Deklarata e Berishës
Janë me dhjetëra të shtruar në spital. Deputetë të Partisë Demokratike kanë ndjekur me shqetësim të madh gjendjen e të plagosurve. Qarkullojnë dhe lajme të pakonfirmuara, të cilat nuk i bëj publike gjersa të konfirmohen. Por dhuna e egër, thyerja e kofshëve, e kërcinjve, çarja e kafkave, plagë të tjera mbi protestuesit janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës. Fytyra e vërtetë e Ervin Demos. Imagjinoni shqiptarë kush ka qenë zëvendësministër i arsimit. Se çfarë turpi, çfarë krimineli ka qenë në arsim. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtarët dhe aktivistët e Partisë Demokratike, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet politike, ftoj të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri të vendit të mbështesin protestën e studentëve, kërkesën e tyre për largimin e Edi Ramës nesër në të njëjtën orë, në ora 14:00 para Ministrisë së Arsimit. Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, për mbështetje. Ndaj dhe le të bashkohemi nesër student, prindër, të rinj, qytetarë, si të pamposhtur, siç qëndruan sot studentët që sfiduan të vërtetë, mbrojtën kërkesat e tyre. Shpresoj dhe uroj që kjo dhunë barbare të marrë dënimin e merituar nga e gjithë rinia universitare dhe parauniversitare, por edhe ajo në punë. Kjo është fytyra e regjimit ndaj rinisë. Nesër të gjithë në mbështetje të studentëve. Nesër është dita e studentëve dhe e atyre që mbështesin kauzën studentore. Faleminderit!
Gazeta RD