Berisha i kërkon informacion Prokurorisë: A e keni njoftuar KLGJ për dënimin e gjyqtares Gjoka në Greqi?

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme, ku kërkon informacion mbi hapat e ndjekur për njoftimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor lidhur me dënimin penal në Greqi të gjyqtares Irena Gjoka, e cila ka dhënë disa vendime ndaj tij në procesin penal që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme.
Berisha sqaron se Gjoka është dënuar nga një gjykatë greke në vitin 2005 për falsifikim pasaportash dhe vizash, dënim që është konvertuar më pas në gjobë.
“Kërkuesi, z.Sali Berisha aktualisht është në proces gjyqësor në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për efekte të gjykimit të çështjes penale në ngarkim të tij, kërkuesi ka parashtruar gjatë seancës paraprake, si dhe do të vijojë të paraqesë kërkesa paraprake në lidhje me pavlefshmërinë e vendimeve gjyqësore nr. 112 datë 20.10.2023; Vendimi nr. 117 date 26.10.2023; Vendimi nr. 442 dt 08.11.2023; Vendimi nr. 520 date 30.12.2023; Vendimi nr. 55 date 08.02.2024; Vendimi nr. 125 date 12.03.2024; Vendimi nr. 200 datë 08.04.2024; Vendimi nr. 220 date 17.04.2024; Vendimi nr. 245 date 21.05.2024; Vendimi nr. 400 datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe çdo akti që lidhen apo varen prej tyre. Të gjitha vendimet e sipërcituara janë dhënë prej gjyqtares Irena Gjoka (Maneku) gjatë hetimit paraprak të procedimit penal ndaj kërkuesit.
Nga Vendimi nr. 1447/2005 i Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Janinë, magjistratja Irena Maneku, aktualisht Irena Gjoka, është dënuar për kryerjen e krimit të “falsifikimit të pasaportave, vizave” me burg i cili i është konvertuar me gjobë.
Në vijim të kërkesave të mësipërme të paraqitura në gjykim, në lidhje me verifikimin e shkaqeve të mbarimit të mandatit të “magjistratit” të gjyqtares Irena Gjoka (Maneku), në ezaurim të mjeteve të garantuara nga sistemi i brendshëm, bazuar edhe në praktikën e GJEDNJ në rastet Xhoxhaj kundër Shqipërisë &&254-257, Sevdari kundër Shqipërisë && 110-113, Kërkuesi i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesën me objekt deklarimin e mbarimit të mandatit të magjistrates për gjyqtaren Irena Gjoka (Maneku).
Në përgjigje të dy kërkesave të paraqitura prej kërkuesit, prej Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor jemi njoftuar, me shkresën datë 27.05.2025 se:
“Verifikimi i shkaqeve të pazgjedhshmërisë për një magjistrat kryhet nga Këshilli në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 28 në lidhje me nenin 66 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, pas njoftimit të marrë nga autoriteti kompetent.”
Nga njoftimet publike, Kërkuesi ka ardhur në dijeni të shkresës nr. 183/65 extra datë 03.09.2025 të Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria e Koordinimit Institucional, drejtuar Av. Adriana Kalaja, nga përmbajtja e së cilës rezulton: “Deri aktualisht me shkresën nr. 216/7 prot., datë 15.07.2025 Ministria e Drejtësisë ka përcjellë përgjigjen e autoriteteve gjyqësore greke në lidhje me kërkesën tonë nr. 183/49 prot. Datë 07.05.2025, nëpërmjet së cilës konfirmojnë se vendimi është autentik dhe nuk është ekzekutuar për shkak të aktit të Prokurorit. Bashkëlidhur është dërguar një kopje e njehsuar me origjinalin e këtij vendimi.”
Bazuar në nenin 8 i ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” Prokuroria e Përgjithshme i njofton rezultatet e procesit të verifikimit të shkaqeve të papajtueshmërisë apo pazgjedhshmërisë organit përgjegjës, në këtë rast Këshillit të Lartë Gjyqësore, brenda 3 ditëve.
Në referim të dispozitave të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në shkresën e Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 2610/6 prot datë 27.05.2025, pretendohet se Këshilli është në pritje të njoftimit për shkaqet e mbarimit të mandatit të magjistratit për gjyqtaren Irena Gjoka (Maneku), nga “autoriteti kompetent”.
Kërkojmë informacion në lidhje me procedurat e ndjekura nga ana Juaj, për njoftimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në lidhje me faktin që Vendimi nr. 1447/2005 i Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Janinë, me të cilin magjistratja Irena Maneku, aktualisht Irena Gjoka, është dënuar për kryerjen e krimit të “falsifikimit të pasaportave, vizave”, i paraqitur prej nesh në formën e kërkuar nga ligji, sipas përgjigjes së autoriteteve gjyqësore greke, është autentik”.

About Redaksia

Check Also

“PS, Parti-Shtet”/ Aleati i Ramës, Milo: Po shkojnë drejt shthurjes që nuk ndalet

Këtë të mërkurë, në intervistën për News 24, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, komentoi përplasjen …