaj në një skaj tjetër, ata do vijnë para ligjit në Tiranë, kudo që të ndodhen.
Do shkojnë para ligjit të gjithë politikanët e krimit se u garantoj se ata janë më kriminelë se sa kriminelët e bandave apo të bodrumeve të karteleve.
Do të priten me forcën e ligjit të gjitha lidhjet e politikës me krimin.
Do çlirohet policia nga të gjitha bandat, gjykata, prokuroria.
Do ndëshkohen ata që mbrojnë krimin dhe dosjen e krimit në këto institucione.
Do krijohet një agjenci e veçantë për të gjetur pronat e krimit në Shqipëri dhe jashtë vendit dhe për t’ia kthyer publikut.
Me një fjalë, do kthehet siguria në vend, do kthehet shteti ligjor dhe qytetarët shqiptarë do kenë të garantuar jetën, pronën, veprimtarinë e tyre, të dhënat e tyre, jo si sot që i përdorin bandat dhe kartelet.
Gazeta RD