Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvend, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me kredinë e butë që qeveria franceze do t’i japë asaj shqiptare. Sipas liderit demokrat, qeveria synon marrjen e një kredie të tillë për të fshehur vjedhjet, pasi në komisione është bërë e qartë që këto të ardhura do të kalojnë në buxhetin e shtetit.
“Falënderojmë Francën për kredinë e butë prej 50 milion eurosh dhe destinacionin e kësaj kredie. Sipas deklaratave së djeshme të dy ministrive përgjegjëse për sektorin, është parashikuar një destinacion krejt tjetër dhe jo ai për të cilin Agjencia për Zhvillimin Francez ka vendosur t’i japë Shqipërisë.
Ky është një problem madhor. Do isha dakord për çdo lloj mase, fondi, legjislacioni që do të synonte rrëzimin e murit shekullor të patriarkisë, dhunues i të drejtave themelore.
Qeverisja socialiste pas diktaturës së Enver Hoxhës është qeverisja më armike ndaj gruas shqiptare. Nuk e them për politikë por me politikat abuzimet e korrupsionin, me pasigurinë nga sundimi i krimit, me shkatërrimin e sistemit arsimor e shëndetësor, ju i keni nxirë jetën gruas shqiptare. I keni shndërruar gratë në nëna që lindin fëmijë për emigracion. Ndërsa vetë pasuroheni çdo ditë.
A e kuptoni se çfarë fatkeqësie i keni krijuar gruas shqiptare?
Pas meje këtu qëndrojnë 13- 14 ministre por këto dhe të gjitha deputetet duhet të jenë avokate të çdo gjëje të interesave të shqiptarëve dhe grave shqiptare. Pse do flasë vetëm opozita? Ju duhet të jeni të parët sepse jeni në pushtet.
Të vinit këtu e të thonit që këto 50 milion euro ishin kredi për nënat që rrisin fëmijët të vetme, do jepen grante e kredi për të nxjerrë gratë në krye të bizneseve.
Në Komisionet parlamentare keni thënë që këto do të shkojnë në buxhetin e shtetit. A e dini që borxhi është taksim edhe i atyre që nuk kanë lindur akoma. A e dini që është vjedhje e të ardhmes së tyre.
700 milion janë marrë nga fondi rezervë i qeverisë dhe janë dhënë për ahengje. Kredinë e qeverisë franceze e fusim në buxhet për të mbuluar vjedhjet”, u shpreh Berisha.