Berisha: Edi Rama me ligjin e ri po bën pjesë të administratës edhe ushtrinë, diplomacinë dhe universitetet

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi në konferencën për shtyp se, Edi Rama po asgjëson institucionet kushtetuese! Berisha tha se, me ligjin e ri ai po bën pjesë të administratës edhe ushtrinë, diplomacinë dhe universitetet.
“Për ata, të cilët duke parë një grup të vogël opozitar në parlament, në këshilla dhe një grup të vogël gazetarësh që në diktaturë autokratike, qëndrojnë kundër saj, shqiptarëve u rikujtoj se sot nga 220 mijë rrogëtarë që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, 98 përqind e tyre i përkasin partisë shtet, emërtesë e partisë shtet, emërtesë e Edi Ramës, në të gjithë vendin.
Pra, nuk është një monizëm total, por është pothuaj një monizëm i plotë.
Megjithatë duhet pranuar se dallimi esencial midis diktaturës totalitare dhe diktaturës autoritare është se e para me ligj nuk e pranon pluralizmin, e dyta e pranon, por e shtyp atë me institucione.
Së dyti, tipari më kardinal i çdo diktature është përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë.
Nuk ka përqendrim më të madh pushteti se të kesh emëruar 98 përqind e të gjithë piramidës shtetërore dhe administratës publike, duke filluar nga presidenti i Republikës, tek kryegjykatësit, kryeprokurorët, etj me radhë.
Por siç është në natyrën e diktatorëve, qoftë autokratë, qoftë autoritarë, etja për pushtet e tyre është e pakufishme. Nuk njeh kufi.
Edi Rama ka shpërndarë këto ditë gushti një projektligj për administratën shtetërore, një paçavure e vërtetë, i cili në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një shgarravinë të vërtetë.
Por shumë më e rëndë është në parimet që këto ndryshime të ligjit ekzistues për administratën shtetërore sjellin.
Administrata aktuale shtetërore funksionon mbi bazën e ligjit 90 të shtatorit të vitit 2012, ligj i cili pa mëdyshje mund të amendohet si çdo ligj tjetër, mund të abrogohet, mund të zëvendësohet.
Por kur amendohet duke shkelmuar parimet e funksionimit të administratës shtetërore, duke shkelmuar parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, kjo përbën një atentat të ri ndaj asaj ndarje pushteti që ka mbetur në letër dhe përpjekje demoniake e Edi Ramës për të futur në duart e tij çdo pushtet që ka mbetur me sadopak autonomi.
Po ju rikujtoj, po ndalem tek kjo.
Në nenin 1 të ligjit 90, 2012, thuhet: qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri ligjor të njëjtë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e këshillit të ministrave.
2. Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit dhe forcat e armatosura nuk janë pjesë e fushës së veprimit të këtij ligji.
Po pse? Sepse ato janë institucione kushtetuese, të cilat kanë një vartësi kushtetuese, të cilat kanë një bashkëndarje të pushteteve, pra në këto institucione, në qoftë se studion statusin e tyre, ka një kompetencë presidenti i Republikës, ka një kompetencë shefi i shtabit të përgjithshëm dhe shtabi i përgjithshëm, ka një kompetencë bordi i universiteteve.
Pra, çfarë thuhet në ligjin që sjell Edi Rama?
Pika 2 e nenit 1, e ndryshuar si vijon: Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit si dhe forcat e armatosura janë pjesë e administratës që rregullohen me ligj të posaçëm.
Prisni.
Në kuptimin më të gjerë, administratë shtetërore është çdo rrogëtar i këtij shteti.
Por fusha e veprimit të ligjit për administratën publike ka të bëjë me këshillin e ministrave.
Fusha e veprimit për institucionet e arsimit të lartë është një ndarje mes këshillit të ministrave, presidentit të Republikës dhe bordeve.
Fusha e veprimit mes forcave të armatosura është një ndarje midis shefit të shtabit të përgjithshëm, presidentit të Republikës dhe kryeministrit.
Në qoftë se ti merr dhe i fut këto dinakërisht në ligjin për administratën shtetërore, por që kanë për zot kryeministrin e vendit, ti faktikisht asgjëson këto si institucione kushtetuese dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh, por që ky nuk e ka për gjë që të marrë policinë ushtarake dhe ta çojë të bllokojë një televizion në një akt antikushtetues. Në një keqpërdorim absolut antikushtetues të forcave të armatosura. Por ka një president që për bëmat e tij dhe gjëmat e tij është i paqenë”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Ushtria e Ballukut për manipulimin/ Emrat e 420 patronazhistëve në institucione

Qarku i Fierit, i konsideruar si bastion historik i së majtës, tejkaloi edhe pritshmëritë më …